Montag, 14. Januar 2019

Dashuri e përjetshme dhe dilemat molliqiane


Nga: Albin Mehmeti

(Për librin me poezi “Si kripën të kam dashtë” të autorit Molliqit)

         Arif Molliqi, i cili në indeksin e letërsisë shqipe ka regjistruar vepra me poezi, me prozë, me dramë, me monografi, këtë vit bibliografisë së vet i rendit edhe një libër poetik, me titull “Si kripën të kam dashtë”, botuar nga shtëpisë botuese “Armagedoni”. Molliqi nëpërmjet kësaj vepre na sjell krijimtarinë e vet poetike të shkruar në dhjetë vjetët e fundit. Përmes lirikave të pastra do të na shfaqen si në tablo gëzimet e vuajtjet, dashuritë dhe hidhërimet e autorit që shpeshherë bëhen edhe vuajtje, gëzime dhe hidhërime kolektive, kombëtare dhe mbarënjerëzore.
         Autori e nis veprën me poezinë “Kronikë e një fotografie”, poezi që nuk bën pjesë në asnjë prej pesë kapitujve sa ka libri. Në këtë poezi autori gjendet mes dy kohëve, të kaluarës, e cila ka mbetur vetëm si një kujtim në fotografinë e vjetër dhe të tashmes, pleqërinë e së cilës e portretizon përmes borës së bardhë mbi kokë, që nuk shkrihet në asnjë stinë.


Jetë mërgimtari 

         Në poezitë e Molliqit kemi të pasqyruar gjithë ndjenjën e brendshme të tij. Fati i jetës e detyroi atë të migrojë larg vendlindjes, larg Llukës që e përshkruan me dashuri. Vendlindja, në poezitë e tij, gjendet mes dy ndjenjave, mes dashurisë që ndjen për çdo gjë që lidhet me të, madje edhe për erën e luleve. Në anën tjetër kemi dimensionin e vuajtjes për tokën e harruar, për portat që s’ka kush t’i trokasë dhe për oxhaqet e braktisura.  Më tej, Molliqi sikur shfryen gjithë mllefin edhe ndaj Evropës. Përmes vargjeve të tij, ai na jep një Evropë tjetër nga ajo që proklamohet çdo ditë. Shohim një Evropë që nuk është strehë mikpritëse. Në ciklin “Fshati me një refugjat” shohim përshkrimin më të mirë se si fyhet dhe paragjykohet i huaji në një fshat evropian, se si neglizhohet nga shoqëria, ku jepet më së miri përmes vargjeve: “Kërkimet e mia sterile; drejt një porte të mbyllur”.
         Fatkeqësia e mërgimtarit nuk mbaron me kaq. Pa dyshim se është e rëndë të vritesh e të harrohesh nga i huaji. Kjo mbase e ka një derë, do të thoshte populli. Por, mërgimtari shqiptar fillon të ndihet i huaj edhe në vendin e tij të lindjes. Në poezinë “Promenadë verore apo limonadë kulturore”, Molliqi përshkruan një fenomen që nuk duhej as të paramendohej e lëre më të ndodhte, neglizhenca e autorëve mërgimtarë në vendlindje, ku librat e tyre, lëre që nuk i gjen nëpër biblioteka, por harrohen edhe nga kolegët e tyre të penës.


Dhimbja

         Ajo që i shquan poezitë e Arif Molliqit është dhimbja, që na derivon në disa variante, si dhimbje personale, ajo që lidhet me kurbetin, të cilën e hasim në një pjesë të madhe të poezive, si: dhimbje familjare për vëllanë, Sadikun dhe motrën në poezitë “loja e dhimbjes” dhe “motërmadhes”, në të cilat poeti shkrinë gjithë mallin dhe dhimbjen që ka për humbjen e më të dashurve; si dhimbje kombëtare për tragjeditë që iu ndodhën shqiptarëve ndër shekuj, për Çamërinë e harruar të Bilal Xhaferit, për Shkupin në të cilin “… dy mijë vjet më parë pas erdhi djalli; me zhurmë, vrasje e dehje gjaku; e zeza u shfaq mbi qeleshen e bardhë[1]”, për kufijtë që “…për hatër të lëvizjes së lirë; e hëngrëm bjeshkën tonë[2]”; dhe si dhimbje njerëzore tejkombëtare, racore dhe fetare për luftërat e gjakderdhjet gjithandej ku dhimbje e tillë portretizohet në poezinë “Aleppo”, ku autori si sinonim i gjithë njerëzimit, i dëshpëruar dhe i prekur thellë nga skenat makabre, thotë: “O Zot, ç’kuptim ka frymëmarrja ime kur s’i ndihmon askujt”. Kjo dhimbje është edhe më e madhe kur ekzistojnë njerëz që, sipas Molliqit, luftën e shohin vetëm si llogaritje e si shifër dhe jo si dhimbje e terror.


Njeriu, kriminel i shumëfishtë

         Që nga poezia e parë e deri tek e fundit Arif Molliqi godet fenomene dhe dukuri, të cilat dita-ditës shkatërrojnë botën. Pena e mprehtë e tij godet njeriun si fajtorin që solli gjithë të këqijat. Për Molliqin njeriu është kriminel i shumëfishtë. Njeriu i sotshëm, duke u thirrur në metanarracione, ku spikat patriotizmi i rrem, vret dhe mashtron atdheun dhe bashkëvendësit e vet. Në poezinë “Ishte vonë për të thënë diçka”, goditen fuqishëm matrapazët që me ironi i quan tregtarë të flamujve, të cilët çështjen  e shohin si biznes dhe si trampolinë për të arritur famë.
         Sot njeriu nuk vret vetëm njeriun, por vret çdo gjë që i del para, madje nuk kursen as natyrën. Në poezinë “Vrasja dhe vdekja e Lumëbardhit” përmes një dhimbje të madhe, Molliqi fajëson “katërkëmbëshit (që) flasin dhe veprojnë”, të cilët ia gatitën vdekjen dhe ia hapën varrin Lumëbardhit.


Dilema molliqiane

         Në poezinë “Dilemë jete”, Molliqi ka një dilemë të madhe para vetes, se si të veprojë: të qëndrojë në ishullin që po e braktisin apo të shkojë në pyllin me kope ujqërve. Përmes kësaj metafore shprehet gjendja e amullt e një të riu kosovar që gjendet para një dileme të madhe, të qëndrojë në vendlindjen që po braktiset dita-ditës apo të ikë drejt Evropës të cilën e përshkruan si vend ku njeriu dëshiron ta hajë njeriun. Molliqi nuk jep sugjestion se cila është zgjidhja. Na lë neve të zgjedhim mes ishullit me tym e mjegull apo vendeve me labirinte të panjohura.


Dashuria e përjetshme

         Vetë titulli i veprës “Si kripën të kam dashtë” na lë të nënkuptojmë se kemi të bëjmë me poezi erotike. Duke njohur zotësinë e Molliqit, nuk është për t’u habitur nëse shohim që edhe konceptin e dashurisë ta konceptojë. Në poezinë “Letra e humbur” do të shohim se dashuria për autorin nuk mbaron me vdekjen, madje ajo vetëm përforcohet. Dashuria në këtë poezi, por edhe në poezi të tjera të tij, është dashuri e përjetshme, që s’ka fund.
         Përmes veprës “Si kripën të kam dashtë”, Arif Molliqi dëshmoi gjenialitetin prej shkrimtari. Ai u bë zëri i të gjithë neve që dëshirojmë një botë më të mirë, një botë me dashuri.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen