Rreth romanit “Shënime nga arkiva e qytetit D” të Arif
Molliqit
Shkrimtari
Arif Molliqi, i cili që disa vite jeton dhe krijon në Hamburg të Gjermanisë,
para lexuesit tanë u paraqit edhe me një vepër letrare dhe mu me romanin e tij
të dytë “Shënime nga arkiva e qytetit D.” Romani paraqet një tablo tejet
interesante dhe të ngjizur të një kohe të caktuar të historisë sonë, e cila ka
pasur shtrirje me dimension paksa të gjerë. Që në fillim autori mundohet që
elemente reale t’i ngritë në rrafshin artistik, por duke pasur kujdes që kjo të
kalohet sa më lehtë dhe pa lënë gjurmë as vërragë që e rëndojnë njërën apo anën
tjetër. Madje të gjitha këto elemente i nënshtron bukur dhe me aftësi prej
krijuesi, sepse koha e trajtuar në roman tash nuk zhvillohet vetëm nëpër një
vijë, por ajo bigëzohet dhe trasohet nëpër kohëra dhe hapësira që ishin
dominante në historinë e banorëve të një treve të caktuar të territorit
shqiptar dhe të gjeografisë së tokave shqiptare. Andaj, që nga titulli i
romanit, lexuesit i vijëzohet asocimi se në roman bëhet fjalë për Manastirin e
Deçanit, i cili shpesh ka luajtur rol dominant në trazirat historike të
popullit të kësaj treve.
Autori Arif Molliqi e nis rrëfimin e romanit “Shënime nga
arkiva e qytetit D.” nga një përshkrim trishtues i kryepersonazhit Altin Lluka,
i cili që nga momenti i këtillë e bart me vete këtë pamje dhe nuk mund të
çlirohet prej saj assesi. Këtij personazhi që është tejet funksional i
bashkohet personazhi i Simonidës, që është shumë i njohur në mitologjinë e
kishës ortodokse, gjegjësisht pansllaviste. Këtë element shkrimtari Molliqi, e
shfrytëzon për t’i paraqitur artistikisht rrënjët e një të keqeje që do të
zinte rrënjë në këto treva dhe e cila ruhej me fanatizëm dhe konspiracion të
madh jo vetëm nga shërbyesit fetarë, por edhe nga pushtetarët e të gjitha
kohërave të kësaj treve. Ngjarja në roman shpesh na duket e gjerë, sepse arkivi
i Manastirit ku takohen Altini dhe Simonida, bëhet vend për dashurinë e tyre,
por edhe tragjedi. Kjo tragjedi tashme merr përmasa shtrirëse, sepse ajo kalon
nëpër disa rrathë kohorë dhe nuk e ka të njëjtën ngjyrë as peshë. Por, ajo ka
qëllim të caktuar sepse vetëm ashtu mund të zbatohet, madje edhe duke i marrë
me vete viktimat e veta. Viktimat janë të bollshme dhe secila prej tyre i kanë
nga disa haraqe për t’i paguar sepse koha e tyre nuk është e njëjtë dhe as që
kalohet lehtë. Duke i fiksuar disa elemente që faktikisht duken se janë të
njohura nga gojëdhënat e kësaj treve për këtë Manastir, shpesh na duken se
nëpër to ecin personazhet e romanit sikurse nëpër mitet që dikush qëllimisht i
ngatërron nëpër hapësira të ndryshme me qëllim të caktuar. Andaj edhe dashuria
e Altinit shqiptar dhe e Simonidës serbe përkon me mitet sepse ajo dashuri
duhet të dështojë, gjegjësisht duhet të sakrifikohet për interesa të caktuara.
Mu si në mitologji që Simonida verbohet për një interes të caktuar, edhe në
rrëfimin romanesk të Arif Molliqit ajo duhet të sakrifikohet, sepse dashurinë e
saj nuk e pranon kodi moral religjioz e as qeveritar e një kohe historike.
Mirëpo, vdekja e saj duhet të jetë aksidentale dhe e kamufluar, sepse vetëm
kështu do të bëj efekte të mëdha dhe domethënëse. Mu këtij synimi ia arrin
shkrimtari Arif Molliqi në romanin e tij “Shënime nga arkiva e qytetit D.”
Shtrirja rrëfimore kalon nëpër disa rrethe që asociojnë
kohëra të kaluara larg në histori dhe që frymojnë e mbesin gjallë pa u zhdukur
deri në ditët e fundit të sundimit të një perandorie që assesi të zhbihej nga
trevat e qytetit D. dhe të territoreve shqiptare. Ndërtimi i konaqeve të
Manastirit gjithmonë sjellte diçka të rëndë, të zymtë madje edhe të kobshme për
banorët e qytetit D. Hija e Manastirit dhe konakeve të tij i shitonte djemtë më
të mirë të kësaj treve duke kurdisur për ta gracka nga më të ndryshmet që shumë
vështirë apo fare nuk shpëtonin nga to. Mirëpo, këta djem edhe pse pësojnë nga
tmerret e errëta, megjithatë mbesin të pavdekshëm jo vetëm në gojëdhënat e
banorëve të qytetit D. por edhe bëheshin gurrë frymëzimi për këngëtarët dhe
rapsodët e tij. Prandaj, siç duket edhe A. Molliqi e shfrytëzon një dëshmi të
tillë dhe e përjetëson artistikisht në roman.
DUKURIA E
FAJËSIMIT DHE FSHEHJA E KRIMIT
Personazhi qendror i romanit Altin Lluka e bartë barrën
kryesore të fajit në roman. Ai është fajtor pse është arkitekt i zoti, pse
është i shkathët, pse nuk pajtohet me atë që ka ndodhur dikur dhe që po ndodh
ende në këtë Manastir, ai është fajtor pse dashurohet ne Simonidën e bukur dhe
skofiare, andaj duhet që të dënohet. Dënimi duhet zbatuar sa më mirë dhe sa më
efektshëm sepse jehona e tij nuk guxon të mos dëgjohet, por edhe duhet të jetë
domethënëse dhe e efektshëm. Dhe ashtu ndodh. Simonida vrahet nga shërbyesit e
fesë dhe të pushtetit për ta fajësuar Altinin, dashurinë e tij ndaj saj dhe
gjithçka që nuk është nën rregullat e shkruara të Manastirit, arkiva e të cilit
ishte dëshmia më e mirë për sundimin dhe çkombtarizimin e banorëve shqiptarë të
trevës së tij dhe të qytetit D. Andaj hulumtimet e paautorizuara të tij nuk
lejohen dhe nuk tolerohen nga dora e fshehtë e shërbyesve të fesë dhe nga
sundimi i hekurt i pushtetit të kohës. Dhe dënimi i Altinit është i
paevitueshëm, është i kurdisur, është i rëndë dhe tepër i vrazhdët. Vetëm
kështu suksesivisht do të përsëritet historia e shërbyesve të Manastirit dhe të
pushteteve të të gjitha kohërave të asaj dinastie të ligë. E kur ngjallën
dinastitë e etura për gjak dhe për hakmarrje tragjedia është e tmerrshme, është
me aromë vdekje, është me pamje kurdisjeje dhe zhdukje. Krimi ngrit kokë, por
nuk paraqitet i lakuriqësuar, sepse sekreti i arkivës së Manastirit të qytetit
D. duhet të ketë goditje të rëndë dhe me peshë e jehonë të madhe.
Dhe të gjitha këtyre ia arrijnë me sukses ata që e
kurdisin dhe e fshehin krimin. Kështu shtohen dosjet e tilla nëpër kohë në
arkivin e qytetit D. Këto dosje duhet t’i mbushin djemtë më të mirë të kësaj
treve sa here që ndërrohen emërtimet dhe toponimet e lashta të kësaj treve.
Vetëm atëherë era e gjakut të pafajshëm duket kundërmuese dhe e rëndë. E krimi
n´trashet e n´trashet derisa mbytet në mëkatin e vet. Këtë do ta përjetojnë
edhe pushtetarët që ndërrohen sa herë që e kryejnë detyrën e caktuar nga
kryesundimtari i tyre. Prandaj edhe Altin Lluka duhet të dënohet për pafajësinë
e vet, për dashurinë që nuk duhej bërë, për atë që hulumtonte nëpër fletët e
arkivave aty ku ishte plaga e freskët që kullonte gjithmonë qelb e fëlliqësirë.
Prandaj, të gjitha mënyrat dhe shfaqjet e paraqitura
artistikisht nga pena e Arif Molliqit në faqet e romanit “Shënime nga arkiva e
qytetit D” duken të trajtuara mirë letrarishte. Vetëm kështu autori ia ka
arritur që ta paraqes një faqe të historisë së rëndë që ruhet në arkivat e
Manastirit të qytetit D.
Në këtë roman ka edhe elemente të tjerë që ia shtojnë
vlerën dhe lexuesi do ta lexojë me kënaqësi dhe interesim. Mënyra e rrëfimit
romanesk duket e lehtë dhe funksionale, e rrjedhshme dhe e latuar edhe
gjuhësisht. Kur kësaj i shtohen edhe disa fakte që janë të ngulitura nëpër
faqet e historisë sonë, ata që ishin pjesëmarrës apo edhe studiues do të gjejnë
gjera shumë interesante.
Faqet e romanit janë të përshkruara edhe me disa rite
popullore të cilat janë shumë të vjetra, por që fatkeqësisht kanë filluar të
zhduken. Edhe në këtë aspekt autori e kryen një obligim tejet të madh dhe të
ndritur. Disa toponime që përdoren në roman duhet të ringjallen jo vetëm në
kujtesën tonë, por ato duhet që të funksionalizohen në këtë kohën tonë, në këtë
epokën tonë që dikur mos të jetë vonë.
Romani i Arif Molliqit
“Shënime nga arkiva e qytetit D.’’ shënon edhe një sukses në prozën e këtij
shkrimtari të frytshëm të letërsisë sonë bashkëkohore.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen