Poezi nga libri i pestë: “Pelegrinazh i ftohtë në qytetin D”
KOHË E FJETUR
1. ( Koha ime desh më turpëroi )
Në Kullën trekatëshe
Nga frëngji e kthyer prej bote
Nuses së lyer me të kuq
I shkrepi syri
Përsëri Koha ime
Desh më turpëroi
Në vend të viteve
Fjalën e ç´puar
të mbetur pa emër
Inxhi rreth qafe
2. ( S´di pse më dhemb fjala?)
E trashëgova nga guri
Të mos rrokullisem
As të dielave
Është kjo ditë
Kur rrokën shtatash
Kohët kryeneç
S´di pse dhemb
Më shumë fjala se trupi
E më ndjekin pas të dyja
Më shurdhon një fjalë
Që më rri gjithë kohën mbi kokë
As emrin nuk ia mësova
Gati u çmendëm
duke ia mësuar gjuhën Ujkut
natën e dasmës
3. ( Duvak për nusen )
htat lëshoi nusja
Ditën e diele
Në orë dymbëdhjetë të natës
Në luftën e gozhduar për trupi
Vetëm shtëpia heshti
Kur u çmendën krushqit
Nga zhurmë e lodrave
Të akorduara me bisht qeni
Asnjëherë nuk kam parë
Njerëz duke ikur nga shtëpia
E dyert t`i harrojnë të hapura
N´pikë të natës
Mall e kam
Ti dëgjoi dajrexhinjtë
kur shqip këndojnë të dielave
E qyqet i gjuajnë në shenjë
KOHË E FJETUR
Nëse tre vetë
Të pështynë në derë të oborrit
koha të merr me vete
Nëpër plasa të fjetura
T´i vejnë disa shenja
e të përzihen kohët
Nga ora e ligë
Të kullon fjala
nuk i beson
as dhembjes së lindjes
KUR BIJNË GJETHET
Në kasollen e kurbetit
ëndrrat lehin pas meje
S´kam çka u jap
vargje të mërzitura
kujtime shkrum e hi
Bien gjethet e blirit
te Ura e Haxhive
dhjetë herë
deri sa t´i pikturoj
derisa gjethet mugullojnë e bien
malli tjetër më merr
UDHËTIMI ME TETOVARIN
Kthehemi në shtëpi
nga Hamburgu
më fjalën shqipe ecim
Në Glloboqicë
i masim plisat e bardhë
njësoj
Atë ditë e sot
shqip flasim
e shqip na rri fjala
PËRTEJ URËS SE ELBËS
1. ( kohë e përsëritur)
Në stacionin e vjetër
shëtisin kohët më shira
mishi e ashti im therin
Ora nuk është ndalur
as ëndrra e ligë
s´di të sosur
Dikush pyeti nga shkon rruga
përtej Urës së Elbes
deri te Drini e Buna
Ereniku e Shkumbini a takohen kund?
Veç atje ku plagët lidhen
Me mishin tim
gjakun e Çamërisë
e ashtin e Ilirisë
2. ( kur pi kafe me ilirët )
U nisa me mërgimtarë
andej nga nuk shihet dielli
prej Teatrit të Operës e Teatrit Fantom
andej ku njerëzve u ndalohet të ecin
më shumë se tridhjetë kilometra në orë
nëpër ato rrugë të ftohta
ku digjej Hamburgu natën
ku sytë e zgurdulluar
pështyjnë erën e parfumeve...
( A ka harrua kush
t´i bie daulles llukjançe
e fyellin ta mbaroj nga ashti
në koka tullace të thinjura
ta vizatoj vendlindjen)
... Përtej Urës së Elbës
të Verrat e Llukës
piva kafe me ilirët
3. ( në teh të kohës )
Kur po i dëgjoja këngët
të Ura e Elbës
nëpër tehun e kohës
e mësova melodinë e kurbetit
desha t´i shënoj fjalët
m´u mbyll dera e kujtimeve
Plisi i bardhë mbështjellë në gji
plagët e përthara m´i shëroi
lëkurën e ruajta për Atdheun
PELEGRINAZH TE PISHAT E DEÇANIT
1. ( kthimi nëpër kujtime)
Bie borë te Pishat e Deçanit
unë mbështjelli trishtimin tim të rëndë
me duart e mërdhita
Diçka më ngrohë në këtë kohën e ftohtë
Te Guri i Nusës
në një kasolle të zbetë
të dashuruarit e qëndisin duvakun
Çatitë e nxira pikojnë lëngë bore
2. ( shamitë e vajzave )
Te Pishat e Deçanit
vajzat gërshetat i dredhin
kreshnikëve në cikol mali
t´ua mbarojnë shokat
Te Guri i Nuses
rrugëtimet e gjata janë ndalur
Bistrica nuk ngutet
i dëgjon vajzat
që këndojnë pa instrument
me ia oia, ia oia...
Ai që qanë, jam unë
3. ( trokëllimë)
Hapi dritaren e Grykës
nga trokëllimë e Koshares
plakën udhët e vdekjes
Eh, n´Rrasë të Zogut erë e lehtë fryen
Kur rrufet vizatojnë harta
ujku i trembet kobit të vet
Unë qaj...
edhe këndoj nga gëzimi
LIRIKË PËR LIQENET E BUTË TË
GJERAVICËS DHE KTHIMIN NË KULLË
1.
Portë e qiellit e rënda Zonjë Gjeravicë
Numëron Kullat e rralluara të Dukagjinit
Nuk e mban mend të ketë pa gjithë jetën aq gjymtyrë
Shpërndarë nëpër zemra të kafshuara në tehe të boshatisura
Me mjerimin shekullor që kafshohen kohët me ata që lanë shtëpitë vetëm
2.
Dy Liqenet ata sytë e bukur të Perëndie zbresin poshtë në fushë e
i mbledhin këngët e fëmijëve të zdeshur që më vajin përzihen meloditë
E nga lulëgjake kurora u bëjnë britmave të varreve
që të vdekurit mos të ligështohen
Pa qefin
Pa sargofak
Qentë nisen nëpër rrugën e rëndë të shtruar me krime
të kthehen tek gjurmët e vjetra një mijë vjet
Era ua fshinë fërkemet e fëlliqur nëpër ikjet e tyre
3.
Ah, në natën e përgjumshme tinëzisht nisen rrëfimet
Para sysh shoh diçka që kurrë s´e kam parë
kur tokë e plagosur i shpalos fshehtësitë e fjalës
Ajo më shikon e një freski ma lehtëson shpirtin
Zemra me iku në damarin e këtij vargu ku as në mes-natën e vetmuar
nuk i mbylli sytë nga udhëtimi i vonuar.
Unë s´do ta njihja veten të nesërmen e ngarkuar me kujtime
Sikur mali me kokë të zbardhur të mos ma dëftonte udhën
Ma sjell jetën e dyfishuar në qytetin buzë lumi
kur mbetem pas njerëzve të humbur e fëmijëve që kthehen
4.
Lodhjet kujtimet shprishën me leshra të thinjura që presin
Kur flladi i Gjeravicës luan më mu e lakmi ia kam lumit të kulluar
Zbres ngadalë nga maja e Gjeravicës duke thur ëndrrën shqip
Nëpër tokën që kanë dalë lulëkuqet pelini shtari zbres
deri në Roshkodol, në Zall të Rupës në Llugë Mark Gegës
Një natë do të pushoj në Belle me ata që dijnë çka është liria
Pushka njëqind vjet në Çeli nuk më tremb
N´Llukë do t´i mbledh kuvendarët edhe Binak Alia do të vijë
Darkën në Kullë të Ali Bajramit do ta hamë me bukë e kripë e zemër
Mish peshku nga liqeni i Radoniqit do t´na sjellin luftëtarët
E kapuças do të luajmë në Dushkajë pas mesnate.
5.
Ja tani marr frymë te Guri i Shpumë
shoh Teutën që shëron shenjat këndej e andej Bjeshkëve të Nemura
që ia gris perdet e kohës se palarë
Dukagjini të mos mbetet lulëqeni
Në vend të korbave të fluturojnë shqiponjat
O zot, a do të dimë ti duam Ata sy të butë të Gjeravicës
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen