Montag, 14. Januar 2019

Dëshmorët jetojnë pas vdekjes - Rrustem Bruqi


Monografia e parë „Dëshmorët jetojnë pas vdekjes - Rrustem Bruqi“, botim i autorit.

- Pjesë nga monografia

                                      IV.


                             BETEJA E LOXHËS


                   1. Poetikë për Betejën e Loxhës

                   „Dielli kish le, e dritë nuk bante“, thotë një këngë e jona epike. Po, a mund të ndodhë që dielli të lindë e dritë të mos bëjë? Mundet. Këtë krijuesi popullor i kësaj kënge e ka kuptuar dhe pastaj e ka thënë, sepse, dielli kishte lindur por mbi qiellin e Kosovës ishte lëshuar një re e zezë që nuk i lejonte rrezet e tij që ta shndritnin Kosovën. Diçka kishte filluar të lëvizte drejt fushave të Dukagjinit e që dukej si një korb i zi që zbriste nga Bjeshklët e Thata. Diçka që i ngjante një korbi të hekurt që brenda në shpirt dhe në trup bartte murtajë,... vdekje. Ai korb i hekurt që ushqehej me shpirtëra dhe trupa njeriu, kishte vendosur që në Rrafshin e Dukagjinit, në Pejë, Loxhë, Lybeniq...të ndalej dhe ta shuante etjen duke pirë gjak shqiptari.
                   Atë ditë herët në mëngjes diçka gjëmoi.
                   Pritje plot ankth. Muzat e ushtarëve të UÇK-së po heshtnin. Në istikamet e tyre prisnin të takoheshin me korbat e zi gjoks për gjoks e ballë për ballë. Por jo. Ata nga qielli i errësuar lëshuan një gjëmim të tmerrshëm.  Bombarduan katundet dhe qytetet e Kosovës... Kullat tona i shtërnguan brinjtë. Deshën të shënojnë diçka brenda tyre. Edhe një plagë, edhe një qëndresë. Kësaj radhe Ora e Kullave sikur foli. U tha edhe kësaj radhe duhet të qëndrojmë të palëkundura. Mos u ligështoni se na frikësohen djemtë e ri që po luftojnë rreth nesh. Na frikësohen fëmija që po luajnë brenda pa ditur së ç´është tuta...
                   Një poet ishte ulur dhe shënonte vargun e parë;
                   „ Ti Kosovë e bukura Kosovë/ Lindim dhe vdesim për Ty...“
                   Dikush u ndal. Dëgjoni tha: Atdheu po jep kushtrimin, t‘i dalim përballë korbit të zi. Aty, aty diku afër Pejës ku në kazermën e mbushur plot hekurishta dhe korba diçka po kërrokat kobshëm. Ata po kërrokasin mbi planet e tyre që t‘i zhbijnë nga faqja e dheut Loxhën, Raushiqin, Lybeniqin...Pastaj do të zhbihen Isniqi, Prapaqani, Duboviku - katundi që e lindi atdhetarin shqiptar Jusuf Gërvallën. Do të digjet Lluka, Deçani, Carrabregu...Kosova.
                   Po, Prejlepi? Ai do të bëtet vetëm gurë e hi. Aty s´do të lejohet të këtë kurrë katund me shqiptarë, tha kryekorbi.
                   Dielli kishte lindur e dritë nuk bënte kur katundi Loxhë, katër kilometra larg nga kazerma famkeqe e korbave, u gjend i rrethuar si mos më keq nga korbzinjtë. Flaka e hekurishtave dhe aeroplanët ngjyrë korbi po vjellnin zjarr mbi katund. Ushëtima e tankeve që po bartnin me vështierësi hekurishtat zingjirore ecnin zvarr drejt Loxhës sikur e dinin se aty do t´iu mbesin eshtrat prej hekuri. Sikur ta dinin se aty do t´ia ndalin turrin ecjes së tyre shqipet që kishin zënë vend e ishin ngulitur thellë në tokën e vet stërgjyshore.
                   Jeta me vdekjen po takoheshin fyttafytas.
                   Të vdekurit, korbzinjtë ishin në panik.
                   Jetëgjatët, ushtarët e UÇK-së, bashkë me këngën e lirisë për asnjë milimetër nuk zbrapseshin nga pozicionet, por ecnin vetëm përpara e as tanket, as klithjet e hekurishtave dhe të korbave që nga qielli lëshojnë flakë, nuk i trembin shqipet.
                   Prapë poeti: „ Muzat e Rrasës së Zogut lajnë plagët me lotët e ngrohtë/ Për betejën e nesërme i bëjnë gati...“


                   2.  Shqiptarët e bashkuar gjithmonë janë të fortë

         U deshtë të kalojë shumë kohë që edhe ata që nuk e besonin, të pranojnë se Beteja e Loxhës ishte  njëra ndër betejat më të mëdha që ka zhvilluar UÇK-ja në historinë e saj të shkurtër por të bujshme. U deshtë kohë që historianë, studius, arkivistë, kronistë ta kuptojnë  se Beteja e Loxhës ishte vërtetë një luftë ku u takuan dy ushtri ballë  për ballë. U takua një ushtri që ishte e armatosur deri në dhëmbë me mjete më moderne luftarake dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës që nuk kishte armë. Bile, edhe ato armë dinin herë-herë të mos ndezeshin, të tradhëtonin. Por ajo që e kishte UÇK-ja ishte  zemra e madhe e luftëtarëve shqiptarë. Ishte morali dhe vullneti i pathyer për ta mundur njëherë e përgjithmonë gogolin e quajtur Serbi.  Ishte diçka që vlonte në gjirin e luftëtarëve për ta çliruar njëherë e përgjithmonë Kosovën.
                   Edhe politika serbe që kishte aq shumë armatim, ushtri dhe polici, i kishte planet e veta. Ajo planin çubrilloviçian e kishte punuar dhe përpunuar disa herë dhe tani mendonte se kishte ardhur koha që ai plan të realizohet. Kosova të mbetej pa shqiptarë. Njëra ndër synimet e saj për pastrim kishte filluar edhe në rrethin e Pejës, ku synimi i parë ishte fshati Loxhë. Loxha një fshat thuaja i ngjitur me Pejën, por që e ndante fshatin Gorozhdec, i banuar me serbë të mos kishin lidhje të lira, duhej pastruar. Sot, është e pamundur te përshkruhet ndjenja qe mbizotëronte atë ditë në Loxhë. Hekurishtat serbe si një përbindësh gjigand, ngadalë, pa mëshirë kishte filluar t´ua ndalte frymarrjen loxhianëve. Vdekje.  Asnjë nuk do të dalë i gjallë prej andej, kishte thënë një gjeneral serb në mëngjesin e atij korriku kur po përgaditei ta sulmoi Loxhën.
                   Po loxhianët nuk flisnin. U presim, u thanë.
                   Me datën 6.07.1998 forcat policore dhe ushtarake herët në mëngjes e kishin sulmuar këtë fshat. Grupet e armatosura në kuadër të fshatit u bën ballë aq sa munden, derisa fëmijët, gratë dhe pleqet lëshuan shtëpitë e tyre. Evakuimi i popullësisë ishte i domosdorëshme duke e ditur se në rast të marrjes se fshatit nga forcat serbe ata do të i masakrojnë të gjithë ata që do ti zën të gjallë. Lufta zgjati aq sa vendasit arriten të evakuohen. Ishte diçka rrënqethëse, e tmershme me plot dhembje ajo ditë kur gra me fëmijë ngarkuar ecnin me lotë në sy po i lëshonin vatrat e tyre dhe po i lënin më të dashurit e tyre në një luftë të pabarabart si pëngah armatimi ashtu edhe pëngah numri i ushtarëve.
                   Loxhianët bën ballë aq sa munden dhe duke mos qenë në gjendje të përballojnë më, ata me dhembje të madhe u detyruan t‘i lënë vatrat e tyre duke kërkuar strehim dhe ndihmë në fshatrat e komunës së Deçanit.

                   Pasaj policia, paramilitarët dhe ushtarët kishin hye në fshatin Logjë. E zbrazin fshatin. Shumë banorë serbë të rrethit të Loxhës, e sidomos ata të fshatit Gorazhdec kishin nisur të plaçkitnin dhe t´ua vejnë zjarrin shtëpive të shqiptarëve.
                   Sipas bisedave, paria e Loxhës edhe pse kishte biseduar me disa nga udhëheqësit serb të fshatit Gorazhdec, ata ishin të vetëdijshëm se “besë me ta nuk ka”! Megjithatë Loxha kishte lidhur një marrëveshje gojore me disa prijsë të këtyre fshatrave serbe që mos ta sulmojnë njëri - tjetrin, sidomos popullatën, pa marrë parasysh edhe nëse zhvillohen luftime në mes të dy ushtrive.
                   Mirëpo, ata posa u erdhi rasti, kur Loxha ishte pushtuar nga arnata dhe policia serbe, edhe banorët serb të gorazhdecit, hyejnë nëpër shtëpitë e Loxhës, plaçkisin gjithçka që ishte me vlerë.
                   Duke u gjendur në një situatë të tillë, njësitët e mbrojtjes territoriale të Loxhës ishin të pafuqishme që t‘i bënin ballë ushtrisë serbe. Ajo me shpejtësi kishte dalur nga kazerma, që ishte jo më larg se 4 km. nga Loxha dhe kishte filluar sulmet. Këtyre sulmeve serbe u ndihmonin edhe bombardimet me altileri të rëndë të kalibrave të medhënj si dhe bombardime nga aeroplanet luftarak. Në ketë situatë të krijuar, nga dëshira që mos ta lëshojnë pushtimin dhe mos të lejojnë një kapitullim para tyre, Shaban Shala kërkon ndihmë nga ushtarët e Brigadës 134 të UÇK-së që ndodhej në kazermën e Prapaqanit.
                   Alarmimi se Loxha ka rënë në duart e forcave paramilitare serbe dhe aty ka hyrë edhe ushtria, i ngriti në këmbë të gjitha njësitë mbrojtëse territoriale të fshatrave nga Raushiqi e deri te Drini.  Shtabet e UÇK-së që ishin formuar në atë kohë nëpër disa fshatra, u vunë në gjendje gatishmërie. Ky alarmin bëri që të përgatitën të gjithë për një betejë të madhe.
                   Sipas të dhënave të publikuara në ketë betejë „ kanë marrë pjesë 16o luftëtarë shqiptarë...1)“ Mirëpo, paniku që ishte krijuar në radhët e ushtrisë dhe të popullatës serbe, i kishte detyruara mjetet e informimit serb të publikojnë të dhëna se në luftimet në Loxhë kishin marrë pjesë afër 3000 ushtarë shqiptarë.
                   Ky publikim medial nga ana e mediave serbe, për kohën dhe momentin krijoi efektin e vet pozitivë për shqiptarët.  Ishte hera e parë që ushtria jugosllave ndiente frikë nga ushtarët e UÇK-së. Ajo tani i zmadhonte gjërat, për ti arsytua humbjet e veta para popullit të vet që deri atëherë kishte menduar se ajo ushtri ishte e pathyeshme. Mirëpo, ishte beteja e Loxhës që UÇK-ja me 160 ushtarë ta tmeroi armikun e cila nga frika mendonte se përballë i ka   4 apo 45mijë ushtarë të UÇK-së.
                   Kjo epope i tregoi pushtuesit serb se UÇK-ja e kishte marrë seriozisht çlirimin e Kosovës, i tregoi se në këto luftëra kanë hyrë strategjia e artit ushtarak. 


                   3. Si u zhvillua Beteja e Loxhës 

         Një ditë më parë, me  5 korrik 1999, fshatin Gorazhdecin, fshat i banuar kryesisht me serbë i vizitoi nëkryetari i ashtuquajturës qeveri e „RSJ“-së, Vojisllav  Sheshel. Ky njeri ishte i njohur për urrejtje antishqiptare dhe për deklarime kundër kombit shqiptar në përgjithësi. Meqenëse rruga nga Peja e deri në Gorazhdec kalonte afër fshatit Loxhë, policia dhe paramilitarët e Sheshelit kishin ndërmarrë gjëja masa siguruese për Sheshelin. Ata me disa pizgaurë kontrolluan rrugën që qonte në Gorozhdec, përforcuan posblloqet që tashmë ishin vendosur në dalje të pejës dhe në kryqin e rrugës Loxhë - Gorazhdec.
                   Paramilitarët e Shesheli, e kishin nuhatur rrezikun nga shqiptarët që mund t´iu ndodhte nese i ngacmonin ata, andaj kishin marrë masa që ti provokonin dhe në ketë lojë ta fusin ushtrinë serbe që ishte tre-katër kilometra nga aty. Me ketë lojë ata dëshironin që duke e pastruar ushtria serbe terenin nga shqiptaret, ata të mund të plaçkitin dhe masakrojnë pa ndonjë problem. Kështu, sëpari policia dhe paramilitarët e Sheshelit  sëbashku me serbët e Gorozhdecit në postbllokun policor në Loxhë i keqtrajtojnë shumë shqiptarë.
                   Në një moment, policët dhe paramilitarët tentuan ta rrestuojnë jë të ri shqiptar. Në kundërshtim e sipër ndërhyjnë edhe banorët e fshatit Loxhë. Mirëpo policia fillon të shtie kundër tyre, çka po ashtu edhe shqiptarët vazhdojnë me të shtëna. Me këtë rast u plagos rëndë Tahir S. Shala (35) nga Loxha, i cili vdiq më vonë nga plagët. Në këmbim zjarri është plagosur edhe një polic serb i cili bartet me helikopter në spital.
                   Të revoltuar nga kjo rezistencë e papritur e shqiptarëve, serbët të mbrojtur nga policia dhe paramilitarët  fillojnë ti djegin disa shtëpi në periferi të fshatit. Ushtria serbe për t´iu ardhur në ndihmë e granaton Loxhën nga pozicionet e veta të stacionuara në Zagërm.
                   Pas këti granatimi, Shtabi i mbrojtjës se fshatit merr masa që nga Loxha dhe nga fshatrat përreth të largohen gratë, pleqtë dhe fëmijët.
                   Edhe policia serbe ka urdhëruar banorët që i kanë shtëpitë buzë rrugës që çon për në Loxhë që të largohejn nga shtëpitë e tyre, çka tregoi se kata po përgadisin një operacion të gjerë dhe shkatërruese për Loxhën dhe rrethinën.
                   Dhe, pikërisht më datën 6 Korrik 1998 herët në mëngjes, paramilitarët dhe policia serbe të mbrojtur nga ushtria, e sulmojnë fshatin Loxhë. Më parë ushtria e kishte granatuar këtë fshat nga pozicionet që nuk i kishte më larg se dy kilometra nga aty. Të bindur se pas atij granatimi total, gjithçka është lehtësuar, paramilitarët, policia dhe banorët serbë të fshatreve përreth të stërvitur për të plaçkitur dhe të përcjellur nga ushtria hyjnë në qënder të fshatit Loxhë.
                   Në pamundësi që t´u kundërvihen njësitë mbrojtëse të fshatit, ata tërhiqen. Shaban Shala përmes korrierit e informon Brigadën 134 që gjendej në kazërmen „ Jusuf Gërvalla“ në Prapaqan ku komandant ishte Tahir Zemaj. Korrieri lajmin e Shaban Shalës e kishte sjellur aty rreth orës 6 të mëngjesit.  
                   Komandati Zemaj më të marrë lajmin, jep alarmin dhe e rrjeshton njësinë në oborrin e kazërmës, duke shpjeguar se kishte ardhur çasti që kjo Brigadë ta tregojë përgatitjen e vet profesionale pikërisht në betejë. Ai  urdhëron që Batalioni i parë të pajiset me të gjitha mjetet e nevojshme luftarake të kambësorisë dhe urgjentisht me dy kamionë të niset drejt Loxhës...
                   Batalion në drejtim të Loxhës është nisur diku nga ora shtatë e mëngjesit nën komandën e Nazif Ramabajës. Pjesa tjetër e trupave ka mbetur në kazermë. Eshtë mjaft e detalizuar dhe e shpjeguar në përpikëri zhvillimi i kësaj Beteje nga ana e Kolonel Tahira Zemajt, i cili edhe ishte komandati kryesor që e udhëhoqi ketë betejë të lavdishme. Në shënimet e tij kolonel Zemaj në vija të trashe ka shpjeguar:

         „...Ora 9

                   Batalioni i përfshirë në luftime kishte hasur në rrezistencë të fortë të okupatorit. Gjysma e fshatit ishte marrë nën kontrollë nga forcat serbe. Ramabaja ka pasur pak informacione mbi terrenin. Pas dy orë luftimesh ai ka raportuar përmes korrierit se kishte një epror të plagosur, Faruk Xhemajlin dhe kishte humbur një luftëtar, Enver Alaj nga fshati Drenoc. Enver Alaj ka depërtuar në oborrin e një shtëpie të fortifikuar dhe ka tentuar të hedhë bomba ofensive brenda saj. Aty ai është goditur nga një polic i fshehur jashtë shtëpisë, fillimisht me plumba pastaj edhe me një bombë. Eprori Faruk Xhemajli ka panetruar edhe ai në oborrin e një shtëpie serbe, ku një shkinë iu ka lutur që të mos e vriste. Ai e ka liruar dhe ajo pasi ka hyrë brenda nga kati i dytë i shtëpisë e ka goditur me armë duke e plagosur rëndë.
                   Nga ana e armikut kishte  dy oficierë të likuiduar dhe disa mjete të radiolidhjes kishin rënë në duartë e luftëtarëve tanë. Armiku ka kërkuar përforcime. Ramabaja po ashtu i kërkoi komandatit të tij përforcime dhe intervenim të menjëhershëm pasi që situata paraqitej e rëndë. Forcat serbe riorganizoheshin dhe po iu mbërrinin përforcime.2)
                   Duke e kuptuar se në Loxhë do të zhvillohej një betejë e rëndë, sepse ushtria serbe po afronte të gjitha mjetet ushtarake për t‘i mbrojtur pozicionet e veta edhe UÇK-ja forcohej nga çasti në çast. Gjithnjë e më shumë asaj po i vinin përforcime nga luftëtarë të Lugut të Baranit, Dushkajës, fshatrave të Deçanit, e tjerë. Nga këto përbërje dhe pozicione tregohej se aty do të zhvillohet një luftë shumë e fuqishme.


                   „...     Ora 11.      

                   Fillon marshimi drejt Loxhës. Trupat këndojnë këngën „ Besa besë, besën ta kemi dhënë...“ Morali i tyre ka qenë tepër i lartë. Asnjëri prej tyre nuk ka treguar as më të voglin hezitim. Ata e dinin se po luftonin për Kosovën.  Sali Çekaj dhe Rrustem Bruqi insistojnë për të marrë pjesë në betejë edhe pse kanë qenë të ngarkuar të merreshin me detyrën e formimit të gjyqit ushtarak, për të hetuar dhe gjykuar ngjarjet dhe krimet e ndryshme që ndodhnin në Rrafshin e Dukagjinit. Që të dytë kanë qenë juristë. Që të dy kanë insistuar dhe kanë marrë pjesë në Betejën e Loxhës....
                   ...Ka filluar sulmi mbi forcat armike. Batalionet II dhe III kanë vepruar sipas të gjitha udhëzimeve. Njësia e vëzhgimit ku merrte pjesë edhe Rrustem Bruqi komunikonte me luftëtarët nëpërmejet tabelave me shenja të koduara. Radiolidhja nuk është përdorur për shkak të afërsisë me forcat e armikut. Drejtuesi i kompanisë Cufë Kurtulaj ka bërë një shpërthim tepër energjik dhe të guximshëm për t´iu afruar shtëpisë tjetër bunker...“ 3)



                   4. Në luftime të rrepta bie Rrustem Bruqit,

                    Duke e parë forcat serbe se këtu janë përballur me një ushtri profesionale fillojnë të tërhiqen. Gjatë tërhiqjes, ata ndërrojnë pozicionet taktike duke marrë disa pika vrojtuese nga mund të qëllojnë me armët e tyre e sidomos pozicionohen në ato vende ku rolin do ta kenë snajperistët. Kjo lëvizje e tyre bëhet që nga fushëbeteja të tërhiqen me sa më pak viktima.
                   Në rrugën e cila lidh Loxhën me rrugën Lozhan-Pejë, diku disa metra më lartë, në një shtëpi dykatëshe ishin pozicionuar disa snajperistë dhe  paramilitarë serb. Nga aty, ata zbrasnin breshëri zjarri, çka pamundësonte shkatërrimin e asaj shtëpie të fortifikuar si bunker. Rrustem Bruqi për momentin ishte duke e vëzhguar pozicionin e një sulmi të mundshëm. Duke parë se shkatërrimi i shtëpisë bunker ishte i vështirë, ai nëpërmes breshërisë së zjarrit merr pozicionin që ta godasë shtëpinë bunker me një mortajë krahu. Duke u ngritur në njërin gju, pak më lartë se nga mund të mbrohej, një breshëri zjarri nga një kënd i vdekur i një dritarje e qëllon me automat. 
                   Ishin dy plumba të cilët ia ndalën sulmin këtij luftëtari të patrembur. Ishte ora 14 e 30 minuta e datës 6.07.1998 kur luftëtari i lirisë bie ngadalë, i patrembur me një mall që nuk e pa Kosovën e çliruar nga thundra serbe. „...Të gjithë kanë menduar se ai nuk është vrarë, por veç është plagosur, pasi rënia e tij ka qenë shumë e butë, sikur të mos donte t´i shkaktonte dhembje tokës për të cilën dha edhe jetën.“4)
                   Këndi i zjarrit i forcave serbe ka qenë i tillë që tërheqja e menjëhershme e tij ka qenë tepër e vështirë.



                   5. Beteja për ta shpetuar Rrustem Bruqin

                   Me urdhër të  Komandantit të luftimeve, kolonel Tahir Zemajt, janë ndërprerë veprimet luftarake. Luftëtarëve iu është dhënë urdhëri të tërhiqen deri në 50 metra larg. Komandanti ka menduar se ekzistojnë akoma shanset për ta tërhequr Rrustem Bruqin.  Urdhëri ka qenë që shtëpia bunker të mos rrëzohet nga ana e djathtë pasi gërmadhat e saj mund të binin mbi trupin e luftëtarit. Është ngarkuar zëvendës komandanti i Batalionit të dytë, Lumni Surdulli, epror nga Vushtria, të udhëhiqte grupin për rrëzimin e shtëpisë në anën e majtë. Goditja do të bëhej me mortaja krahu. Pas këtij urdhëri Surdulli merr mortajën e parë, një mortajë krahu të tipit „ Ambruz“ dhe nga një distancë 7-8 metra larg shtëpisë godet. Predha prek në një objekt të  paparashikuar dhe bën rikoshetë ( ndryshon drejtimin) pa mundur të godasë në objektiv.  Në këtë çast, ai ngre dorën në shenjë dëshpërimi, gjë që u ka dhënë mundësi snajperistëve serbë ta identifikojnë  pozicionin e tij dhe ta qëllojnë.
                   Pas rënies së Lumni Surdullit është dhënë urdhëri plotësues për shkatërrimin e të gjitha shtëpive. Kjo edhe paralajmëronte fillimin e fazës së tretë  të sulmeve të UÇK-së kundër forcave serbe. Komandatët dhe drejtuesit e njësive kanë marrë urdhëra dhe instruksione shtesë. Angazhohet edhe Batalioni  i vijës së dytë. Bëhen disa ndërrime në vijën e parë të frontit. Rifreskohen forcat. Luftëtari Rexhë Osaj nga Deçani me trimëri dhe guxim të rrallë ka hyrë brenda këndit të zjarrit serb dhe e ka bërë përfundimisht tërheqjen e trupit të Rrustem Bruqit. Kjo ka ndikuar në rritjen e ashpërsisë së sulmit. Pasi deri vonë është menduar se Rrustem Bruqi ka qenë i plagosur dhe jo i vrarë.5)
                    Rimarrja e Loxhës nga ana e forcave ushtarake shqiptare i dha grusht të rëndë ushtrisë dhe policisë serbe. Tmerri dhe frika që i kishte kapluar ata gjatë ikjes ua futi tmerrin edhe serbëve të tjerë që bëheshin gati për t‘i plaçkitur fshatrat shqiptare. Në këtë fushëbetejë ushtria serbe i la 14 ushtarë të vrarë dhe shumë mjete ushtarake të shkatërruara, kurse nga radhët e UÇK-së ranë tre dëshmorë: Rrustem Bruqi, Enver Alaj dhe Lumni Surdulli, si janë plagosur rëndë dhe lehtë; Binak Dinaj, Ali Buçolli, Ramadan Buçolli e Haki Rexhepaj nga Raushiqi i Pejës, Shpend Reçaj nga Vrella e Istogut, Sylë Muriqi nga Rugova, Kujtim Dreshaj e oficeri Faruk Xhemajli, të dy nga Peja, Shaban Pejçinoviq (boshnjak) nga Prapaqani i Deçanit, Imer Elezaj nga fshati Boriqe, Brahim Mazrekaj nga lagja Dardania e Pejës dhe Gjykë Shala (65) nga Loxha.
                   Pas kësaj fitore, Brigada 134 derisa po kthehej në bazën e vetë në Prapaqan, luftëtarët e lirisë këndonin përsëri këngën; „ Besa, besë, besën ta kemi dhanë...“, këngë për Rrustem Bruqin, Enver Alajn dhe Lumni Surdullin. Luftëtarët në të njëjtën kohë ishin të lumtur që korren fitore kundër një ushtrie të armatosur siç ishte ajo serbe. Por, diçka si dhembje ndjenin për rënien e tre luftëtarëve më të mirë që kishte ajo brigadë.



                   6. Varrimi i luftëtarëve të lirisë

                   ...Mesditë e 7 Korrikut  të 1998 – tës.

                   Fshatit Isniq ia kishin mësyer mijëra qytetarë nga Rrafshi i Dukagjinit për t´u bërë ndërimet e fundit luftëtarëve që me dinjitet ranë në fushën e betejës. Aty, në Varrezat e Xhamisë së Isniqit u varrosen tre dëshmorët e lirisë, tre luftëtarët e Betejës së Loxhës: Rrustem Bruqi, Lumni Surdulli dhe Enver Alaj.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen