- (“Premia e një pranvere”, poezi me autor Arif Molliqi, botoi “Rilindja” Prishtinë, 2000)
Në përmbledhjen më të re “Premiera e një pranvere”,
autori Arif Molliqi, nga shqetësimet e brendshme ka transhenduar një sintezë
sublime të ekzistencës dhe të gjendjeve e të dukurive në shtrirjen e tyre
mitiko-historike në prag të riciklimit në kohën aktuale në formë të
përjetimeve, të providencave e të zbulesave të ndeshtrashave, të anktheve, të
nostalgjisë, të dhembjes dhe synimeve jetike e të gjakimeve të rastit.
Struktura përmbajtjesore, e cila radhitet në katër ciklet
me titujt metaforiko-simbolik Në fund
kopshti, Natë në Bllacë, Lindim dhe
vdesim për ty dhe Gjithçka prej fillimit,
mbizotërohet nga dy komponentë, që formësojnë një poetikë
lucide-kontrastet me të cilat vihen në spikamë format e jetë së amshueshme dhe
si antinomi të tyre çastet efemere si
përjetime subjektive të ballafaquara me frymëzim ekzistues si dimensione
dikotomike të qenësisë me kuptime, mesazhe e vizione të qarta të supremacionit
të saj që është madhështore e fisnike ndaj jetës me instinkte, me inercion dhe
nën trysninë e shtresëzimeve negative të vetëdijes.
Esenca komplekse si
shumësi kuptimore
Nga ky kontekst, këto krijime ngërthejnë më vete veçori
të poetikës lirike, epiko-lirike, dramatike dhe refleksive të një
versifikacioni stabil, që gërshetohet përmes thyerjes metrike dhe sintaktike të
njësive dhe të tërësisë të shndërruar me vargun modern.
Në ciklin Në fund
kopshti, elementet e poetikës shprehen përmes gjuhës së mprehtë që
brufullon, në dukje të thjeshtë, por me esencë komplekse si shumësi kuptimore
që buron nga simbolika, paradigmat dhe begatia e tropeve dhe figurave.
Nga këto pikëvështrime poeti jo rrallë në formë të
narracionit epik paralajmëron idenë në mënyrë që me mjeshtri të bëjë
transformimin dhe kalimin në sferën e lirizmit sublim, duke vënë në spikamë
parandjenja ndeshtrashash për ta ngritur zërin e kushtrimit, për të ringjallur
evokime për kohët e liga apo për të shpalosur plagët historike që përtëriten në
kohen aktuale. Dhe, kështu, në një
hallkë kompozicionale të qëndrueshme gërshetohen epikja dhe lirikja në formë të
frymëzimit lucid, ku shpërthen vrulli jetësor në kulmin e mynxyrës, ku vdekja e
individit shndërrohet në negacion të vetvetes për ta mposhtur zhbërjen
kolektive. Në rastet e tjera stigmatizohet fuqishëm pacifizmi i vetëdijes si
shtresëzim negativ dhe paraqitet tragjikja e dhimbja me përmasa kozmike si
pasojë e kataklizmave, e lëvizjeve të përbrendshme antihistorike dhe e
lugatosjeve aktuale, siç shprehet në vargjet eksituese të poezisë Premiera e motit të lig, që paraqet
kulmin trishtimit:
Dreqërit e dehur me helmeta pinë njëri-tjetrin
duke lëpirë qefinët në premierën e motit të lig
Në ciklin e dytë Nata
në Bllacë shprehet dhembja e thellë dhe pafuqia lirike për fatin tragjik të
njeriut të virgjër, nota pesimiste dhe pafuqia për të vepruar në një anë dhe si
kontrapunkt forca rebeluese kundër tradhtive historike për të stigmatizuar
hipokrizinë që rrënon çdo gjë me thekse patetike dhe me skepsë ndaj forcës së
vetëdijes kolektive për t´u ngritur mbi situatën anomale në një kohë të
fashitjes së gjallërisë dhe në këtë kontekst nota e mallit dhe e nostalgjisë që
përvëlon në dhe të huaj.
Depërtimi në
ontologjinë e qenësisë individuale
Në frymën e kontrasteve edhe në poezitë e tjera përkatëse
(Epshi i dashurisë) ngritët me vrull
kundër konfuzionit historik që si recidiv shpërthen në kohën aktuale dhe në
çastin nota e optimizmit kur e sheh dhe e gjen rrugën e mirëqenies së
amshueshme përmes ngadhënjimit të dashurisë ndaj urrejtjes (Gërshetat e dashurisë).
Ciklin e tretë Lindim
dhe vdesim për ty përshkohet nga lindja himnizuese e kushtrimit, dehja nga
vitaliteti dhe forca e shpirtit të pamposhtshëm në ngulmimet për prapësimin e
dhunës, të shtresëzimeve negative krahas rrugës plot gjemba, vështirësi e
nebuloza që shkaktohen nga forca të errëta.
Në disa poezi ndihet nota e thellë elegjiake për vatanin
e tij, dhembja, por edhe krenaria për rrugën përplot martirizim me variacione
të shumta, duke studiuar tragjeditë mitiko-historike, që shpërthejnë me forcën
brutale në kohën aktuale dhe si kontrast rikthimi në temën e dashurisë si formë
e ngadhënjimit të jetës së denjë, të cilën e shpreh përmes lidhjes së
amshueshme në truallin, historinë dhe
shqetësimet me gjendjen aktuale në vlugun e luftës për të mbijetuar (Mbrojtja nga ujqit).
Cikli i fundit Gjithçka
prej fillimit, krahas patetikës dhe notës jo rrallë zhgënjyese për shkak të
tjetërsimeve, zvetënimit të traditës së mirë dhe aty-këtu vegullisë ankthit nga
rreziku i zhbërjes së mundshme, gjithashtu ngërthen vrullin dhe forcën e
kushtrimit për rifillimin e përtëritjes dhe stigmatizon jetën e padenjë. Në
disa nga poezitë që shquhen si margaritarë, gjejmë forma të pasqyrimeve rituale
me të cilat depërtohet në ontologjinë e qenësisë individuale dhe kolektive në
forma të lutjeve rituale metaforike, me të cilat nxitet dhe urohet
ngadhënjimi mbi mynxyrën dhe ngritja mbi
rrëmujat e stuhive, si dhe glorifikohet forca që godet të ligën,
ndërgjegjësimin për mjedisin përreth dhe vetveten, si vizioni i ngritjes mbi
situatat, me të cilin përfundohet cikli me poezinë Fryn era:
Ja si numërojmë
ndryshe nuk dimë
as plisat s´harruam
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen