Montag, 14. Januar 2019

Arif Molliqi, poet i kërkimeve të detajuara...

Nga: Shefqet DIBRANI

Arif Molliqi: „Si kripën të kam dashtë”, poezi, ShB “Armagedoni”, Prishtinë 2018.

Vëllimi me poezi “SI KRIPËN TË KAM DASHTË”, qysh në titull përmban një metaforë të fuqishme duke e lidhur motivin poetik me një substancë kimike e cila në aspektin shëndetësor e jetik imponohet si domosdoshmëri për t’u shijuar. Pra, nëse organizmi nuk mund të jetojë pa kripen kurse poeti nuk mund të kaloj ditën pa shkruar ose pa lexuar një varg me poezi atëherë për njeriun e zakonshëm mbetet dashuria për tu materializuar, jo vetëm si nocion poetik por si një realitet i përjetuar, i përshpirtëruar pa të cilën as qeniet tjera e as miza e dheut nuk kalon ditën e le më njeriu i zakonshëm. Së këndejmi titulli i librit vjen nga një poezi po me këtë titull që është bartur edhe tek një cikël brenda këtij vëllimi poetik si një metaforë e fuqishme e lirikës poetike: “M’ke n’xanë ngushtë/ e s’mundem me ardhë/ sa fort malli m’ka marrë/ jam mësu me ty e s’mundem pa ta thanë”, e shkruar në një gegërishte të përpunuar ashtu siç janë të përpunuara gjithkund e gjithkah metaforat e kësaj lirike goxha erotike: “Kjo ndodhi kur gati patëm harru/ diqysh të untuem njëri-tjetrin e kemi mësy/ n’pjesë të mishta gati jemi mbyt”, faqe 39.
Me gjithë përpjekjet, mendojmë se brenda librit jo rrallë kompozicioni mbetet në nivelin e dëshirueshmes por jo edhe ana artistike e poezisë e cila është latuar ma mirë. Kjo e metë vërehet kur poeti ngulmon për të parafrazuar apo për të tharbëtuar një ves të keq politik a një veprim të shëmtuar që ka të bëjë me politikën ose “Politikanët”, nga të cilët, siç paragjykon ai: “Nëse një ditë do të pëlcas/ besomëni/ ju do të bëheni shkas/ nga injorimi që i bëni këtij populli/ /e ai vazhdon/ vazhdon/ vazhdon/ t’ju vij pas”, faqe 113, duke vënë në spikamë, kuptohet përmes ironisë, një paradoks i cili aktualisht e ka mbërthyer popullin, por votuesi me gjithë zhgënjimin që ka tek politikanët, përsëri të njëjtit i zgjedh dhe po atyre pastaj iu shkon pas?!
Pavarësisht këtij indikacioni, nëse bëhet leximi artistik i kësaj poezie, do të dal një imazh poetik i sforcuar, prandaj ne po bëjmë përpjekje për të mos rënë viktimë e verbit kritikues, sidomos në një kërkim zhbirues për t’i gjetur e zbuluar personazhet a protagonistët që iu kushtohen, ose që ishin shkas për të dalë këto poezi?! Ne po bëjmë një lexim artistik duke menduar se kjo poezi është shkruar para shumë e shumë vitesh që nuk ka të bëjë gjë me realitetin e tanishëm, sepse duam për t’i shijuar më mirë disa sintagma artistike, dhe mjaftë vargje të tjera të realizuara me përkushtim. P.sh.: “Terri është mbret i mërzisë” sidomos në “kohën kur i mashtrojmë fëmijët për gjumë”, ngase si duket “terri është akti i fundit kur lutemi”, faqe 115, ose kur “të ngremë kulla me eshtrat e të ringjallëve”, faqe 11, atëherë kur “ishin ditë të lëna pengë nga një kohë tjetër”, faqe 25, pasi siç shkruan edhe vet poeti “nuk bëhesh i mençur/ assesi/ kur dikush mundohet ta ndalë kohën”, faqe 33, etj.
Ky ngarkim emocional si përpjekje figurative del në dukje, jo gjithmonë ajo që vet poeti synon, por poezia e këtij libri, krahasuar me librat paraprak ka një qasje figurative e cila duket se vjen nga përvoja krijuese, kurse poetin dhe librin i bënë për t’u veçuar. Nuk mund të përjashtohen reflektimi i rrethit dhe shoqërisë nëpër vargje e poezi të shumta, ku shihet qartë se poeti nuk ka anashkaluar pa e kritikuar verbin politik, i cili në disa raste është shkëndijë për provokime poetike siç shprehet në një varg: “Lumë ai i lumi që vdes pa sharë”, në të cilën duket se edhe poeti paska ndier përgjegjësinë për vargun e ashpër me konotacione kaq kritikuese.
Natyrisht, detyrë parësore e poetit mbeten aspektet vrojtuese të zhvillimeve përreth apo ato në planin më të gjerë gjeopolitik, bashkë me ngjarjet e shumta tokësore e hyjnore të cilat janë skalitur mjeshtërisht si gjetje me mënyrën e vet, prandaj si duket ai nuk merakoset nëse poezia i pëlqen vrojtuesit apo lexuesit, aq më tepër nëse vargu i tij ka prekur sedrën e vepruesit. Poezia e këtij vëllimi shpreh protestën artistike, qoftë e ndikuar nga këto ngjarje të cilat kanë motivuar për t’iu ndezur muza poetit, ose nga veprime të tjera në të cilat refleksioni i verbit kritik bie mbi zyrtarët politik të cilët kanë bërë degradimin e shoqërisë në të gjitha planet dhe nivelit. Tashmë ndjenja patriotike ka rënë atje poshtë ku nuk mund të nxirret kollaj e as të riparohen brenda ditës e javës, fjala është për ato vlera morale e humane që janë trullosur e katandisur tej mase. Si duket degradimi etik i shoqërisë ka marrë përmasa shqetësuese, prandaj edhe poeti shqetësohet kur konstaton se: “Fqinja ime është zonjë e rëndë/ ajo çdo ditë pi ilaçe kundër depresionit” ndërsa siç shprehet poeti “liderët partiakë t’i nxjerrin sytë”.
Poezia e Arif Molliqit, sidomos kjo e përfshirë në këtë libër ka edhe nota pesimizmi dhe konotacione të shumta dëshpërimi, prandaj përmes ironisë paska konstatuar: “Ne ju çliruam, ne kemi të drejtë t’ju pallojmë?!”, por poezia e librit ka edhe një sarkazëm të hollë e cila si duket për të mos e lënë fajin jetim(?!), e mbulon dëshpërimin e ndjenjës, nëpërmes të një lloj ngushëllimi për të tashmen “të mësuar në thurjen dhe ç’thurjen e intrigave/ nga ylli i kuq bolshevik”?! Në anën tjetër ky dëshpërim masiv është bërë pjesë e poezisë emocionale, sepse shoqëria jonë që nga viti 1981, përballet dhe sfidon furtuna dhe forma të ndryshme të dhunës e degradimit, qoftë ai degradim nga “ylli i kuq bolshevik nga soji ynë” edhe atëherë “kur varrmihësi bën vetëvrasje”, ose nga ai “ylli i kuq bolshevik i sojit që na rrinte përmbi” duke qitur më në pah motivin e dëshpërimit si një pjesë e jetës së katandisur. Sipas kësaj vlen të thuhet se Arif Molliqi shquhet si poet i cili kap nuanca periferike për dukuri ekzistenciale edhe atëherë kur “pesha e rëndë e inatit/ s’të lejon të arrish cakun e vetvetes”.
Afiniteti poetik lidhet me aftësinë për të manipuluar fjalën poetike përmes së cilës nxjerr një vlerësim ekspresiv i cili atë e bënë edhe si poet të rebeluar dhe shpeshherë të pa përmirësuar duke e thënë mendimin përmes imagjinatës e cila ka një fiksion artistik të qëlluar atëherë kur “terri është mbret i mërzisë/ është heshtje e pabesë/ kohë kur i mashtrojmë fëmijët për gjumë...”.
Kështu është ndërtuar përmbledhja “SI KRIPEN TË KAM DASHTË”, e cila ka një ndjeshmëri që përcillet me intensitetin e veprimeve dhe të situatave jetësore ku përmes artikulimit poetik poeti ka nxjerr emocionet jetësore për disa dukuri për të cilat ai mendon se shkojnë në dëm të zhvillimeve shoqërore e kulturore por edhe aso me përmasa shkatërruese, qofshin ato degradime në florën dhe faunën e trevës, të vëna në pah përmes poezisë “Vrasja dhe vdekja e Lumëbardhit”, faqe 9, në të cilën poeti shprehet se “kështu ndodh kur katërkëmbëshit flasin dhe veprojnë”, ndërsa verbi poetik në formë ofshame bie si rrufe tek poezia “Te Kulla e Zhlepit”, kur ai rënkon se “te Kulla e Zhlepit lutem... /se për herë të fundit... për të fundmen herë i lirë/ te Gurrat e Bardha... ujë të ftohtë do të pi”, faqe 75. Në këtë metaforë elementi i tragjikes bëhet fenomen poetik, pasi autori vazhdimisht nuk pajtohet me degradimet e gjithfarshme e të gjithëllojshme të cilat kanë ndikuar edhe në vlerën esenciale të shoqërisë e cila dita ditës po tregohet e pafuqishme për tu bërë zonjë në vendin e vet. Ky intensitet racional dhe po aq emocional e bënë specifike poezinë e librit dhe të këtij poeti në përgjithësi, andaj edhe konotacionet e tmerrit e të shqetësimit artistik janë produkt i realitetit dhe bëmave të shumta që kanë degraduar gjithandej duke prodhuar dhembje dhe shqetësim, letargji kjo mjaftë e pa shpresë ku ka rënë kombi në përgjithësi.
Arif Molliqi, mbetet poet i kërkimeve të detajuara, por duke e lustruar poezinë e tij me elementin e të folmes nga treva që vjen e bënë vargun edhe më figurativ dhe më përjetues, ndërsa lexuesi lehtësisht e kap esencën e kësaj ofshame artistike për bëmat e pafundme të shoqërisë sonë. Sidoqoftë Arif Molliqi bënë gjetje poetike për ta kthyer dhe vetëdijesuar lexuesin të cilin e freskon me vargje si “promenadë verore apo limonadë kulturore”, që e këndellin nga ankthi i metaforave të theksuar më lartë!...
Të gjitha këto nuanca përbëjnë esencën e jetës poetike e cila vjen mjaftë e dendësuar dhe nëse mund t’i japim ngjyrë do të duket e bruztë, pasi realiteti është i tillë. Ky ligjërim poetik është si një lloj energjie që është në shprazje të bufit e dufit artistik, duke e vënë në sprovë verbin poetik si një potencë e perceptimeve të vyeshme artistike e letrare pa të cilat nuk mund të shkruhet një poezi e cila lehtësisht kapet nga lexuesi i saj.
Nuancat poetike, si metaforë e përhershme janë një semantikë letrare e cila gjendet e sforcuar në poezinë e Arif Molliqit i cili të gjitha ngjarjet i kundron nga larg, pasi siç dihet ai që prej sa vitesh jeton dhe vepron në Hamburg të Gjermanisë, me ndonjë element nga risocializimi në kulturën gjermane na dëshmohet në ciklin “Fshati me një refugjat” që i kap disa elemente të këtyre ndikimeve, sidomos ky ndikim vërehet në poezitë: “Kapërcimi i kufirit”, “Pres radhën të fotografohem”, “Te liqeni”, etj., me një fjalë, poezia është përkushtim artistik i një poeti i cili prej kohësh është i shkëputur nga atdheu i tij, prandaj nëpër krijime të kësaj natyre pranohen elemente për birësime të reja.
Në këtë prizëm duhet shikuar edhe simbolikën e mërgimit dhe dashuria e sforcuar a sfilitur për atdheun, të cilat janë dy shtyllat kryesore të kësaj qasje poetike të cilat marrin dhe i japin njëra tjetrës. Arif Molliqi edhe mallin, por edhe ëndrrat e tij i sheh në Kosovë, prandaj poezia e tij nuk do ta kishte këtë vlerë sikur të shkruhej nga një autor i cili me kohën ka braktisur atdheut duke ua kthyer shpinën shumë e shumë proceseve dhe zhvillimeve socio kulturore. Por tek Arif Molliqaj ndeshim një nostalgji e mall tjetër që mjaftë mirë materializohet në poezinë “Llukë e Epërme”, e shkruar në muajin shtator 2014, në të cilën shprehet: “Këtë të shtunë/ s’kishte asgjë të re në Llukë/ pos një puthje e akullt/ dhe një udhëtim/ k r y e n e ç”, faqe 55.
Metafora e Arif Molliqit është një simbiozë simbolizuese e cila ruan diçka nga tradita prej nga vjen autori, diçka e përpunuar nga ambienti gjerman në Hamburg, me të cilat ai ka ndërtuar një varg shprehjesh, po më shumë meditimesh ironizuese duke i dhënë karakteristikë më specifike poezisë, qoftë ajo lirike apo pjesës satirike, prandaj ciklet e librit përbëjnë frymëmarrjen e librit pa të cilat nuk mund të ketë jetë. Poezitë janë sistemuar sipas motivit apo përkushtimit duke e koncentruar verbin e ngjashëm brenda suazave të një cikli krijues, të cilat përmes atyre formave dhe teknikave të shkrimit poetik kryekëput paraqesin shqetësimin autorial për bëmat dhe rrjedhat e zhvillimeve socio-kulturore dhe politike në atdhe për të cilin i ka shkruar këto vlera sentimentale në raport me jetën dhe zhvillimet e realitetit jetësor mjaftë kundërthënës. Këtë mendim më së miri na e ilustron tek poezitë “Mjegulla në kryeqytet”, “Kryeqyteti i krimbave”, po sidomos te poezia “Dhimbje ndryshe”, në të cilën shprehet: “Isha në Kosovë/ dhe pashë atë që s’e keni parë/ /e pashë veten time në dy pjesë/ i huaj më thanë aty/ unë i treturi regjistruar këtu”, duke e mbyllur këtë poezi me ironinë që shpreh tragjizëm trishtues, sidomos kur “pa sy/ do ta presim pleqërinë”, faqe 58.
Degradimi i mjaftë vlerave njerëzore po sidomos i raporteve sociale e socio kulturore janë bërë pjesë e shqetësimeve të gjithmbarshme, prandaj poezia e Arif Molliqit është e mbushur me nota të tilla mikluese, pikëlluese e mjaftë protestuese duke paraqitur ndjenjën e ndjesinë shpirtërore në njërën anë kurse në anën tjetër shpërfaqin elementet e një lloj dëshpërimi për gjithçka rrënuese e rrokulluese që po ndodh në hapësirën tonë nacionale, ku në spikamë vihen raportet mjaftë të ç’thurura nderë njerëzore. Ky element që theksuam nuk është prezent vetëm në atdhe siç jemi mësuar ta vemi në spikamë të kritikave, por kudo ku jetojnë e veprojnë bashkëkombësit e tij, madje edhe ata që jetojnë në diasporë të cilët i paska vënë në spikamë të kritikës poetike pasi “edhe këtë verë poetët mërgimtarë u kthyen në atdhe/ me çanta plot dorëshkrime e libra” dhe “me ca para për miqtë”, e duke i ironizuar këto improvizime kulturore e socio patriotike ai thekson se për mërgimtarët “orët letrare zgjasin tri ditë”, faqe 114. Në këtë rast poezia satirike bëhet specifike, kurse si krijim poetik mjaftë kritikues. Këto nuanca janë mjete shprehëse të njohura, me të cilat poeti për vite me radhë ka shkruar satira duke e bërë sarkazmën poetike një krijim artistik të drejtpërdrejtë me të cilat dhe përmes të cilave ka kultivuar poezinë e revoltuar që ka në spikamë jetën e njeriut, natyrën dhe bimësinë e saj. E në anën tjetër skema politike është zhveshur lakuriq duke rënë në mendësinë e fusharëve të cilët nga zonat rurale kanë zbritur në qytetet urbane, por sipas tragjikes poetike a duhet që për hatër të tyre edhe poetët ta zbresin nivelin artistik të poezisë, pasi siç mund të dyshohet, trutë e tyre sa të zogut, nuk mund t’i kapin vlerat për të cilat aspirojnë krijuesit letrar dhe nivelet e arrira artistike?!...
Natyrisht poezia e mirë dhe arti i mirëfilltë nuk mund të paramendohet pa ngritjen e mirëfilltë të institucioneve shtetërore, prandaj shoqëria jonë nuk duhet të qëndroj indiferent ndaj këtyre degradimeve, sidomos shtresa intelektuale duhet të futet në proces, nëse dëshirojmë të shpëtojmë vlera të cilat janë krijuar me mund e sakrifica të mëdha, të cilat janë vënë në rrezik?!... Në këtë ngushëllim kulturor, të paktën le të mbetet ky libër, si përpjekje pozitive për t’i shërbyer këtij koncepti që trajtuam i cili ka për qëllim nxjerrjen në pah të vlerave, përkatësisht për t’u shkëputur nga një trend negativ që e ka shoqëruar poezinë dhe kulturën e këtyre viteve në përgjithësi!...

St. Gallen, 20 shtator 2018

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen