Letërsia shqipe e krijuar në Kosovë paradigmë të saj ka
fatin dhe fatkeqësinë e etnisë, e cila endet si një metaforë përcëlluese nga
poeti në poet, nga vargu në varg, për të dhënë kushtrimin dhe ogurin e një
katrahure të rënd që duhej të shpërthen për të spastruar ndërgjegjen e botës,
së këndejmi edhe të vetë popullit. Kjo paradigmë, sikundër në planin poetik,
ashtu në atë tematik ka predominuar krijimtarinë e gjitha brezave të letërsisë
shqipe që kanë krijuar në Kosovë, por edhe jashtë saj.
Madje,
kësaj teme dhe këtij fati nuk ka mundur t’i shpëtoj asnjë krijues. E proklamuar
si lloj platforme poetike, me sintagmën e famshme të poetit të madh Ali
Podrimja, “Kosova është gjaku im që nuk falet” kjo paradigmë ka krijuar
specifikat e saj dhe ka shënjuar kodin specifik letrar, sikur në planin e
diskurseve, ashtu edhe në rrafshin tematik-semantik. Sidomos kjo tendencë dhe
pikasja e këtij fati, në mënyrën më tragjike, vërehet në poezinë shqipe të
shkruar në dy dekadat e fundit, pjesë e së cilës është edhe krijimtaria poetik
e Arif Molliqit, poetit nga Kosova, i cili jeton në Gjermani, autorë i disa
vëllimeve të suksesshme me poezi, eseistik e prozë. Pra, letërsia e krijuar dy
dekadave të fundit në Kosovë është e ngjizur nga tragjikja e nënqiellit të
jetës së vrazhdë, nëpër të cilën kohë të ligë, siç do të shprehej poeti
Molliqi, ka kaluar populli i Kosovës, së këndejmi ka ndërthur në shtatin e saj,
me dhembje e dashur zhuritëse, gjitha ato klithma, përmes gjuhës së poezisë, që
është gjuhë e frymëzimit metafizik; gjuhë e orakujve; gjuhë e sublimes
estetike. Duke qenë shkrimtarët bartësit me të mirë të mentalitetit,
psikologjisë së një populli, tek poezia gjejmë pamje e imazhe të larmishme të klithmave
shpirtërore, të realitetit që transfigurohet në realiteti artistik, që është
autonom dhe krejt specifik në vete, një sui generis; status artistik i
realitetit shpirtëror. Këtë përmasë dhe këto dimensione poetike-letrare, edhe
ne planin poetik, edhe atë semantik i hasim tek përmbledhja me poezi “Portret i
pambaruar” (Faik Konica, 2006), ku koncepcionet poetike priren nga shtrirja në
rrafshe konkrete e metafizike të historisë së vjetër e të re të qenies
nacionale të poetit, aty ku kërkohen përgjigje për pyetje retorike të
komplikuara, që autori i shtron kudo në nëntekstin e vargjeve, por që
përgjigjet mbeten të heshtura, të fjetura dhe të përtejmi. Ambivalenca e
vargjeve dhe fuqia e mendimit, janë dy tipare përshkuese të poezisë së tij. Për
poetin Molliqi nuk është e lehtë, në atdheun e tij dymijëvjeçar të ec në çdo
cep të atdheut, për të pëlcitur paradoksi i ankthshëm: “kërkova dashuri huha/të
shkruaj poezi” (“Jeta përbrenda poezisë”). Këndej pari projekton klithmat e tij
në mënyrën me tragjike sepse: “lindja dhe vdekja/nuk përkthehen shqip/Këtu kanë
emër tjetër” (“Udhë e grimcuar”). Këto përmasa të kësaj poezie, të dhembjes e
dashurisë për dhembjen e quajtur atdhe, janë klithmat reale që poeti si
orakull, duhet t’i shndërroj në realitet artistik, duhet t’i transfiguroj në
vargje për t’i interpretuar me gjuhën e poezisë: “Le të bjerë shi edhe të
shtunave të dielave kur lutemi/me lutje dhe shpi shpirti nuk pastrohet” (“Shi
gjatë vjeshte”). Në këto vargje dhe në një cikël të tërë vjershash, figura e
shiut, pastaj figurat e vjeshtës janë aluzione për imazhet kryetipore, qe
shprehin dhe implikojnë intencën e shpirtit të poetit, madje edhe kur thërret
në katharsis letrar aristotelian. Kjo gjendje për poetin bëhet edhe më
dramatike, sepse vjeshta është më e trishtueshme si gurbetçarë. Pelmi poetik i
poetit nuk derdhet i tëri në vjeshtë, ai sikundër implikon intertekstualitetin
letrar, duke shprehur aluzionet me poezinë e poetit të madh klasik, Ndre
Mjedës. Këtë diskurs poetik e hasim tek poezia “Një zog në pemë”: “Kur të vijë
pranvera tjetër/do ta kuptoj ç’ishte ajo zhurmë/në kasollen time të freskët”.
Kjo mund të jetë metafora e poetit për “Kopertinen e biografisë së tij të
vdekur”, që është një realizim i shkëlqyer artistik.
Poeti dhe shkrimtari Arif Molliqi, me gjuhë poetike të
përpunuar, me figura stilistike të bukura, me retorikën e vargut lakonin,
thellon ne variante të ndryshme të këndimit, makthin e fjalës poetike, për
metaforën e së keqes, për metaforën fjalës që mund të jetë edhe metaforë e
lutjes. Këto variante të metaforës, enden në poezinë e tij, kanë status letrar
të ndryshëm, por gjithmonë në funksion të së bukurës artistike.
Poezia e Arif Molliqit ec në tehun e ambivalencës së
shprehjes; ajo është moderne, aq sa duhet të ruaj klasiken e domosdoshme; ajo
është e çiltër, spontane aq sa ka nevojë të krijoj abstraksionin poetik për të
ikur shablloneve poetike. Shprehja poetike e poetit është e përpunuar, vargu i
gdhendur, ndërsa sistemi figurativ tejet i dendur. Në këtë aspekt, do veçoja
ciklin e poezive “Motiv i një balade të brishtë”, ku në variantin e
vetërrëfimit, poeti shpërthen tërë potencialin e tij poetik, me vargje të
gdhendura mjeshtërisht, krijon metaforën e fjalës artistike në disa variante
këndimi tejet interesante.
Poezia si arti më personal, bioletra e shkrimtarit, siç
do të thoshte dijetari i letërsisë Sabri Hamiti, shprehjen e saj sublime e
ngjiz, do thoshim në mënyrë simbolike, me përkthimin e botës së tronditur
emocionale e shpirtërore, në fjalë të figurshme e kuptime ambivalente, që janë
personale, shpirtërore: aty lëndorja dhe shpirtërorja shkrihen. Duke
konstruktuar të mundshmen dhe të bukurën, ajo bëhet arti i reflekseve të
esenciale, ku pulsohen me mirë se çdo kund copëzat e jetës së shpirtërore të
njeriut në labirintet e jetës, prej së cilave duhet të vizatoj me vija të
trasha nuancat më të mundshme, që tejkalojnë pamundësinë e njohës. Kjo është
klithmë ontologjike. Poezia e Arif Molliqit, nëse e lexohet në tërësinë e saj
konceptuale, është e shtrirë nëpër kohë e hapësira të shumta, por që ndërlidhen
nga nyja e fatit tragjik kombëtar, prej së cilës variojnë edhe topose tjera
tematike, edhe kur këndohet tragjikja e substancës kombëtare në diakroni, edhe
kur këndohet fati i saj aktual. Në përmbledhjen me poezi “Portret i pambaruar” poeti
si një orakull i frymëzuar, nëpër vargje vetërrëfen metaforat e këqija, sepse
ai ka makth nga fakti se: “jetuam duke përtypur vetën”. Kjo metaforë e
dhimbshme, krijon edhe statusin e diskursit tragjik: “Mbi kopshtin e çmendurisë
pështyjnë mallkimet/Mbi plagët e thella kanë vënë akull/Vijnë pas nesh
stërnipërit tanë që shajnë/Mjeshtërinë e mashtrimit”. Poeti sajon tablo të
atdheut të tij të vuajtur në mënyra të rrënqethshme, me përplot emocionalitet e
vargje vibruese. Intenca e tij, megjithatë mbetet me shpresë: “Më lejoni të
shpresoj se e nesërmja është e jona/Mbi kokën time prehet qetësimi” (“Mos ma
merni për të keq ndryshe s’di të kërkoj fjale”).
Diskursi poetik në tërësinë e tij organizohet nëpërmjet
një lirike meditative, që priret nga tendenca moderne e këndimit poetik:
vargjet janë të ngjeshura me figura, ku dominojnë metaforat e simbolet. Nuk
mungon as ritmi si parim organizues i lirikës, kund edhe rima e cila ec
paralelisht me gradacionit poetik për të realizuar katharsisin poetik, si
element i rëndësishëm që hetohet kudo në ketë poezi, sikur tek vargjet: “O Zot
a ka kohë të mbyll tashmë historinë/Kur Gjuha njerëzore ndërlidh veçse
krime/Dhe vjen një zbraztësirë me mendime therëse/Kur kronistët zmadhohen
verbueshëm çdo ditë/Dhe përsëri po ecim mbrapsht”/ (“Nëpër plagët e
Dardanisë”). Duke zgjeruar përmasën tematike, poeti ashtu sikur gjithë lirikët
i kthehet personales, thur vargje për subjektivitetin e tij, për temën e madhe
të dashurisë. Poeti dëshiron të krijoj metaforë dashurie, në variantin më të
kënaqshëm, për të mbytur aluzionin për vjeshtën e ankthshme: “Fjalët për
dashurinë/Nuk vdesin/Në udhëtimet e gjata/Me dashurinë/kapërcen më breg (“Mite
për dashurinë”.
Arif Molliqi poet me imagjinacion të bujshëm në poezinë e
tij e inkuadron edhe satirën e sarkazmin, sikundër në poezinë “Shënim i
domosdoshëm”. Poeti këndon vrullshëm për tragjiken e rënd, por asnjëherë nuk
bie në emocionalitet të tepruar, vargjet janë të kondensuar me mjeshtëri
artistike dhe ecin në përputhje me qëllimet e artit. Në poezinë e Arif Molliqit
ndeshim disa tipe diskursesh letrare që ndërkomunikojnë edhe në formë, por edhe
në përmbajtje. Forma dominante e vargjeve të tij është ajo e vetërrëfimit
poetik, pastaj trajtat e pyetjeve retorike dhe asociacioni i vargjeve të thukëta.
Në kuptimin semantik, diskurset janë politike, metafizike, historike, elegjiake
e erotike. Autori vë në funksion të intencës poetike simbole, imazhe e arketipe
të qëlluara letrare. Shikuar përgjithësisht, kjo poezi ngërthen në vete vlera
të njëmendta letrare.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen