Monografia e tretë ”Lluka e Epërme nëpër shekuj”, botoi,
ShB. Armagedoni, 2017
Pjesë e dytë
TOPONIMET DHE MIKROTOPONIMET NË LLUKË TË EPËRME
Shtrirja
hapësinore e Llukës, si sipërfaqe, është e vogël por në pikëpamje të emërvendeve
është mjaftë interesant për studiuesit. Duke pasur parasysh toponimin aq të
shumëllojshme, mund të themi se toponimet dhe mikrotoponimet janë të shumta dhe
interesante. Nga vetë fakti se Lluka ka një shtrirje thuaja fushore, shumica e
emërvendeve-toponimeve mund të jenë të reja ngase kanë ndryshuar nëpër kohë,
megjithatë nuk mungojnë as emërvendet të lashta.
Sado që
studime apo gjurmime në këtë drejtim nuk janë kryer, nuk ka dyshim se në
hapësirën e Llukës janë disa tipare vendemërimesh që janë ruajtur ndër shekuj.
Mikrotoponimet më karakteristike janë: Verrishta, Ara e Zefit, Dolla, Çelake
(Çallake), Belishe( Balishe), Kërsta, Karrapece (Karrapucë), Gurina, Samaraxha,
Kajshtile (Kojshtile), Arashat etj.
Verrishta
(Verrat e Llukës) -Për mikrotoponimin Verrisht/ë,-A, f.sh, -A, - AT. Pyll me
verra. Verrishtë e paprerë ( e re).
Verr-i,-a-at,
dru me lëvore të lëmuar, me gjethe vezake e të dhëmbëzuara dhe me lëndë të
fortë, që rritet në vende me lagështirë dhe që përdoret zakonisht në ndërtim.
Ka verr të bardhë dhe të zi. Verrishtën në Llukë të Epërme, në përgjithësi e
njohim si vend ku ka qenë e mbushur me verra.
Verrishta
shpesh është quajur edhe Lluga, është një fushë që shtrihet kryesisht bregut
Lumëbardhit-Bistricës. Kjo fushë fillon nga Lluga e Zymit deri të Lluga e Bufit
në lindje. Në të majtë përkufizohet më lumin Bistrica dhe fshatin Isniq, kurse
në të djathtë me Bregun e Llukës, gjegjësisht me fshatin, me Varret e Poshtme e
me fushën e quajtur Dolla.
Sipërfaqja
e Verrishtës, ka qenë prej dy pjesëve; njëra mera e fshatit, kurse një pjesë e
Verrishtës ishte tokë në pronësi private të mëhallës se Molliqajve,
gjegjësisht, pjesa ku janë varrezat ishte në pronësi të familjes se Bajram
Rrustemit të Molliqajve, por qe kjo familje e kishte dhuruar për të mirën e
fshatit, sot e përkufizuar si “ E mirë e fshatit”.
Dikur kjo
sipërfaqe, afërsisht prej 20 hektarësh ishte e mbushur me drunj Verri dhe
Shelgje, qe në vitet 1950/60 prehen verrat dhe sot është e zhveshur tërësisht.
Dekadat e fundit të shekullit që lamë pas (1980-1985), aty janë ndërtuar një
“Transformator 110” i rrjetit elektrik që ka uzurpuar afër një hektar toke.
Foto nr. 5- Verrishta ose, vendi ku ishin Verrat e Llukës
Në të njëjtën hapësirë për nevojat e shkollës janë ndarë
2 hektar tokë ku është ndërtuar Shkolla Fillore e Mesme e Ulet Kuvendi i
Verrave te Llukës.
Në pjesën
perëndimore, bashkë me tokën qe e ka falur Bajram Rrustem Molliqaj janë
përcaktuar vendi i varrezave të fshatit. Këto varreza janë të reja, për dallim
të varrezave të vjetra që janë në fund të Verrishtës, tek “Blinat e Poshtëm”.
Llugë-at,
siq thamë më lartë Verrishta në popull është quajtur edhe si llugë-a. Lug-u,
lug-i, luginat, llugë-a, edhe ky term tregon një kuptim gjeografik fare të
qartë i cili është shfrytëzuar dukshëm për identifikimin e emërvendeve.
Arat e
Zefit, apo Kisha e Zefit- Ndryshe këtë emërvendi e quajnë edhe “Gomuari i
Zefit”, ose si toponi më i ri; “Gumuri i Isuf Bardhoshit” dhe ka një sipërfaqe
diku dhjetë hektar. Është interesant se për këtë vend kanë qenë të interesuar
disa herë studiues dhe arkeologe nga Beogradi. Ata kanë ardhur në fshatin
Llukë, e kanë kërkuar vendin dhe kanë
pyetur për historinë e “Arave të Zefit”. Studiuesve gjithsesi u ka lënë
përshtypje si pozita e këtyre arave ashtu ne Breg të Verrishtës dhe të lumit,
si dhe emërtimi. Pastaj, atyre u ka interesuar se si në një mjedis të
konfeksionit fetar mysliman, ka qëndruar një toponim i krishterë si “Ara e
Zefit”, bile në pronësi të shqiptarit të besimit tjetër. Shpjegimi se në këtë
fshat janë edhe emërvendi si “Varri i Kolës”, “Lluga e Zymit”, “Kërstat”, i ka
bërë kureshtar.
Mirëpo, me
gjithë interesimin e tyre, ata studiues dhe arkeolog kurrë nuk bënë ndonjë
gjurmim arkeologjik.
Vorret e
Moçme (Varrezat e vjetra), - gjenden në fund të Verrishtës (Verrave të Llukës),
një sipërfaqe prej mbi dy hektarësh. Kjo sipërfaqe ishte e mbushur përplot me
trungje bliri, trungje me lashtësi qindra vjeçare (sot kanë mbetur vetëm disa
gjysmë trungjesh). Sipas pleqve, thuhej se gjithë ato trungje bliri ishin të
mbjellë ashtu që në mes krijonin formën e kryqit (gojëdhënë e moçme e
ripërsëritur).
Foto 6.- Varret e moçme
Se këto
varre i përkasin një periudhe lashtësie, kjo nuk vihet në
dyshim, duket qartë edhe në madhësitë e gurëve të
varreve, rrasa të gjata deri në dy metra, gurë të ndryshëm e që disa edhe me
përmbajtje kristalesh dritës. Pastaj, interesante dhe enigmatike mbetet edhe
gjatësia (madhësia) e varreve (distanca nga guri i epërm deri te ai i poshtëm)
që në bukur shumë varre e tejkalon gjatësinë mbi dy metra.Edhe kjo tregon se
Lluka e Epërme ka një lashtësi, histori te mistershme të hershme banimi, një
jetë të gjatë që nga formimi si vendbanim me qytetërim, që kishte një dendësi
të dukshme popullimi. Këtë e dëshmojnë pikërisht këto varre aq të shumta
numerikisht dhe sipërfaqësisht, gjë që jep mundësi të shumta studimore e
gjurmuese në pasurim faktografik të lashtësisë sonë!
Drumi i
Telit. Si emërtim duhet të jetë i vonshëm, kurse si rrugë (drum) është shumë i
hershem. Kjo rrugë (drum) është e gjerë edhe sot dhe ka lidhë Pejën me Gjakovën
deri në Prizren duke vazhduar edhe deri në Has, e më larg. Është rrugë që ka
kaluar nëpër Llukë të Epërme, në pjesën e poshtme të fshatit. Drumi i teli
është emërtua më vonë, por si rrugë shumë e rëndësishme ka ekzistuar nga shek
II-të, p. e. Pastaj e shfrytëzojnë edhe
ushtarët e Perandorisë osmane për lëvizjet e tyre dhe esnafet dhe tregtarët e
Pejës dhe Gjakovës për transportimin e mallrave.
Lumë-i, dhe
Lumëbardhi, që gjer tani e kemi hasur në trajtën e thirrjes kalke-Bistrica e
Deçanit( poziten e tij e kemi shpjeguar më lartë). Ky emër është komplet shqip
si lumë-i, kuptimi i të cilit ka të bëjë po ashtu me rrjedhje ujore, janë
krijuar disa emërvendesh, p.sh. Më së shpeshti kemi rastin kur trajta gjenerike
është e përcjellë me një mbiemër: Lumi i bardhë ose në trajtën e shkrirë
Lumbardhi.
Vigu i
Llukës,-Mbi Lumëbardhin ka ekzistuar një vig, që është quajtur Vigu i Llukës, e
që lidhte dy brigjet e lumit. Ky vig ka qenë n´fund Verrishtës të “Vorret e
moçme” që lidhte Llukën më Isniqin të Drumi i telit.
Ura e
Haxhive, Meqenëse Drumi i telit ishte bërë shumë e rëndësishme qoftë për
lëvizjen e mallrave dhe udhëtimeve, tregtaret e Pejës dhe Gjakovës, por edhe
pelegrinët vendosin ta ndërtojnë një urë mbi lum mbasi ai 3-6 muaj ishte plot
ujë dhe i rrëmbyeshëm. Kështu ata mbledhin mjete duke e ndërtuar një urë të
fortë mbi Lumëbardhin e që është quajtur Ura e Haxhive. Kjo urë tani nuk
ekziston, por themelet e saj janë diku aty, sepse në vitin 1979 kur kishte
vërshime të mëdha, ujit i lumit i pati zbuluar themele prej gurëve t gdhendur
dhe të lidhur mes vete me materie metalike-plumb.
B e l i sh
e.- Ky është term gjeografik që ka të bëjë me kuptimin e trajtës së zgjatur
(fushe apo mali), me mes të lakuar me kurriz të lakuar në pjesën e mesme. .
P.sh, bel + i + she. Edhe ky vend në Llukë të Epërme si duket e ka marrë emrin sipas fjalës
shqipe, Bel-i, mes, ndërmjet, përmjet dhe se ka formën e një beli i ngushtuar
në mes.
Në rastin
konkret fusha e quajtur Belishe, është një fushë me ara dhe livadhe që ka
formën e një trekëndëshi, dikur e kufizuar mes rrugës se quajtur Drumi i Telit
nga e djathta në drejtim të fshatit Kodrali-Irzniq dhe, nga e majta është
kufizuar me Kodrat dhe Dollat, dhe ka formë vezore e lakuar në mes. Tani
Belishet kufizohen me dy kanale; majtas
Kanali i vjetër i ndërtuar në vitin 1924-1938, dhe nga e djathta me
Kanalin e ri ndërtuar ne vitin 1985.
Mirëpo
emrin Bel-i, e hasim edhe si emër i një vegle bujqësore në formë të lopatë, që
zakonisht përdorët për të punuar tokën thellë, për të hapur kanale etj . ose,
Belicë-a, bimë kokërr bardhë që ka mundur të jetë rritë aty pasi ajo është
shumë pjellore.
D o ll
a.-Është një fushë me ara dhe livadhe që tani shtrihet nga Kanali i Radoniqit,
kur dikur quhej “Shtegu i Dollave”, nga e majta e ka Bistricën deri të Lagjja e
Bufit-Tetaj të Llukës se Poshtme, kurse në të djathtë përkufizohet me Kanalin e
vjetër dhe Belishet.
Gjithsesi
kjo tokë është mjaft pjellore dhe shumë frutdhënëse. Herët ne Belishe është
kultivuar bari dhe luadhet janë përdorur për kullosa sepse përveç që ka pasur
ujitje nga Jazi i Llukës së Epërme, dikur është shfrytëzuar edhe jazi i Llukës
se Poshtme-Jazi i Berishës.
Shpeshherë
mikrotoponimet janë shënuar ashtu si janë dëgjuar me gabime, duke e zëvendësuar
një shkronjë me një tjetër, duke i shkëputur
apo ngjitur fjalët pa vend. Kjo dukuri shfaqet edhe tek disa
mikrotoponime në Llukë. Shembull: Dolla, si fushë e gjerë gjendet mes fshatit
Llukë e Epërme, Llukë e Poshtme dhe Pozhare. Aty janë takuar shpesh banorët e
këtyre fshatrave për të luajtur për festa popullore dhe fetare. Dola, do të
dal, kam dalë... i shtohet edhe një shkronjë dhe formohet toponimi Dola-Dolla.
Ose, duke qenë një fushë shumë pjellore dhe gjithçka aty dilte herët në
pranverë: Doli dielli (hëna). Doli drita. Dolën xixëllonjat. Doli gruri, misri.
Ka dalë bari. Dolën sythat. I dolën dhëmbët (flokët). Dolëm nga dimri, dmth,
kur bagëtia dilte n´atë fushë tregonte se doli dimri.
Lug, -u, i
Dollave,- si emërtim na del për një pjesë të Dollave- Meqense në Llukë nuk ka
shumë lugje, ose thuaja hiq, i vetmi toponim me fjalën lug-u, është
bashkangjitur tek fusha e Dollave. Ky kuptim vjen jo pse ka ndonjë formë të
lugut, por se gjendet në fund të saj si shtrirje gjeografike.
Karrapece,
(Karrapucë-lëmsh i ngjeshur). -Kjo fushë është në anën e djathtë të fshatit. Në
të majte kufizohet me Kanalin ujitës kurse në të djathtë me fshatin Beleg.
Është tokë mjaft pjellore dhe ka kushte te mira për bujqësi pasi ka një sistem
për ujitje të mirë, sepse gjendet mes Jazit të Belegut dhe Kanalit të vjetër të
ujit. Është një tokë ne te cilën rritet shumë një barishte që vendasit e quajnë
“bari spirrak ose purrac”.
K o sh t i
l e. -Koshtile ( Kosh, -i, thurimë e madhe prej thuprave, si shportë me grykë
të hapur, që përdoret për të mbajtur pemë), janë pjesë që përkufizohet mes dy
drumeve; nga ana e poshtme e lindjes kufizohen me Drumin e Telit kurse nga ana
e sipërme me rrugën kryesor që kalon nga qendra e fshatit në drejtim të
Verrishtës. Sot ky kufi thuaja se është me pak i kuptueshëm sepse një pjesë e
kojshtileve është urbanizuar. Përbërja e tokës së Koshtileve sado që është
gurore, është mjaft prodhimtar sepse aty është kultivuar dhe vazhdon te
kultivohet misri, sidomos fasulja dhe
pemët.
Boshkaqe.-
Gjithashtu edhe emrat e bimësisë shpesh janë shfrytëzuar si bazë për të krijuar
emërvendet. Në mesin e emërvendeve me thirrje të bimës është krijuar edhe
mikrotoponimin Boshkaqe. (Boshk/ë, -a. Sh.-a,-at, bimë barishtore shumëvjeçare
e livadhe, me zhardhok si qepë, me gjethe të gjëra si të këlkazës e të tulta,
që përjargën kur thahen). Prandaj nga boshkë, që d.m.th, shkurre është formuar
si mikrotoponim boshkaqe ( boshk +aqe).
Bokat.
–Zakonisht kanë marrë këtë emër ngase
ato janë fusha që dikur kanë qenë të zhveshura e plotë gurë. Mirëpo
(bok/ë, a, shumës; -a, at,. Kodrinë a bregore e zhveshur e plotë gurë, fjalori
i shqipes f. 126), boka është një tokë që ka gurë të vegjël, ose gurishtë. Arë
bokë. Fjala Bokë ka mundur të vjen edhe prej fjalës Bok/ël,-la, që do të thotë
“koçan misri”
Kemi edhe
fjalën; Bokërimë, vend po ashtu i zhveshur e i thatë që përdorët për bokën.
Samaraxhat.
- Kjo fushë si dukët e ka marrë emrin sipas pronarit të saj që si dukët ishte
një “samarpunues”. Në këtë tokë që sot është mjaft pjellore, dikur paska qenë e
mbushur me drunj lajthie që përdoreshin për ti punuar drunjtë e samarit.
Samarxhiu që i bënte punët më nxitim duke kryer shumë shpejt punëtor me
“axhele” (AXHELE - Ngutje, nxitim në një punë; nevoja për të kryer sa më shpejt
një punë. Punë me axhele. Kam axhele. Kërkoj me axhele. Bëj me axhele), punëtor
që ngutej: Samar-axhi, kurse pronat që kishte ai quheshin “fusha e samargjiut”-
Samaraxhët.
Llofkat-
Një fushë e lagtë që në të shumtën kohës rrinë
e mbushur më ujë. Tokë e lagtë si lloç dhe shumë e ngjashme më tokë
moçalore. . LLOÇ m. Baltë e qullët dhe e hollë, ose; Llokaj/ë, -A f.sh.-A, -AT.
Ujë i turbullt e i fëlliqur me baltë e me ndyrësira; llum...
Çelakët
(Çilake). –Ky term ka të bëjë me kuptimin e veprimit; çele + këtë, d.m.th. më e çelë një tokë të re. Çele këtë
tokë të re. Në një rast e kemi dëgjuar se ishte fjala për atë “që+la+ (dhe)
iku”. Pronari i kësaj toke paska ikur prej një sherri. Mirëpo disa thonë se kjo
kishte qenë tokë e një “Çeli” që e kishte lëshuar katundin pa paralajmërim dhe
i ka mbetur “toka e qelit që iku”.
Megjithëse,
ka edhe shpjegime se aty ishte një tokë me shkurre dhe banorët duke i nxjerre
ose djegur ato, hapen, çelen tokën e re. Pra nga fjala çel-i dhe,
lakat-shprish, shkapërderdh, doli emërtimi Çelaket...
Vojsat. –
Gjithashtu një emër prej bimësisë që është shfrytëzuar si bazë për të krijuar
emërvendi. Në mesin e emërvendeve me thirrje të bimës është krijuar edhe
mikrotoponimi Vojsat,vend ku është rritur kjo bimë që quhet “vojsa”.
Arrnicë-a.
Orashet, Ornica,- Edhe këtu, nga vetë kuptimi i fjalës, del se është
shfrytëzuar emri i bimës frytore arrë, arrënishtë si bazë për të krijuar
emërvendi. Kjo fushë gjendet menjëherë nën Karrapece. Nga vetë kuptimi i
fjalës, sikur na del se edhe fjala Ornica apo Orashet ka për burim emrin e
pemës frutore “arrë”. Mirëpo më kohe,
herë u kanë thënë orrnicë e herë arrnicë atyre tokave që s´janë të mira për
mbjellje të misrit apo grurit por të mira për te mbjelle pemë.
Gurinë-a, .
Vend a tokë me gurë, gurishtë. Ara që kanë gurë të vegjël por nuk pengojnë të
japin fryte dhe janë tokë punuese.
Zallinë, f.
Tokë e keqe, që ka shumë gurë, tokë e përzier me zall; zallishtë. Është
zallinë. Bregu i lumit, zakonisht i thatë, i mbuluar me zall; vend me zall,
tokë që ka shumë gurë, zallinë. Zallishta e lumit. Zallishta e malit. Pyllëzuan
zallishtën. Ishte vendi zallishtë. Ecte nëpër zallishtë.
Majetele.
Ky emër si duket është i vonshëm sepse vet emërtimi është i vonshëm. Në
shekullin XVII-të apo XVIII-të, ka qenë një rrugë që është quajte; “Drumi i
Telit”. Kështu, e gjithë fusha (arat, livadhet) që gjendet mbi “Drum të Telit”
janë quajtur, “arat mbi tel” ose “maje-tele”.
Ara e
Kovaçit. -Ky emërtim është i vonë dhe i takon asaj pjese të fushës që quhen;
Orashe. Mirëpo mbasi është blerë kjo tokë nga familja e Kovaçit të Dobrunajve
të Deçanit, edhe quhet “Ara e Kovaçit”
Arat të
Mullini, -Këto ara gjenden mbi bashqijet e “Mulazmonëve” që gjenden mbi
varrezat e fshatit në drejtim të Llugës se Zymit. Zakonisht shtrihen bregut të
Jazit të Berishës, nga i cili jaz edhe furnizohej më ujë Mullini i Bajram
Rrustemit (të Molliqëve). Për atë edhe e kanë marrë emrin “Arat të Mullini”.
Këto ara shpesh quhen edhe –ranishta sepse janë tokë më rërë (ranë), mbase duke
u gjendur breg lumi shpesh kur lumi rritej i vërshonte këto toka dhe i mbushte
më rërë.
Duhet
përmend se Jazi i Berishës kalonte mes
këtyre arave dhe aty edhe e kishte, siq thuhej-amën nga e merte ujin
prej lumit. Këto ara shpesh i quajnë
edhe –Zallina, sepse janë të mbushura më
zall-i, e lumit.
Bahçijet e
Mulazmonëve,- Fillojnë menjëherë ku përfundon pjesa e varrezave të fshatit.
Këto bashqije nga pozita shtrihen në dy pjesë; nën bregun e llugave, do të
thotë breg Lumbardhit (Bistrices), dhe mbi breg në drejtim të veriut..
Arat m´i
katun- Ara mbi katund, janë ato pjesë të tokës që përnga pozita (gjeografike)
gjendën mbi katund ( mbi fshat). E këto ara janë në mezhda më tokën e Deçanit.
Lluga e
Zymit, është një vend breg Lumëbardhit e mbushur me verra dhe shelgje. Quhet e
Zymit sepse pronari i parë ka që “Zymi” dhe sot i takonë pjesërisht Llukës dhe
Deçanit.
Lluga e
Bufit, ka gjasa se ka marrë emrin sipas emrit të bimëve. Fitonimi bush, që
d.m.th. shkurrë përherë e blertë. Ose në atë vend ka jetuar një shpend
grabitqar i quajtur Buf. (BUF m.1. zool.
Shpend grabitqar i natës, me kokë të madhe e të rrumbullakët, me sy të mëdhenj
në ballë, me sqep të shkurtër e të kthyer, që rron ndër pyje e në gërmadha dhe
që këndon natën sikur vajton....)
Arat e
Gomuarit, janë ato ara që gjendet për rreth “gomuarit”. Kurse emërtimet “Ara e
Bajram Sefasë”, “Ara e Xhikëkok´s”, “Arat e Belegut”, “Boshtrakja “e tjera,
janë emërtime të reja dhe kanë marrë emrin sipas pronarit nga është blerë.
Arat e
Bregut, - gjenden nën Varrezat e Moçme n´breg Lumbardhi (Bistrice). Ato fillonë
nën varreza dhe vazhdojnë gjithnji bregut deri tek Lluga e Bufit. Përpara në
anën e majte kalonte edhe Jazi i Berishës ose Jazi i Llukës së Poshtëm.
Troll-i,
troje-a, gardh etj.-Termi troll-i, ka kuptimin e një parcele të tokës së
punueshme, ndërsa trojë-a është pjesë e ndërtua.
Janë
karakteristike disa toponime ose topogërmadha që përdorën në Llukë dhe që janë
me prejardhje të kulluar shqipe. Gjatë kohëve të shkuara shumëshekullore janë
shtanguar nëpër të folme shqipe të
Kosovës dhe kudo ndër shqiptarë disa toponie për disa vendbanime të hershme,
gati të gjitha të zhdukura , si për disa vendbanime të hershme të cilat sot
pothuajse për të gjitha përdoret fjala
troll, troje. Këtë fjalë profesor E. Çabej, duke i hedhr poshtë mendimet
e disa studiuesve që e nxjerrin të burimit gjuhësor joshqip, e qet më
prejardhje të kulluar shqipe . Këto
fjalë edhe sot përdorën duke caktuar një
sipërfaqe toke ku janë të caktuara për ndertime të vendbanimeve si, trojet e
vjetra, trolli i vjetër. Çdo lagje-mohall, çdo familje ka të caktuar trollin e
vend brenda të cilit ndërton shtëpinë.
Edhe fjala
gardh-i, përdorët në Llukë dhe se është më prejardhje shqipe. E. Çabej fjalën e
shqipes gardh e shpjegon si fjalë të familjes së gjuhëve indoevropiane, nga
“indoevr.+ghordo,- shq. Garda-gardh, me ndërrim të d-së në dhe pas një r-je”
E përmenda
këtë fjalë sepse përdoret shumë në llukë si: gardhi kurorë (kunor) që
ndërtohet-thuret me thupra rreth trollit dhe është pak më i lartë se ai i
zakonshmi. Pastaj gardhi i fushës, i kopshtit, i livadhit tjera, që zakonisht
kanë lartësi deri mbi bel që të mos e kapërcejnë kafshët dhe thuret (mbarohet)
me thupra të shelgjes, raketës etjera.
Zhlepi,
bjeshkë e Llukës së Epërme
Lluka e
Epërme ka bjeshkët ose kullosat e stinës së Verës në bjeshkën e quajtur Zhlep.
Ato fillojnë nga Kulla që shkojnë kurrizi deri të Gurrat e Bardha, Qafave,
Livadhi i Ali Begut, Lugu i Bullatiqit, Sejnova, deri tek Bjeshkët e thata.
Kësaj i takojnë stanishtat ose t´banet: stanishtat e poshtme ku janë Muqajt,
Tahirukajt, Mulajt, Memajt, pastaj, nën Gurra të Bardha janë Thaqet dhe Sutajt,
në të djathtë Molliqajt dhe Kaqorrajt. Po në këtë bjeshkë janë edhe Balajt e
Strellcit, Loxha, Lëbusha e tjerë. Në bjeshkën që i takon Llukës kemi hasur në
këto mikrotoponime: Lugjet e epërme, Lugu i gjate, Lugu i Bekes, Lugu i Muqes,
Lugjet e poshtme, Bazhdari, Maja dhe Shpati i Hasan Agës, Gjollat, Rusolia,
Shpati Rusolisë, Kërshi i keq, Maja e Zezë, Qetat, Qetat e Sejnovës, Gropat,
Qeta e Hasanbashit, Lugi i Hasanbashit, Tek ndahen udhët, Ku përzihen përroit,
Shpati i magarve, Rogat e Qetave, Qetat e Majës se zeze, Podet e Majës se zeze,
Maja e Zeze e Madhja dhe Maja e zeze e Vogla, Lugu i Pojes, Podet, Podi i Egër,
Shpella ku përbirohem, Kërrshi i gjarpinjve, Qafat, Qafa e druve, Qafa e Kronit
te lisit, Kroni i Lisit,Gurrat e Bardha,Qafa e gurrave të bardha, Guri i
Shpumë, Shpella e Hurdupit, Shpella e Hajdarit, Shkalla e keqe, Guri i Çik´s,
Kërrshi i Nuses, Maja e Allag´s, Gjollat e Ali At´hemit, Humshuri, Mali i Ali
Kadrise, Gurra e Ali Kadrise, Çafa e Muqajve,
Në Zhlep
janë edhe Varrezat e Llukës në Qafa përmbi stanishtën e Molliqeve. Aty dihet se
janë varrosur Shaban Ramë Mulliqaj
Mustafë Hazir Mulaj, tre femije dhe motrat e Jahe Salih Tahirukaj.
Të dhënat
tregojnë se në ketë vendvarreze janë afër 30 varre, të varrosur janë aty njerëz
nga fshati te cilët për shkak të pamundësive për t´i dërguar në fshatin e
lindjes, rruga deri ne Lluke të Epërme atëherë peshkohej me kuaj e gomare me
samarë.
( Zhlepi; shënime për kufirin dhe pronësinë.)
Kufiri
Kosovë- Mali i Zi , sipas Kushtetutës se vitit 1974, ka qenë te vendi i quajtur
‘Varri i Nuses’, 29 kilometra larg prej Pejës dhe 18 kilometra larg prej
Rozhajës. Kufiri tash është 24 kilometra larg prej Pejës, te ura që quhet “ Të
Qafa e Shkallës” mbi Jabllanicë, 100 metra prej së cilës është vendosur tabela
“Mirësevini në Malin e Zi”.
Foto 7. Bjeshkët e
Zhlepit
Gjatë një
punë, të mësoj më shumë rreth kufirit Kosovë-Mali i Zi, atje tek Kulla, hasa në
disa shënime dhe tregime që sado pak tregojnë rreth këtij kontesti, por nga një
qasje tjetër; qasje pronësoro-juridike, për të cilat shënime “besoj” se edhe
ndonjë historian i yni, apo edhe komisioni i Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës
që merren me sigurinë e kufirit i posedon këto shënime.
Në vitin
1928, në kohën e shtetit SKS ( Drzavom Srbe, Hrvata i Slovenaca), disa pronar
shqiptar nga Kosova ( Deçani, Peja, Burimi), kanë udhëhequr një kontest
gjyqësor pranë Gjykatës e shkallës së parë të Beranes e cila me aktgjykimin e
vet nr. 11284-B-110 të datës 14 shtator 1928, ua ka pranuar paditësve shqiptarë
nga Kosova të drejtën si pronar të patundshmërive kontestuese, prona këto që
kanë qenë në territorin e shtetit malazez. Ky aktgjykim gjendet në Arkivin
historik të Malit të Zi. .Kundër këtij aktgjykimi të shkallës se parë, ka bërë
ankesë Shteti SKS, duke e dërguar lëndën në gjykatën Apelit në Shkup, si
gjykatë e shkallës se dytë, Kjo gjykatë ka refuzuar ankesën e ankuesit dhe me
aktgjykimin e vet nr. 2678 e datës, 25 maj 1929 e ka vërtetuar aktgjykimin e
shkallës se parë të gjykatës se Beranes. Ky aktgjykim i Gjykatës se Apelit të
Shkupit gjendet në Arkivin historik të Malit të Zi.
Mirëpo,
pronaret shqiptar nga Kosova fitues nga gjykata e Beranes, i kanë shfrytëzuar
këto prona deri në vitin 1949, kur qeveria komuniste e Malit të zi, nxori
ligjin në “Gazetës Zyrtare” nr. 9/47 dhe 9/49, sipas të cilit ligj, përsëri
shqiptarëve nga Kosova u merret e drejta e pronësisë në këto prona me kulturë
bjeshkë. Këto prona të shqiptarëve nga Kosova iu falen Ekonomisë Pyjore të
Rozhajes. Këto prona tani janë të evidentuara si prona shoqërore dhe janë
shënuar në fletët poseduese nr. 33 KO Plunci II, 62 KO Daciqe, 142 KO Balotiqi,
143 KO Balotiqi, 250 KO Daciqi dhe 394 KO Boletiqi. Të gjitha këto prona
fillojnë përgjatë kufirit të sotëm mes Kosovës dhe Malit të Zi. Fillojnë nga
Kulla e deri në afërsi të qytetit të Rozhajes. Pra, nuk është kufiri as të
“Varri i Nuses” që është aty tek qafa, as të Kulla që edhe ashtu është 2-3 km.
në pjesën nga qafa ku është “ Varri i nuses” në drejtim të Rozhajes.
Atë që nuk
e bëjnë as qeveritarët, as deputetet, as politikanët e Kosovës, e bëjnë
qytetarët e Kosovës. Në vitin 2005, përsëri disa qytetarë, ish pronarët e atyre
pronave kanë ushtruar kërkesë për rikthimin e pronës se tyre legjitim. Kërkesën
e kanë nënshkruar: Nezir Memaj, Arif Tahirukaj, nga Lluka e Epërme-Deçan, Daut
Shala, Ramë Dinaj nga Raushiqi i Pejës, Sadri Rustemi nga Logja, Ramiz Zogu nga
Kliqina, Ramë Ademi, Shaqë Avdija, Hasan Kameraj, nga Lëbusha, Osman Fetahaj nga
Strellci, Zymber Zeneli nga Doberdoli, Miftar Shala nga Barani dhe Emin
Krasniqi nga Vranoci.)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen