Freitag, 11. Januar 2019

E dashura ime Eva


Prozë poetike nga libri i tetë, “E dashura ime Eva”


NGJYRA E KUQE

(Fragment nga një prozë poetike që lindi si plagjiaturë) 

(...Në mëngjes pa nisur ende detyrimet hipokrite mëngjesore 
Ajo e piu kafen gjithsesi me përfytyrimet për shoqen dhe plakën 
Edhe në këtë mëngjes gjithçka e njëjtë, të përsëritura dhe ripërsëritura 
Në mijëra vit në forma grafike pa thyerje. Të palakuara dhe jo paralele.
Pothuaj nuk ndryshonin as fytyrat që takonte çdo ditë, as femrat buzë lyer as lehjet e qenit në shëtitjet e zakonshme që ua bënin zonjat.
Pasi tashmë e kishte rrotulluar disa herë filxhanin e kafesë, 
Nuk gjeti asnjë shenjë ta përcaktoj fatin e ditës  
Shikoj edhe njëherë vetën para pasqyrës, zbriti shkalleve
Duke ecur mendoi, jam veshur më shije fiziko seksuale por
Brenda kodit morale, nëse për gjëra të tilla ka kod të shkruar 
Rrugës instinkti e bëri të ndaloj të semafori më ngjyrë të kuqe ngase 
E kuqja është ngjyra e dritës se prostitutës. Ndalimin nuk e bëri 
Sado që ngjyra e kuqe është norme ndërkombëtare për ndalesë. 
Eci nëpër sheshin e uritura për pak dashuri njerëzore për një klient 
Gjithçka po e bënte me ritmin e përditshëm, që përsëritet e 
Ripërsëritet si mijëra herë, ashtu siç përsëritet historia, siç 
Përsëriten lojërat e fatit siç përsëriten veshjet dhe zhveshjet
Njëtrajtshëm siç përsëriten ecjet nëpër qytetin plotë ngjyra të kuqe 
Vetëm katundarët kur ngrihen në mëngjes, kur dalin në fushë, 
Ata ecin ndryshe qoftë edhe duke vrapua 
Qytetarët në mëngjes që dalin për kafe, ose në mbrëmje shëtisin 
Bashkë më thashethemet e botës, bëjnë ecje elitare, madje me kollare 
Dhe jaka të lustruara dhe koka të ngritura dhe buzë të lyera
Në kryqëzorin e rrugës tek hoteli i dikurshëm “Bozhuri” 
Dëgjoj një zë të trashë prej burri që i erdhi mes zhurmës së veturave: 
“Ku shkon moj kurve e mutit?!”
Për një çast u bë një heshtje, sa u duk se vetë qyteti ishte shembë
Ishte tretur brenda një mjegulle. 
S´kishte më as njerëz as vetura që lëviznin, 
S´kishte as shtëpi as pallate. S´kishte as biseda, as qeshje.
Të gjitha, nata dhe terri, pallati dhe ndërtesa e teatrit, 
Veturat dhe vozitësit, sikur u treten, u shkrin, u bën hi. 
U duk sikur vet bota po mbante qetësi, ngaqë edhe vet frymëmarrja
Vështrimet e saj të skuqura, pa jetë, ishin ngulur 
Në trotuarin e betonuar pa pasur guxim të shikonte nga i erdhën ato fjalë.
Ajo bëri sikur nuk e dëgjoj asgjë. 
Heshti...
Drita e kuqe dhe klienti i parë po e priste n´radhë...)

(Janar, 2012)



MOTIVI I ADAMIT PËR REBELIM

1. Motivi i parë-prologu

Një përfytyrim i mbërthyer plot ethe, plot zjarr
Imazh përplasësh enigmatikë që nuk zgjidhet
As përmes pergamenave intriguese
As përmes zgavrash të kafkave plot shungullimë
Mbase jeta e njeriut është jetë e gjakut
Ku pret të kthjellohet errësira n´fund natës
E njeriu duket se ka lindur si eksperiment
Ose ishte kurth i ngrehur nga paranjeriu
E ku pra veç aty në mëkatet e pashpjeguara
Nëpër legjenda e biografi të gozhduara
Edhe nëpër festat e mërzitshme të shënimeve
Nëpër ikona prej prushi brenda kornizave
Që sërish po vijnë sa shpesh kanë ardhur
Për fat të keq n´kohë të papërshtatshme ka ndodhur
( Intermexo-koha e pushimit)
Nga ikonat e njeriut të parë
Imazhet nudo kanë mbet’
Saktësisht kanë mbet’ piktura më ngjyra të zbehta
Me ujë të ndotur e të ftohtë punuar
Ndoshta me lëng të borës se kuqe a të zezë...
Enigmë kjo e neveritshme e turmës
Që zbriti një mbrëmje të ftohtë dimri
Po prit, prit të shohim ç´janë ato ikona
Varur në muret e stinëve tona të mërzitura
Figura të mëdha kujtime të përsëritura
Rebelim enigmatik që shëtit poshtë e lart
O sa kemi dhimbje për fotografi në mur
E nuk kemi dhimbje për dhimbjen


2. Motivi i dytë - formë rebelimi

Ky përfytyrim aksidentalisht erdhi tek ne
Si terapi e zbehtë
Krejt e zbehtë dhe e pangushëllueshme
Sikur t´kishte ikur nga vdekja nga boshllëk i pafund,
Nga një terr që ia kalon ëndrrës erotike
Errësirës së natës, bile edhe natës se varrit.
Kur qorton jetën e brishtë të botës së amshueshme
Dhe trazohet vetmia melankolike e përgjumur
Në ketë rebelim dikush fle tjetri qan skaj tij...
Ne nuk arrijmë gjer te kohë e tij epsh ndezur
I bukur që rri i mbyllur në vetvete
Sa kam dashtë ta njihja ashtu të ftohtë
Edhe në kohën kur përkundej trishtimi
Ashtu e pathyeshme dhe e qëndrueshme,
I pasionuar pas së bukurës dhe të shëmtuarës
Ta njihja si hamshor edhe si dashnor
Me motivet e trazuara që ecte me aq rebelim
Duke kërkuar diçka tehut të shpatës
nëpër të cilën eci me aq dashuri
Ai që një ditë kishte harruar se është mëkatar i madh
Ngase nuk vdiste për çka do...
Nuk vdiste për një fjalë goje
As nuk vdiste për qejf të askujt
As për një Mollë të ndaluar
Që thanë se ishte rebelimi i parë i Tij


3. Motivi i tretë-provë për dialog

Të gjitha këto u përsëritën në përfytyrimet e mia
Herë të zhveshura nga kuptimi i vdekjes
Herë si kërkesë e përgjithshme e njeriut që e ka
Fuqinë e fshehtë e të mbyllur në palcën e ashtit
Këmbënguljes sime nuk i përballoi dot kur ecnim
Nëpër një rrugë paralele me shumë udhëkryqe
Pa pasur guxim të ndaleshim në një pikë
Të kthehemi as majtas as djathtas
Të ecnim n´atë rrugëtim, aq paralel aq intrigues
Që edhe kur dukej se po takoheshim nuk takoheshim
Edhe kur gjithçka dukej se po afrohej në një pikë
Ato largoheshin aq shumë iknin njëra nga tjetra
Një ditë kur erdhi ora e provës
Rrëfimi filloi të ecë bashkë me shiun e rebelimin
Në të vërtetë çështja e shiut ishte bërë
një dukuri magjike
Mbi tokë terri para nesh rruga dukej e zezë
Vetëm kur e shikoja errësirën sikur e krijoja mendimin
Se pikërisht terri ishte i përshtatshëm për kohën
Që ngërthente në vete si enigmë e pazbërthyer
Ishte dilema pse ky njeri të jetë kaq i mbyllur në vetvete
Kaq enigmatik dhe kaq i ftohtë në kontakt më të tjerët
Ky përfytyrim vazhdonte të më rrinte përpara gjithë kohën
Në një çast m’u kujtua një moment tjetër
I rrallë që e kisha kërkuar gjatë
Por çuditërisht kur desha ta kap nuk arrija ta zbërthej
Duke mos dashur të ngatërrohem më këtë dilemë e lash anash
Shiriti i kujtesës sime ishte i mbyllur në një çark
Brenda të cilit dëgjoj gjithfarë zhurmash e pëshpërimash
Sikur më thoshin “Ti nuk e ke njohur sa duhet atë”
Nuk e kam njohur ngaqë e takoja shumë rrallë
Ngase figura e tij ishte mbështjellë më një tis mjegulle
Dhe pikërisht për ketë pas çdo takimi më të
Në mendimet e mia krijoheshin rrathë enigmatikë


4. Motivi i katërt- epilogu

Herë pas here figura e tij më shfaqej nëpër shi
Kohë të ftohtë grykës së përroit nëpër ujë i zbathur
Shiu vazhdonte të binte, ndërsa nëpër bregun e përroit
Ecte me ca figura duke u qeshur e qeshja e tyre
Krejt trembshëm po i thoshte se njeriu s´ mund të lumturohej
Me trishtimin e tjetrit as nga mundimi i tjetrit
As nga plagët e tjetrit veç nëse kështu kuptohej dashuria
Ndodhte gjithmonë kështu, ndonëse mundohesha të mos e lëndoja atë
Në këtë kohë nuk u orvata ta provoj ndryshe zbërthimin e asaj kohe
E as figurat e atyre dy grave të bukura mbështjellë me mantela
Që ngjanin si varre të akullta të lagura mizorisht
Një kohë të ftohtë por që ngjyra e kuqe të shtynte ta imagjinoje
Gjakun zjarrin ose gjakun e zjarrin së bashku
S´di pse por nuk me pëlqente që këto pamje
Gjithmonë me dilnin të punuara me ngjyra akuarel
Ngjyra uji të zbehta nga uji i tepruar nga uji i turbulluar
Nga uji i ftohtë, lëng bore...

(Dhjetor 2010-janar 2011)



E DASHURA IME EVA

1.

Ishte si atëherë kur një errësirë e padukshme
N´vendin e territ vuri dritën mbi gjithçka t´rrënuar
E trazoj heshtjen dhe zërin e përgjumur
Pastaj nga pamja e turbullt nuk mund ta kuptoj
Pse ishte ajo ngjyrë aq e trishtuar aq ndryshe
Diçka që mundohesha ta ktheja sërish te fillimi
Në kohën kur Unë dhe Eva bënim dashuri krejt ndryshe
Kur shpirti ynë kishte arritur në tempullin e një kurthi
Unë trofe i saj mes tingujve e lojërave i robëruar
Ajo me kurorën mbi kokë mes miteve pezull ngujuar
Erdhën demonët hynë mes jetës së dyfishtë
Që tashmë ishte shumë vonë për t’i larguar
Shpirtrat e lënë peng borxhlinjve antikë
Në kodet abstrakte u definua një mollë një ftua
Një shesh i vogël n´atë kodër mbi kodër Eva
Një ekspeditë varrmihësish gremiste mbi kohën
Përbri tyre udhë e harruar një qytet i improvizuar
Një varr i hapur brenda tij ëndrrat e balsamosura
Eva dhe unë pastronim hieroglifët e meitë


2.

Koha ishte e vranët binte shi i imët a breshër
Mjegulla me një ngjyrë të përhimët po shtrihej mbi fusha...
Drita e zbehtë as diell as hënë as natë as ditë
Shoh një grua që rrinte mes varrit dhe niste të zhvishej
Një grua lakuriq mbi sarkofagun e përhimë
Masturbonte me hirin e trupit të djegur...
Ju rrëfej edhe pse kaq vonë s´kam vërejtje asgjë
Sa veta ishin lakuriq as trishtimin e varrmihësve
Ngase m´u duk sikur isha në teatrin e qytetit të shembur
Në shfaqjen që e kisha shikuar të shtunën e fundit të muajt prill
Ngjashmëria mes teatrit dhe varrit ishte simetrike


3.

Në qytetin e shembur pash varret e pambuluara
Varrmihësit kërkonin nëpër gërmadha qytetërimin
Gjymtyrët e Evës në kopshtin e Edenit
Veshur hollë në hije të një molle t´shenjtë
Moshën e saj dhe mëkatin e gjetën në sarkofag
Në teatër një improvizim nga zanati i vjetër
Para dritave të kuqe Eva shëtiste pas mesnate
Priste një burrë lakuriq tek ecte i vetmuar
Për t´kapërcyer ngjyrat e ylberit pas breshrit
Një liliputen bashkë me organet e veta të varura në çengel
Mes tym cigareve të djegura e kujtimeve të pasistemuara
Kur spektatorët qanin e qeshnin pakuptueshëm
Duartrokitje urime...urime e duartrokitje ...
Në fund krejt në fund luteshin e luteshin
O Zot ku është Kopshti i Edenit
Eva dhe i dashuri i saj ku janë
Apo gjithçka kishte qenë vetëm ëndërr
Apo gjithçka kishte qenë vetëm teatër


4.

Kur nata po ikte dhe drita kishte zbritur mbi qytet
Eva në banjë pastronte diellin e zhveshur
Pastronte frymëmarrjen e rëndë të natës
Kur u nis për t´ua vënë shenjat rrugëve të Malit të Edenit
Shpirtrave të brishtë t´ua shuajë yjet e ndezur
Që ecnin të vetmuar më shumë se të vetmuar
Mbi supe bartnin një peshë të rëndë
Vetëm mua më dukej se e dashura ime Eva
Ecte ngadalë nëpër shtegun e pashkelur të zemrës
Syve të mi të hirtë t´u hiqte perden e ngrirë
Kërkonte të pushtonte më tepër pjesë të mia
Të më mbronte nga ringjallja e përbindëshit
Nëpër ato mijëra kryqëzime njerëzish
Ah jam lodhur duke marrë frymë për çdo gjë
Në çdo kohë për qenien time të zbrazur
Bashkë më klithmën e thatë që bëj zhurmë
Por të gjithë nuk e pranojmë mëkatin
Janë bërë të zakonshme dashuritë si loja e fatit
Mëkati im është vëlla edhe me të tjerët
Që grinden e grinden vazhdimisht për jetën
Apo ndoshta gjithkush i merr me vete
Në udhëtimin e natës së parë për në parajsë
Këtu thashethemet dhe të vërtetat janë bërë një
Unë dhe e dashura ime Eva n´prag të ferrit
Zgjedhim rrugën për në bahçen e Edenit


5.

Kisha kaluar ditë e ditë duke u përplasur
Me aq shumë net të gjata pa gjumë
Duke u pyetur për çfarë arsye kisha frikë
Ndoshta kurrë s´do ta kuptoj ç´fjalë t’i gjej dashurisë
Ngase edhe pas një mijë vjetësh nuk e njoha
Pse përherë përsëriten ëndrrat dhe fjalët
M´u kujtua moti kjo ka ndodhur unë dhe Eva
Ndoshta Eva dhe unë matnim hijet tona
Që nga lindja edhe sot e gjithë ditën njësoj
Edhe ato qeliza të pagjumë dikujt po i shërbejnë
Për mijëra kryqëzime njerëzish përbindësha
Herën tjetër na mësojnë si të grindemi mes vete
Duke kërkuar diçka që s´e gjej dot
Magjinë e fjalës që s´i trembet kobit të vet
S´i trembet as kur i zë myk ndërgjegjja
E dashura Eva dhe unë bëmë lojë të çuditshme
Ajo me puthje unë me prekje gati hëngrëm veten
Pa e mësuar vetveten kur mund të bëjmë mëkat
Meqë të tjerët na mësojnë çka është dashuria
Nga ne fare nuk kërkohet të mendojmë por vetëm të mësojmë
Të mësojmë të mësojmë dhe të trajnohemi
Sepse kur fillojmë të mendojmë me kokën tonë
Atëherë bëhemi të lirë në të vërtetë bëhemi të lirë
Brenda trinomit ëndërr mëkat dhe liri


6.

Gjithmonë kur po i rrinte pasqyrës përballë
Pamje të verbër i krijoi avulli i frymëmarrjes
E pa veten të uritur a ishte ajo a s´ishte
Kjo i ndodhi mbas natës që qëndroi nëpër shi
Duke e shpërla një baltë të zezë nga liria
Të mos e lërë ortek të bëhet n´trupin e Ilirisë
As gjurmët e thonjve të mbetur n´pasqyrë
As fjalët e ndyra nga gjuha e bishës tek njeriu
Zunë vend në hijen dhe gjërat që i trashëguam
Atë ditë e sot secili e hesht heshtjen e vet
E një zot e di cili e ka peshën më të rëndë
E dashura ime Eva apo unë me një qeleshe
Ajo që s´ma kujtoi harrimin tim
Që s´u durua pa e pyetur për prekjet e ftohta
Duke e pritur shpërthimin e zjarrmisë së pafund
Të grumbulluar në brendësinë e shpirtit të shenjtë
Ku dhembjen mbas vetes do ta marr
Bashkë më pushtetin e varur mbi teh jete
Kur gojët memece më shajnë si gjithmonë
Duke kërkuar diçka që s´e gjej dot
Sa herë njeriu bën duel me vetveten


7.

Jashtë duhej të kishte rënë terri kur
Dikush shkroi diç në pergamenën tanë
Kohët hartat ia ndryshoj edhe fërkemet
Nga dritarja që ishte hapur hynë lakuriqet
Kjo bimë kafshe nis ta rrisë shtatin
Në dhomën e errët që çdo gjë ishte e zezë
E zezë si futa që askush s´i zuri besë kur
Ishte strukur heshtja ishte futur në fjalë
Po e therte fjalën po brente mendimin
Përveç territ një dritë e qiriut qëndronte
Gjithë kohën mbi tavolinë ndezur kur
Mbrëmë u grinda përsëri me terrin
Të dashurës sime Evës dhe mua
S´na lë të flemë mosha datat dhe numrat
S´na lë të flemë as Antika as Mesjeta
As lufta e parë, Berlini e as Londra
As një e krrokatur ashtu nëpër themele që
Këndonte natën ditën na e ledhatonte ballin
Kaq e paqartë ishte fjala e paqartë vdekja
Dashuria bukuria jonë majë krismash
Hyri mes meje dhe të dashurës sime Eva
Dhe na zuri gjumi


8.

Vetëm dhoma e errët shtrati i paprekur
Nën vështrimin tashmë të përsëritur
E mbushi me frymë e dashura Eva
Derisa ngutej ta kapte çastin magjik
Në një vend të frikshëm plot ëmbëlsi
Me një mall të padukshëm brenda
Pa e kuptuar se zjarrmia mund të jetë tragjike
Më në fund qëndroi një kohë të gjatë
Para xhamave të pasqyrës e shikoi veten
Në gjinjtë e saj të shtrydhur digjej e zeza
E shpirtrave të brishtë që ishin deformuar
Turbull u përpoq të kapte diçka që i iku
Ishte me sa duket një pamje tjetër
Dikush që përpiqej t´ia largonte buzëqeshjen
Një i tretë që ia kafshonte gjuhën
Natës së vdekur t´ia hiqte mërzinë
Pse kishte fjetur me krenarinë e koduar
Dhe rastësisht krejt rastësisht me nerva
E dashura ime Eva zdirgjet Grykës së Deçanit
Më fjalët e grisura që e rëndonin në shpirt.


9.

Në premierën e fundit para portës qiellore
I tregova Evës mendimin që s´trembet
Se në ashtin tonë dhimbja është e thellë
Është e rëndë sa pesha e gjakut e mishit
Sa një shtresë e dashurisë që mbulon vendlindjen
Sa lufta jonë që kishte një kuptim ishte dashuri
Që jetonte mbi kufoma, mbi shpirtra, mbi ëndrra
Në luftën në kemi ditur të dashurojmë pa kufi,
Derisa na shikonte oh qielli me vrima të zeza
Nuk mundnim pa klithur Oj dashuri e shpirtrave
Eja se nuk kemi çfarë të humbasin sonte...
E kam thirrur edhe shkrimtarin Paulo Coelho
Të na tregonte se në luftë njerëzit janë të lumtur...
E ne gjithmonë në luftë jemi, e dashura ime Eva...
Çdo ndjenjë çdo dhembje gjen shërim aty
Ku merr udhë kur tashmë ajo frymon
Rrëmbyeshëm dalin nga shkrumbi i shtëpive
E treten në hapësirë lotët tanë të vakët
Puthjet tona rikthehen në gjirin e luleborës
Nëpër gërshetat e vashave që dashurojnë
Me bukurinë e Gjeravicës hirplotë
Në botën e pambarimtë Perëndia është Dashuri
Ajo nuk shtrihet asnjëherë në vetmi
As ndaras E dashura ime Eva që më the
Ti ke ëndrrat e tua varret dhe kështjellat
Ti s´je si unë,
Unë jam vallëzim që jetoj pranë syve tu
Jam ajo që s´merrem me dyshime aq më pak
Mbase i kalova të gjitha ato simbole trishtimi
I tejkalova përrallat që nuk shpjegohet historia
Vetëm aty luteshim vetëm aty i mbyllnim shekujt
Ashtu jetonim duke i besuar bukurisë së saj
Dhe gati e paskam humbur rrugën për në Dardani
Më dhimbset në shpirt se duhet ta braktis
Më dhimbset se më paska dashur tinëzisht...


10.

E dashura ime Eva dëgjonte dhe qante
Tek bridhnim nëpër brigjet e ftohta të dashurisë
Të bukurisë që kishte lindur nga gjaku im
Mbi dhembjet e durimit mbi gjurmët që s´i shkelim
Dhe mbi vitet e të ngujuarve për dashurinë e saj
Nuk mund të harrohen as muret e ngjyrosura
Kur ne bëjmë gjoja nuk ka ekzistuar dashuria
Fshihemi pas yllshuarve e një zot e di ç´shohim
Gurë e gurin e madh të kufirit dhe heshtjen
Mbi të kuqen kronika dhe muret e zeza
Që pillte gjithnjë e më shumë zbrazëti shterpësi
Gjithçka duke e treguar në të njëjtin kuptim
Sikur e kundërta s´është as mëkat as kryengritje
A nuk është vetëflijim kur krijon marrëdhënie
Me jetën e të tjerëve duke mashtruar me origjinë
E mendon se ata shpirtra trupit i japin zjarr
Shkojnë udhës së vet me kohën tjetër
Këtu s´ka vend më vdes duke kënduar
As për të kënduar duke vdekur natën vonë
Por nuk e di nëse kjo është zgjedhja më e mirë.
Për ta ndalur ujkun që hyn në kremator
Të drejtën për të jetuar e ka gjithkush
A s´ma ke thënë liria është vetëm një ndjenjë
Disa luftojnë për të t´kthyer te emri i moçëm
Disa ikin nga një fillim nga një fund që
S´iu mjafton këngë e dhimbjes as krenaria


11.

Ngase e kam gjetur atë që do të jetë imja
Ngase Unë jam mësuar me këtë jetë
Edhe pse kur u ktheva e kisha vështirë
Përpara se të isha njohur më shumë nga këta njerëz
Kisha humbur kohën kot duke ndenjur në një vend
Ndërsa tani e kuptoj se nuk ishte ashtu
Nuk i ndryshoj mendimet ngase s´di ç´ka përtej dashurisë
Nuk kemi ngrënë të parët nga bahçja e Edenit
Mollën e ndaluar as sytë e njëri tjetrit as farën
Thonë se do të mbijë një pip i ri për trashëgim
Janë gratë që marrin ujemin e na ruajnë
Nga uria etja nga frika që n´gji t´nxehtë rri
Ndërron jetë stina dhe e lind njeriu njeriun
Kur e dashura ime Eva dhe unë
Nga një plasë kërkojmë kohën që na vjen
Brenda një rrethi që s´ka as fillim as fund
Fillimi i fillimit është dashuria dhe lindja
Fundi i fillimit është trungu i moçëm
Që përpara se të nisin udhët hapat e mi
Të rëndë si plumbi e më të rëndë se amaneti
Mos lejo shpendkëqinjtë nëpër terr ta prekin gjuhën
Kurrë mos i hiq dhëmbët e parë para të fundit
Mbasi s´ke me çka të kafshosh terrin
Nata ta luan lojën e mundi të shkon huq
A ka dalë bregut lumi a nga shtrati dashuria
Se përditë më shumë fjalët e prishura po vërshojnë
E vështirë e ke o e dashura ime Eva vështirë
T´i shpëtosh të vdekurit para të gjallëve



12.

E dashura ime Eva dhe unë
Kemi përtypur trohet e kohës duke ia grimcuar
Reliktet gurit, bronzit, mesjetës dhe Kohës së yllshuarit
Dashurive ua shprishëm trimërinë, ua vaknim gjinjtë
Për borën e bardhë thamë se ra e kuqe
Ngase qielli ishte i përgjumur e sytë i kishim mbyllur
E mbi kulm shpendi i keq na mashtronte se
Asnjë rrugë që çon atje s´mundet për të shkuar
Janë prishur urat është shlyer kujtimi për Rozafën
Atje fëmijët nuk ushqehen me tamblin e nënës
Hanë fjalë hanë yllin e mbramë në errësirë
Se atdheu e dheu ishin këngë e qarë me hutë ishin
Pragu i shtëpisë i përjargur nga droja
E dashura ime Eva dhe unë
Ia lidhëm plagët hutës që kishte zënë ndryshk
Më një mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e tetë

(Dhjetor, 2011)



NEKROLOG PËR JUSUFIN
( Jusuf Gërvallës )

S´ishte kohë e shurdhër ishte kambanë
Që rrahu tokë e qiell rrahu natën e zezë
Ishte zë kënge që vdekjen e dridhi
Një sy që i binte territ fort heshtjes vonimit tim
Ishte fjala që shuante etjen, kitarë që shuante dhimbjen
Duke dëgjuar melodinë nën blinin hijeplot
Që bletët i mbushnin hojet derisa zogjtë këndonin
E fjalët e tij na ruanin nga lavër e zezë
Një shekull e shkundi e zgjoi nga përgjumja
Kur nata merrte të veten terri të veten
Kur vinin mëkatarët vinin djajtë
Merrnin diç nga bjeshkët nga zogjtë tanë
Që na mësuan si vdiset n´dheun ngjyrë tjetër
"Shtatë ditë n´ Dubovik"
E shtatëqind vjet nipëria do të këndojnë
Duke ecur bashkë me ashtin e këngës
Kohë të mbarë udhë të mbarë kishte ecja me Ty
Ka dritë të ndezur emri yt n´çdo kohë ka
Zjarr të ndezur ka qielli krisma
Vetëm dhimbja, vetëm gëzimi dallojnë
Kur ndrydh kur shtrëngoj vitet
Kur gjurmët e ujqve buzë muzgu zënë prita
N´pritë nuk ramë në pritat e pafundme
Veç dëgjuam tri të shtëna tri shëmti të vjetruara
N´atë shtatë që tenja s´mund të zinte vend
N´atë vend ku nata më e gjatë lëngoi dhe
Vajti i trembi retë e zeza korbat i trembi

(Dubovik-Llukë e Epërme,03 maj 2010)

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen