Montag, 14. Januar 2019

Mereme Llubani: METAFORA E FJALËS POETIKE


(Arif Molliqi: "Portret i pambaruar", poezi, SHB "Faik Konica", Prishtinë 2006

         Si për çdo lexues kontakti i pare me një libër është kopertina. Në të është prezantuar nje portret i gjysmuar i autorit dhe pa e çfletuar fare nuhat mesazhin e përcjellë tek lexuesi. Një siluete bardhe e zi, që pasqyron pjesën e fytyrës deri tek buza e sipërme, ku goja e prerë, të shpie në një lojë mendimesh plot fantazi.
                   Eshtë ky një poet që jetoi në një vend ku ju mohua gjuha amëtare e fjala e lirë, deshira për të shprehur hapur ato cfar ndjen, apo një mister tjetër më i thellë...E pra kush është filozofia e këtij libri me një titull që ka të bëjë me shqisën e të shprehurit, dhe për cudinë e lexuesit, i është prerë goja, ku sytë plot shpresë vështrojnë thellë për të zhbiruar labirinthe pa fund?
                   Një motiv më shumë për ta lexuar me një frymë, e tek zhytesha thellë në vargje, në memorie më dilte figura e këtij njeriu, të cilin në takimin e parë, e kisha fiksuar si burrë fjalëpakë dhe babaxhan, ku mirësia i lexohej në sy dhe në buzëqeshjen e herë pas herëshme që shoqëronte bisedën tonë.
                   Sic duket magjinë e fjalës, krijuesi e ruante si suprizë për ta shprehur në vargje. Dhe kur vargu e rrëmben lexuesin dhe e bën ta ndjejë vehten personazh të tyre, ky poet e ka shprehur perfekt muzën e tij. Kështu më ndodhi tek lexoja vargjet herë herë ironizuese, e herë me fabula tronditëse emocionale të Molliqit.
                   Poeti e ka sistemuar librin në pesë nëncikle, duke ju referuar temës dhe mesazheve që percjellin, të cilat natyrshëm japin vazhdimësinë e forcës së mendimit, por me një specifike karakteresh që ndërthuren shumë harmonishëm dhe plotësojnë njera tjetrën. Histori, ngjarje, kujtime, mall, revoltë pa bujë, vuajtje, përplasje mentalitetesh, ëndrra të lena përgjysëm, reflektime, të gjitha këto i gjen të përmbledhura me aq art në këtë kolazh emocionesh.

Rëndë jemi ngarkuar
Me vitet që nuk na kanë hije
Nëpër kohën e ndarë të pritjeve
Jetuam duke përtypur vehten...

                   Këto vargje i përkasin nënciklit të parë " Fjalëve që su zihet besë", me të cilat fillon rrugëtimin e tij me vargje Arif Molliqi, duke vazhduar lojën e mendimit e figurave artistike më tej, shoqëruar nga nje ritëm i brendshëm poetik, të cilat sa vijnë e profilizojnë individualitetin krijues në ritje të autorit. Një rrugëtim si në kërkim të Itakës, por që endet brenda vehtes dhe "Kullës" të cilën Molliqi e përdor shpesh si figurë metaforike e rezistence të durimit brenda botës së tij, e here si simbolike te qëndreses shqiptare.
                   Nëncikli në vazhdim "Motiv i një balade të brishtë" më beri të ndjej thellë, atë që e bën të vecantë çdo mjeshtër të penës poetike, ku nëpërmjet vargjeve, arrin të shohësh e depërtosh në imazhe, situata, figura, personazhe, e gjendje tunduese. Një varg sa i thjeshtë po aq madhështorë që në momente të caktuara të trondit deri në asht e herë herë të zbut me finesën poetike.


O zot a ka kohë ta mbyllë tashmë historinë
Kur gjuha njerëzore ndërlidh veçse krime
dhe vjen një zbrazesirë me mendime therëse
Kur kronistët zmadhohen verbueshëm çdo ditë
dhe përsëri po ecin mbrapsht (faqe,30)

                   Lexoj dhe marr peshën e madhe të emocionit në ciklin "Shikom në sy vogëlushe", ku mes 15 poezive të ketij nëncikli veçoj vargjet nga poezia "Udhë të errëta" (faqe 41)

Me guri në krah
Vrapova
Caku largohej prej meje
Mollë e kuqe ikte
Çamërinë nuk e arrija dot

                   "Nata e hijeve" është titulluar nëncikli i katërt. Në 19 poezitë e të cilit pasqyrohet mjaft dukshëm realiteti i Kosoves, ku si çdo krijues nga Kosova nuk mund të anashkalojë të kaluarën e trishtë dhe peshën e madhe të dhimbjes, për shkak të rrethanave politike dhe ekonomike të krijuara nga pushtuesit, gjaku i të rënëve dhe amaneti i tyre, skenarët politikë pambarim që çdo herë venë në lojë fatin e popullit e vendlindjes së tij. Si ilustrim citoj ca vargje nga poezia "Monolog pa emer":

Kthenim kokën nga lindja
Tjetri nga perëndimi
para vehtes nuk shikonim
Dikush andej dikush këndej
Pa emër
pa mbiemër
Me nga një gur tek koka
Ca fjalë të përsëritura
Zoti mbeti trashëgimtar yni (faqe 60)

                   Në mjaft poezi Molliqi ka shprehur dhimbjen për fatin që e shpuri në ekzil, ku edhe pse i dëbuar shpirtërisht mbetet përgjithmonë i lidhur me atdheun e të ardhmen e tij. "Nëpër stacionet e mërgimtarëve" titullohet një nga poezitë, ku brenda artit te fjalës ai mbart shpresën për jetën, mallin e dashurinë për njerëzit e vendlindjen.

Sa e trishtueshme është vjeshta e kurbetqarit
Kur mbledh gjethet e saja në thellësi të shpirtit
Kësaj vjeshte e pashë trishtimin
Kur ikën dielli dhe zogjtë nga plaga ime

                   Nervi dhe talenti poetik spikat dukshëm edhe në nënciklin "Lojë sentimentale", ku si artist i fjalës dhe ndjenjave të thella njerëzore në poezinë "Kopertina e Biografise" shkëputem vargjet:

Nëpër hekurat e djegur të dritares
Prej formës së shëmtuar të pamjeve
Një veshtrim botës së tjetërsuar
Përplas sytë, kërkoj hirin e lojës së djegur
Nëpër heshtje tymon kujtimi
I përcjellur përplot ditë të shkuara

                   Me mjete të lojës estetike e stilistike Molliqi shpalos para lexuesit një novacion artistik që me siguri do lerë gjurmë në krijimtarinë letrare kosovare. Dëshmi mjaft bindese janë poezite: "Nëpër plagët e dardanisë", "Për një kohë që s´erdhi", "Udhë të errëta", "Një plis i shpuar" etj.
                   Mjaft simbolike dhe teper aktuale është poezia e titulluar: "Shënim i domosdoshem", të cilën e kam përzgjedhur t´jua sjell të plotë dhe me bindje shprehem, se kjo poezi shënon kulmin e krijimeve të Molliqit në këtë libër. Si lexuese them se, autori shpalos aq natyrshëm shpirtin e tij poetik rebel , ku imazhet e tij përcillen thjesht në dukje por me mjaft ironi shpuese.

Në qytetin tim ka miza, ka lypsa, ka dashnorë
Ka gra të bukura që i nuhasin hamshorët
Ka tregtare impotent që vrapojnë pas vajzave
Ka kurva që flejnë ditën e natën bëjnë llogaritë
Ka politikanë që flejnë të djelave në Motele buzë rruge
Ka poetë që i thurin vargje qenëve të mbetur pas një pallati
Ka gazetarë që nuhatin spermat e mbetura bordeleve ilegale
Po çfarë nuk ka në qytetin tim
Ka minj të ngordhur nëpër arkivat e vjetra
Që askush nuk i shikon nga frika e emrit të vet
Ka administratore që qeshen me ato që kërkojnë një certifikate kurorëzimi
Ka shefa që urdhërojnë sekretareshat çdo ditë
të shkurtojne fustanin pese centimetra
Ka votues që votojne X-in për inat timin
Ka budallenj që harxhojnë duke qerasur komunarët e dehur
E fëmijët e tyre kërkojnë lëmoshë nëpër rrugët e qytetit
Ka po çfar nuk ka në qytetin tim
Ku jeta nis e mbaron me rimë

                   Andaj me të drejtë Adem Gashi, njeri prej krijuesve dhe kritikëve më të njohur në Kosovë rreth librit me poezi" Premiera e një pranvere" të Molliqit shprehet: Arifi është ndër autorët e paktë që ka disiplinuar ndjenjën dhe mendimin. Klithma, retorikë dhe aklamacione nuk gjejmë mandje as në vargjet për të rënët, as në mallin e kurbetqarit . Ne e dimë se shpirti i poetit lëngon e pikon lot, po Molliqi si një maestro i vërtetë bën pozën e indiferencës. Si duket vargjet janë krijuar për një lexim së brenshmi.Autori nuk është lodhur të krijojë një strukturë të përkryer formale të tipit eliptik, dhe as iluzionin e librit total. Ndarja në voriacione, në njësi ose siç është bërë praktikë të thuhet - në cikle, më shumë i detyrohet kodeksit tematik: meditim, dashuri, kurbet, po edhe tipologjisë së ndërtimit: potret, peizazh e të tjera. Ndërkaq rezonanca e librit mbështetet në imazhe harmonike të ndërtuara me mjete figurative të paradoksit, të groteskut dhe të ironisë.
                   Ndrsa kritiku letrar Shefqet Dibrani rreth poezive te Molliqit shprehet: Arif Molliqi mbetet një novator në kërkim të vlerës, në kërkim të idesë dhe si komponentë specifike ai ndërton temën, por kur jemi te poezia ai padyshim ka bërë një kontekstualizim artistik me të gjitha primesat e një poezie moderne mjaftë të përparuar.

                   Poezia e Arif Molliqit paraqet një botë të tërë ndjenjash ideoemocianale përplot metafora dhe sekuenca nëntekstore që paraqesin gamen krijuese të një poeti, i shkëputur nga atdheu për të cilin brenga e viteve vetëm sa ia ka shtuar mallin dhe dashurinë që përjetohen si një metaforë artistike, e cila mund të kuptohet më mirë nëse leximin e poezisë e bëjmë duke u përpjekur të zbërthejmë mendimet e sofistikuara qoftë si nëntekste apo siç thuhet nganjëherë nga leximi në mes të rreshtave që duken tamam si një ravijëzim i ndjenjave dhe motiveve të përjetuara nga një sekuencë përshkruese në gjithë paragrafin motivor dhe tematik, duke i dhënë imazhin e ndjenjës artistike temës a tërësisë.
Poezinë e Molliqit e karakterizon tejdukshmëria, çiltërsia dhe sensualizmi real qoftë ky edhe motivues. Kurse mënyra e rrëfimit, përkatësisht poetizimit ia shton vlerën librit si tërësi, ndërsa ritmika e dinamika janë një diskurs poetik që reflekton ndjenjën, shqetësimin dhe preokupimin e poetit.
                   Ndersa poezinë "Shenim i domosdoshem" Dibrani e vlereson si më poshtë: "Për mendimin tim është një krijim brilant, mjaftë i sforcuar në aspektin figurativ, ku ka një qasje reale e qe posedon të gjitha elementet e një poezie që duhet të veçohet për vlerat e saj antologjike".

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen