Donnerstag, 10. Januar 2019

Në udhëkryq pa zhurmë


Poezi nga libri i dytë më poezi; „Në udhëkryq pa zhurmë“


DIALOG ME TIM BIR

Në Evropë,
Ti s´di të luash shah,
Biri im!
Në Ballakn
Damat i ruajnë policët
Oficerët si trofe
Mbretin e ndërrojnë me kuaj

Unë bërtas,
Të vetmen gjë që di.

Ai më thotë:
Ç´rëndësi kanë për ty,
Mbreti, dama dhe kuajt?!...



NË HAMBURG

Në një rrugë të qytetit
Rrinë azilantët kosovarë,
Anës së Lumenjve
Kërkoj banesën e Nolit,
Në shpellë të Dragobisë
Kaloj dimrin kokorosh

Mbrëmje mëngjes
Rrëshqas mbi akullin e lajmeve,
Fund e krye u laga nga premtimet

(Hamburg, 1996)



FËSHFËRIMË FJALËSH

Në Llukë fëshfërit dikush
Prej andej vjen një erë e lehtë...!
Çdo ditë përpiqem t´i mbaj mend:
Rrugët, kullat, blinin aty ku e vrasin vetëtimat
Edhe kuajt me shala n´gjoks i mbaj në mend
Që i trazojnë fëmijët në shkollën e re
Edhe fytyrat e vrenjtura që marrin kosat,
U bien trup e tërthor Dollave e Kojshtileve...

Mbaj n´mend edhe bukën e kuqe kulaç, edhe
Përgjumjen e prushit n´oxhak

Këtu ku jam eci në heshtjen me ca dosje rreth qafe,
Më përplasje udhëtimesh, me sy të vetmuar,
S´di me kë grindem, por këtë s´e harroj.

Atje nga nga vijnë fëshfëritjet e fjalëve. Atje
I shmangen luftës, apo mortajës njësoj,
Atje ëndrrat, porositë e reja, kërkesat
S´janë rebelime, as krime s´janë.



VARRET E KATUNDIT

Hartat për n´kullë
Kërkoj te varri më i afërt,
Ku hyn n´dhe krejt katundi

Nëse e gjen odën e burra
Aty mund ta lexosh fjalën

Aty mund ta thuash betimin
Që ende s´e ke thënë

Mos qaj, as mos pështy
Hartat nëse i gjen të shkrumbuara
I kanë kullotur këto troje për së vdekuri



NË UDHËKRYQ PA ZHURMË


Ndryshon koha
Që i ka mbushur tremijë vjet 
Tremijë vjet moshë kjo

Ndryshon fjala
Fjala që nuk hahet,
Hajt more, çka thue?!

Ndryshon vdekja,
Vdekjet këtu ndryshe i mbulojnë
Krematori i le pa varre,
Në udhëkryq pa zhurmë

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen