POEZIA,
VLERË DHE METAFORË ARTISTIKE
Arif
Molliqi: „Një hije bënte rrugë“, poezi, botoi ShB „Faik Konica“,
Prishtinë 2009.
PROLOG:
Arif
MOLLIQI, është poet që ka krijuar individualitetin krijues jo vetëm në poezinë
e sotme shqipe që krijohet në mërgim, por përmasat e këtij individualiteti
maten me nivelin e poezisë së sotme shqipe në shkallë kombëtare. Tashmë poezia
e tij ka fituar një vlerë dhe peshë artistike. Kjo gjë më dukshëm vërehet,
sidomos në krijimet poetike të viteve të fundit të këtij autori. Poezia e tij,
ka marrë vlerë që duhet respektuar, sepse ka tërhequr vëmendjen e lexuesit, për
më tepër të asaj kategorie që leximin e poezisë e bëjnë më kujdesshëm dhe në
mënyrë profesionale. Janë këto disa nga arsyet pse themi se Arif Molliqi është
nga ata poet që poezinë e ka pasion, dhe atë e krijon jo për të plotësuar
ndonjë vakum krijues, por thjesht shkruan për të shprehur ndjenjën dhe
përkushtimin e tij letrar. Tash kur përmendim këtë autor, (sidomos në fushën e
poezisë), duhet të besojmë se e kemi fjalën për një individualitet krijues, për
një poet që krijon kujdesshëm i cili si prodhimtar i vlerave letrare duhet
respektuar dhe duhet t’ia pranojmë suksesin e gjertanishëm për t’i dhënë vendin
e merituar në kuadrin e letërsisë kombëtare
Arif Molliqi i ka mbetur besnik krijimit të
poezisë duke u dalluar si një krijues që më me përkushtim merret me poezinë. Ai
nga libri në libër ka shënuar ngritje, vlera këto të tejdukshme, qoftë në
aspektin estetik apo të qasjeve metodike për të sendërtuar vlera që ai i ka
synuar. Janë veprat letrare që tashmë atë e kanë bërë më të dalluar dhe dita -
ditës edhe më të kërkuar. Deri më tani ky poet ka shënuar rritje, duke i dhënë
vlerë poezisë, dhe sharmin e duhur artistik, që pastaj poezia e tij të jetë më
e pranueshme dhe si vlerë artistike më e qëndrueshme.
Te poezia e Arif Molliqit spikasin tipare
dukagjinase të kultivuara qysh në kohën e rinisë së hershme dhe të shprehura
qysh në librin e parë të tij “Simfoni për darkën e qenve” (1994), me të vetmin
ndryshim se melankolia për atdheun sikur e ka ndryshuar baraspeshën. Tashti
kundrimi i fenomeneve bëhet nga larg dhe është bërë obsesion i tij krijues,
duke e bërë poezinë më meditative, më të përjetuar dhe shumë më të dhembshme,
ngase edhe ato nota lirizmi edhe ato fije gëzimi sikur i këputen nga një jetë e
të qenit larg atdheut, larg realitetit për të cilin ai jeton dhe krijon.: “Vjen
një kujtim e ma ledhaton ballin/ Miqtë e mi vijnë dhe ulen rreth sofrës sime/
Me baladat e përgjumura...”, ...”, faqe 11.
METAFORA
DHE SIMBOLIKA E MËRGIMIT:
Mërgimi,
ky fat a fatalitet nuk është vetëm i Arif Molliqit si poet dhe krijues, këtë
fat e kanë pas dhe e kanë përjetuar me mijëra e mijëra poet të rruzullit
tokësor, madje as për poezinë shqipe nuk shënon ndonjë risi. Por, mund të
konstatojmë se motivi i mërgimit te poezia e Arif Molliqit sikur lëshon një
mallkim për “Tokën Arbërore” që nuk pat vend të mjaftueshëm për të gjithë
poetët të cilët më mirë se kushdo tjetër e deshën dhe u dogjën për atdheun e
tyre, prandaj ata më mirë se kushdo tjetër mbollën dashurinë dhe kultivuan
kulturën e dashurisë për atdheun, për të cilin vazhdimisht gjakojnë dhe
krijojnë. Këtë gjendje shpirtërore të tij më së miri e shpjegojnë këto dy
vargje: : “Këtu askush nuk më njeh/ Përveç atyre që jetojnë si unë”, ”, faqe
12.
Vëllimi poetik “NJË HIJE BËNTE RRUGË” ” ,
sikur i materializon dhe i sforcon këto bindje se: “Mbi moshën e tij (time)/
Durimi ka ngarkuar barrë të rëndë”, faqe 10. Padyshim, kjo vlerë meditative dhe
ky sublimin i gjithë kësaj dendësie ka prodhuar poezinë më të avancuar në
aspektin artistik. Në një rast tjetër ja se si shprehet ai: : “Nëpër qytet
lakuriq janë zhveshur rrugët”, e të njëjtën poezi e mbyll me vargjet: “...pas
muri/ Që kurrë nuk e kisha parë/ Nga etja për ta prekur piva vesën e syrit tim/
Pa lot ç´kuptim do të kishte lutja”, ”, faqe 11.
Poeti merret shtruar me temën e mërgimit të
cilën nuk e kundron përciptazi, ai është futur thellë në thelbin e çështjes
duke na sjell një motiv e qasje të re të cilën nuk e hasim kaq artistikisht në
librat paraprak. Prandaj kjo na gëzon dhe na shtynë për të besuar se autori
poezinë e ka pasion ku i jep jetë, ashtu sikurse jeta e tij që i shërben artit
dhe poezisë.
ZBRAZTËSIRË
Nëpër
rrugët e Hamburgut
Kërkoj degë lisi
Ti
var fjalët e turbullta
Që ecin bashkë me mua
Kërkoj
ti var kujtimet
E mëngjeseve të lodhura
Shikimet
nga udhë e sosur
Që humb nëpër ëndrra
Ca
rrudha nga balli
Çdo ditë i kruaj
Dhembjen
e tyre e bartë me vete
(Faqe
29)
MËRGIMI
DHE SIMBOLIKA E VENDLINDJES:
Për
jetën e të qenit poet i mërguar, larg atdheut, larg të dashurve dhe larg
realitetit për të cilin jeton dhe krijon, Arif Molliqi, e ka konkretizuar në
një sërë poezish të këtij libri. Temë kjo që nuk i shqitet nga vrojtimi, nga
përjetimi dhe nga preokupimi artistik. Edhe në këtë përmbledhje poeti ka dhënë
maksimumin e ndijimeve dhe krijimeve që për temë bosht kanë metaforën e e
mërgimit, mallit dhe të dashurisë për atdheun. Këto tri elemente sikur janë
bërë bosht i temës së trajtuar në bllokun e poezive që për temë kanë mërgimin.
Sikur këto motive e ndjekin si hije autorin, sikur këto motive ia nxinë jetën,
ia shtuan dhembjen ia rritën mallin për Kosovën e tij të dashur, për gurët e
varret, për Llukën e Epërme, për Rrafshin e Dukagjinit, për freskinë e
Gjeravicen që nuk i shqitet nga mendja, apo për krenarin e pa fundme të Alpeve
Shqiptare të cilat poezisë së këtij autori sikur i kanë dhënë një ylberim
artistik me shumë ngjyra, një portret artistik mjaft i realizuar në të cilin
metafora artistike e kurbetimit i ka marrë nuancat e një krijimi artistik,
kurse autorin e ka renditur në listën e poetëve që me përkushtim iu ka qasur
edhe këtij motivi.
“Në
një natë të ftohtë
U ngroha me fjalën
Në
një natë plotë zagushinë
U freskova nga kujtimet
Dashuri
thuaje
Në këtë stinë fërmake
Cilën ta zgjedh
Hijen e Blirit te Ura e Haxhive
A syrin e vashës te Liqenet e Gjeravices
(Poezia:
“DILEMA”, f.51)
KONTEKSTI
LETRAR NË NJË METAFORË POETIKE:
Arif
Molliqi, ku më pak e ku më shumë ka dhënë prova të qëndrueshme se është poet
dhe se poezinë e ka përkushtim. Ai di të merret me temat e përditshmërisë, duke
i zgjeruar dijet dhe mundësitë me tema të tjera shoqërore e politike të cilat
janë aktuale për një shoqëri në ndërtim e sipër, e cila ka synim identitetit e
vet shtetformues siç është rasti me Kosovën dhe qytetarët e saj se: “Njeriu
lind gënjeshtar/ Apo mësohet nga njeriu te gënjen”, ose “Kur marrëzitë e zhveshin
shkëlqimin/ Njerëzit e humbin rrugën e vet”, faqe 16.
Deri sa në librat e hershëm të këtij autori
hasnim aty këtu thumbimin dhe pickimin satirik, sikur me qëllim në këtë
përmbledhje poetike autori iu ka shmangur pothuajse tërësisht këtij fenomeni
duke dhënë prova të besueshme se ka qëndrim më të arsyeshëm, më të kuptueshëm
dhe shumë më të besueshëm, gjë që është për t’u gëzuar dhe që duhet lavdëruar
gjithsesi aftësinë e tij krijuese.
Arif Molliqi, kujdesshëm e ka sintetizuar
mendimin, ka një depërtim të thellë në brendësinë ideore të fjalës së shprehur
artistike duke bërë përpjekje maksimale për ta thënë atë sa më bukur, sa më
arsyeshëm, prandaj vargu i tij është edhe racional: : “Fali o Zot mesjetaret/
Sa herë kthehen me guri n´krah/ I matin mezhdat e huaja/ Zoti ua ka falur
tokën/ atyre që jetojnë aty”,
faqe
42.
Vlerat e librit maten edhe më vokabularin
shprehës, bagazh ky i ngarkuar me shprehje të traditës dukagjinase duke
hiperbolizuar mendimin artistik me doket dhe zakonet e trevës që i takon, si
mjeti më i mirë dhe më i sigurt për t’u kushtuar vëmendje të veçantë mjeteve
shprehëse, kulturës shprehëse që duken si një qasje origjinale dhe e
mirëfilltë. Arif Molliqi edhe në këtë libër, (bile më me ngulm), është
përpjekur për të dhënë një figuracion të bollshëm dhe mjaftë të pasur, dhe me
një gjuhë sa të rrjedhshme, po aq të kuptueshme e ka spikatur muzikalitetin e
vargut dhe të fjalës artistike. Këto njohje dhe dije janë rezultat i punës dhe
përkushtimit ndaj poezisë ose më saktë nga shoshitja e vlerave të traditës
popullore, të gjuhës dhe kulturës, të njohjeve të historisë dhe mitologjisë të
cilat duke i gërshetuar edhe me njohjet në fushën e poezisë, poezia ka marrë
një ylberim specifik që e bëjnë më të dalluar, tipar ky i poezisë së sotme shqipe
që krijohet jo vetëm në mërgim. “Nga Univers i kaltër/ Le të shpërthejë qielli/
.../ Mbi kokën lë të bjerë/ Le të bjerë borë e bardhë/ .../ E në kopshtin tim/
Le të mbijë dashuria/ Që i solla nga fushat e Dukagjinit...”, faqe 45.
KONCEPTI
DHE IDIOMAT E NËNTEKSTIT:
Arif
Molliqi, si poet ka krijuar konceptin artistik të poezisë që krijon. Ai në një
sërë ciklesh ka bërë përparim të thuktë në përkufizimin e mendimit dhe të
formulimit artistik. Ngjyrimi dhe portretizimi i protagonistëve sikur ka qëllim
të të fut në brendësin e temës dhe mendimit, duke përshkruar momente
kuptimplota në njërën anë, kurse në anën tjetër ka atakuar mendimin negativ dhe
veprimin e shëmtuar që mund ta bëjë njeriu (a pushtuesi?!): “Në grykë të
Deçanit/ Kanë mbetur dhëmbët e ujkut/ .../ Guri i Nuses pikturon Gjeravicën/
.../ Lumenjtë e Kosovës u rriten/ Vrasësit i morën më vete/ .../ Dilni n´derë
të Kullës le të na shohin/ Oxhaqet tona po tymojnë”, faqe 38.
Gjithsesi Arif Molliqi e din pse shkruan dhe e
din qëllimin e misionit poetik. Ai, gjithkund e gjithkah ka përshkruar momente
të caktuara me finesa të stërholluara duke e detajuar qëllimin e krijimit si
një idiomë artistik për fjalën e shkruar poetike.
SIMBOLIKA
DHE MOTIVI I VENDLINDJES NË POEZI:
Simbolikën
me motive të vendlindjes e hasim qysh në poezinë kredo të këtij libri e cila
sikur ka për qëllim të na përball me elementin e atdhedashurisë dhe të
simbolikës së vendlindjes. Kjo poezi, jo vetëm që është ndër poezitë më të
realizuara, por mendoj se ky shënim do të mbetej i mangët po sikur të mos e
theksonim këtë simbolikë e cila te poezia e Arif Molliqit ka marrë konotacione
të një legjende e cila tregohet e ritregohet në secilën kohë dhe në secilën
stinë duke nga kthyer e rikthyer në kohëra e lëvizje që për dijen e poetit janë
bërë simbolikë e veçantë, të cilës ai i rikthehet në secilin libër që shkruan:
PËRSËRITJE
NGA LIBRI I AMZËS
Në
Llukë të Epërm
Shtëpia tek më ngrohet nga zjarri
Brenda
kam harruar
Të gjitha librat
Harruakam
një mollë
Dhe një ftua
(Faqe
5)
Simbolika
e vendlindjes te poezia e Arif Molliqit ka një tëbanë ideoemocional specifik
duke u bërë tipar kryesor i poezisë së tij në përgjithësi e veçmas në këtë
vëllim poetik ka shënuar një përparim ku disa simbolika ia vlen për t’i
theksuar ngase poeti më shumë është shqetësuar për “Një mollë/ Dhe një ftua” që
i ka harruar në shtëpinë që ngrohej nga zjarri, se sa për librat e radhitur në
bibliotekën personale të lëna prej kohës në shtëpinë e tij në Llukë të Epërme.
Ndonëse poeti nuk e saktëson se për çfarë
“ngrohje” të shtëpisë bëhet fjalë, (pasi ajo mund të kuptohet nga nënteksti),
por ai shqetësohet se ka harruar “një mollë dhe një ftua” dhe mallin e hallin e
ka se bashkë me librat iu ka djegur edhe libri i amzës ku mund të gjendshin
shënimet përkatëse edhe për poetin e shqetësuar kaq shumë.
Elemente të tjera që shprehin në njëfarë
mënyre simbolikën në poezinë e Arif Molliqit janë: Molla, ftoni, kulla,
oxhaqet, kopshti te mani, lisi, lisi plak, lumi, ura, guri, guri i shpuem,
hëna, Lugu i Dollajve, Ura e Haxhive, Rrasa e Zogut etj. Në një bllok tjetër
janë marrë figura nga mitologjia po më shumë nga legjendat shqiptare ta zëmë:
Heketa, Doruntina, Bardh Bregu, Gjergj Elez Alia etj. Kështu poeti ka ndërtuar
simbolikën e vet krijuese të cilën e pasuron edhe me elemente të tjera nga
topografia apo vendbanimet që janë pjesë e tij siç janë: Lluka e Epërme, Verrat
e Llukës, Gjeravica, Liqenet e Gjeravices, Lumenjtë e Kosovës, Dukagjini,
Fushat e Dukagjinit, Drini, Drini i Bardhë, Drini i Zi, Dy Drinat, Alpet
Shqiptare, Kalaja e Ulqinit, Kukësi, Adriatiku, Çamëria dhe një varg tjetër
duke krijuar një hartë gjeografike të tërësisë Arbërore në njërën anë dhe në
anën tjetër për të vërtetuar se si poet kudo që ai të jetë, pashmangshëm është
i lidhur me tokën dhe atdheun që e bëri poet.
SIMPLIFIKIMI METAFORIK I
TEKSTIT POETIK:
Thjeshtësia (lat.
simplicitas), e kësaj poezie është tendenca dhe përpjekja e vazhdueshme që
poeti i ka bërë poezisë së tij që ajo (pra poezia), të jetë sa më e lidhur me
motivin e vendlindjes. Këto poezi mund të llogariten ndër poezitë më të
realizuara e më të përjetuara. Por, tablotë e poezive që kanë përshkruar jetën
e të qenit poet i mërguar sikur janë më brengosëse, më shqetësuese, më të tejdukshme,
ku halli i vetëm i autorit duket se mbetet një kthim atje ku ka nisur kurbetimi
fizik i tij.
Poezia e këtij autori për asgjë nuk dallon dhe
as nuk ndryshon nga niveli dhe pikëpamja e asaj poezi që krijohet sot në Kosovë
dhe mbarë hapësirën shqiptare. Shqetësimet dhe preokupimet më shumë mbeten tema
e motive për të gjetur mendimin dhe metaforën e krijimit, se sa temë a
preokupim për të përshkruar një realitet, një fatkeqësi që paska ndodhur në
çastin e mërgimit fizik dhe praktik të autorit. Por, mënyra e qasjes dhe ai
muzikaliteti i poezisë sikur ia shtojnë melankolinë këtij libri me vlera më të
pranueshme dhe më të realizueshme, ndërsa harmonia e metaforës së mërgimit me
atë të vendlindjes e sforcon motivin dhe përpjekjen për të dhënë maksimumin e
vlerës së krijimit, gjë që ka dal edhe poezia nga përmasat e kontestit
artistik.
Përmbledhja poetike “NJË HIJE BËNTE RRUGË”,
është e pasuruar me figuracion artistik, madje sa origjinal po aq funksional.
Nëpër mjaftë vargje shohim një detajim, një personifikim deri në imtësi të
vetvetes dhe brendësisë së tij krijuese, duke e bërë krijimin më të pranueshëm
më personifikues dhe më përjetues, ngase krijimi niset nga vetvetja, nga
përjetimi i ndijimeve dhe krijimeve të shumta që ka dal si një poezi e përjetuar
deri në instancat e fundit të personifikimit real të asaj që e krijon nga
përjetimi real e faktik, por që me mjeshtri i ka dhënë atë vlerën artistike për
t’u pranuar e dëshiruar edhe nga të tjerët si një krijim i mirë dhe i realizuar
në kuptimin më pozitiv të kësaj shprehjeje letrare.
Gjetjet poetike për Arif Molliqin janë vetëm
nuanca, a më mirë të themi vetëm substanca krijimi për të ndërtuar pastaj idenë
e për të realizuar qëllimin ku ka sintetizuar me mjaftë mjeshtri idenë mbi
metaforën si një sintezë poetike. “Në këtë kohë s´është turp/ T´ia bëni
vetvetes një minutë heshtje”, ”, faqe 60, ose “Te degë e kumbullës një bilbil
këndon këngë dashurie/ Zëri i shkon gjer te pishat shtatgjata, te majat e
malit”, faqe 63.
Përplot motive lirike, përplot shprehje
artistike dhe përplot realizime fisnike do të gjen lexuesi nëpër vargjet e
këtij libri ku kanë breshëruar poezitë që për temë kanë motivin e mërgimit dhe
shumë e shumë të tjera që për temë kanë vendlindjen dhe jetën përplot gjallëri
në Rrafshin e Dukagjinit, në Llukë të Epërme, a gjithkund në hapësirën
shqipfolëse. Por metafora e “një hije që bënë rrugë” del si njeri nga vargjet
më të shqetësuara që shprehë drithërima reale ku ka dhënë një stad të ri të
preokupimit dhe të shqetësimit autorial gjë që e kanë bërë më të prekshme dhe
shumë më frymëzuese poezinë e këtij vëllimi artistik. Shqetësimet janë pjesë e
jetës të cilat ai i ka pranuar si realitet dhe me to ai sikur merret më shumë
për të ndërtuar poezinë se sa thjesht si një nuancim a përjetim personal.
Gjithsesi ai ka bërë mirë që është marrë kaq shumë me shqetësimin e tij
personal si poet, i cili kaq shumë shqetësohet për fundin e pafundmë të këtij
udhëtimi letrar, që kaq shumë shqetësohet për të tashmen shqiptare dhe për të
ardhmen me perspektivë dhe përplot shpresë, emocione këto të cilat ku më shumë
e ku më pak shfaqen nëpër cikle, nëpër poezi të caktuara, nëpër strofa a vargje
të shumta të cilat vetëm e kanë freskuar poezinë, ia kanë rritë vlerën dhe ia
kanë shtuar atë dinamizmin e zakonshëm në këtë epokë përplot tendenca e
përpjekje për të zhvendosur identitetin në një koncept global, kurse njeriu i
sotëm “nuk duhet më?!” ta identifikon vetën me atë që është, por duhet të bëhet
një qenie e robotizuar në shërbim dhe interes të një pale të caktuar.
PARA SE TË THEMI “EPILOGU I
VLERES POETIKE”:
Arif Molliqi edhe me këtë
përmbledhje poetike ka dëshmuar vetën se është nga poetët e rrallë që ka
ruajtur lidhjet shpirtërore dhe të pandashme me vendlindjen, me atdheun dhe me
Kosovën përgjithësisht. Kjo thellësi shpirtërore, kjo ndjesi artistike lidhet
edhe me temat dhe motivet me të cilat ai merret vazhdimisht, pastaj me mjetet
artistike dhe me atë ylberimin e ngjyrave të vendlindjes i ka dhënë aromë,
shije e përjetim më fisnik poezisë që ka krijuar, pastaj i ka dhënë formë
brendësisë së saj si një tipar i rregullt që duket sikur të ishte një ujëvarë e
kreshpëruar, që ka buruar atje në rrënjët e jetës dhe që ka vazhduar e
kthjellët si kristalet e vendlindjes edhe në mërgimin e tij në Hamburg të
Gjermanisë, vlera këto të pasqyruara me mjaftë mjeshtri brenda vëllimit “NJË
HIJE BËNTE RRUGË”.
EPILOGU I VLERES POETIKE:
Arif Molliqi ka ditur të manipuloj me shprehje
artistike sa që me tema të përditshmërisë ka arritur të krijoj veprën poetike e
cila ka një shije e timbër të pëlqyer. E gjithë kjo është realizuar pasi autori
ka gërshetuar përvojën jetësore me figuracionin artistik duke vazhduar
sendërtimin e mendimit dhe krijimit që barten nga libri në libër, ku me mjaftë
sukses ka kristalizuar qëllimin e veprimit si një mendim i përkufizuar poetik
me vlera të qëndrueshme artistike.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen