Montag, 14. Januar 2019

Shefqet Dibrani: EVA POETIKE E ARIF MOLLIQIT

Arif Molliqi “E dashura ime Eva”, poezi, ShB “PA”, Prishtë.

         Arif Molliqi i takon asaj plejade të krijuesve shqiptar që fati e përcaktoi si një “bohem që i kokrron fjalët”, të regjistroj jetën në mënyrë artistike. Fizikisht i shkëputur nga atdheu i tij, metaforë që nxirret nga poezia “Paskam hyrë në grevë urie”, (f. 16), në të cilën shprehet se “Prishtina vazhdimisht ia shkul dhembjet, rrugëve pa hënë bredh edhe pse e di se: Është koha të kthehej në shtëpi?!”. Poeti është i vetëdijshëm për fatin e vet që ia ka parapërcaktuar vetvetës, ndonëse një oh, një uh, a një ah, vazhdimisht i del nga zemra, sidomos atëherë kur i bie ndërmend “Bahçja me kumbulla/ Duke pikur pa ndërpërerë raki”, kurse malli si lajtmotiv është evident kudo në poezinë e Arif Molliqit i cili me vargun poetik vazhdimisht bënë kthime altruiste në atdhe “me portën që më pret e hapur/ qeni duke leh/ N’zotin e shtëpisë”. A nuk është një refren që shprehë ndjenjë mjaftë të trishtët se si poeti e përfytron kthimin eventual në atdhe, në kohën kur është bërë i huaj edhe në tokën e vet, edhe në shtëpinë e tij. Këtë sintagmë “t’huajsimi” e nxjerr në pah sidomos vargu kur edhe “qeni leh në Zotin e shtëpisë”, i cili për shumë kë tingëllon thekshëm.
         Pavarësisht këtij malli artistik, pavarësisht mungesës së përhershme në atdhe dhe në mes krijuesve, Arif Molliqi, ka arritur të realizoj profilizimin poetik duke u ndjerë mjaftë komod në krijimet e tija letrare të cilat shtrihen në disa zhanre, (poezi, prozë dhe dramë), duke mos ia përjashtuar edhe dy nënsekte letrare siç janë satira poetike dhe proza satirike të cilat ky poet i kultivon herë pas here. Edhe në këtë libër, përveç thumbimit të aty këtushëm nëpër ndonjë varg, në ndonjë metaforë, në libër e ka përfshirë edhe një pozi satirike “KËNGA E MARRËZISË”, (f.18) e cila edhe për kah ironia “marrzisë” do t’i jep shije për ta kapërdirë, të paktën si lexim letrar, si vlerë e mirë e këtij zhanri artistik.
         Përmbledhja poetike “E DASHURA IME EVA”, e Arif Molliqit është në vazhdën e krijimeve të tij poetike, tashmë të njohura. Poezi e këtij vëllimi, përveçse ka një varg artistik më të përpunuar, duket se edhe fjalët janë më të ngjeshura, përkatësisht më të peshuara, ku përmes shprehjes lakonike, vargu poetik ka mendim më racional dhe më të avancuar, duke lënë mbresën e mirë se Arif Molliqi është një zë karakteristik i poezisë së sotme shqipe, i cili me përpjekje i ka sfiduar kohërat e prapështitë, për të mbijetuar vet, e bashkë me të edhe poezia e tij.
         Vëllimi poetik “E DASHURA IME EVA”, është i ndarë në pesë njësi ciklike “Vetëm udhët e shembura”, “Rebelimi i Adamit”, “E dashura ime Eva”, “Folklor atdhedashurie” dhe “Kafene e mbrëmjeve”, të cilëve iu paraprijnë 21 poezi të tjera të vëna si një lloj paracikli i tërë përmbajtjes. Lirika këto të cilat bashkë me ciklin e fundit, i japin një përjetim të mirë lirik librit si tërsi tematike, e konceptuar me mjaftë elegancë.
         Si krijues, si natyrë njerëzore, Arif Molliqi është mjaftë i heshtur, madje këtë heshtje e ka bërë edhe në raport me punën e tij krijuese, duke qëndruar i tërhequr për t’iu shmangur populizmit marramendës që ka lëshuar rrënjë viteve të fundit, qoftë përmes takimeve letrare, po më tepër nëpër rrjetet sociale të internetit që janë bërë trend i kohës sonë.
         Poeti të gjitha këto ngarendje, këto ndrydhje shpirtërore, qoftë nga përditshmëria, qoftë nga leximi i shtypit dhe mediave përplot turfullima, urrejtje që trullosin mendjen e ndritur të krijuesit, sikur i prapështon dhe i anashkalon përmes vargut poetik. Këto elemente që i theksuam dalin si refleksione artistike të stilizuara brenda një sfondi artistik mjaftë i pranueshëm. Lirika meditative që i stilizon me mjete artistike, duke u bërë poezia e tij, në aspektin estetik mjaftë tërheqëse dhe e pranueshme, elemente këto që janë më të dukshme në librin “E DASHURA IME EVA”, veçmas tek dy poemat “Motivi i Adamit për rebelim” dhe “E dashura ime Eva”, që janë dy krijime artistike tejet meditative ku npërmes një ligjerimi me elemente liturgjike, ndërton konceptin poetik në një formë të cilen nuk e kemi hasur më parë tek ky poet. Ka elemente që të kujtojnë “Komedinë hyjnore”, por sado që ngjarja zhvillohet në Kopshtin e Edenit, në një qast, ndoshta edhe krejt rastësisht Eva e dashura e poetit(?!), rastësisht, krejt rastëisht, fare rastësisht  “zdirgjet Grykës së Deçantit, me fjalët e grisura që e rëndonin në shpirt”. Po, pra ajo zdirgjej bash Grykës së Deçanit, (sepse Arif molliqi vet me dy sytë e vet e ka parë), pa e ditur as ai nëse atë e rëndonte dhembja për një akt të bërë apër ku ta di unë?!... Megjithatë nëse kjo poemë lexohet vëmendshëm, merret vesh se Eva “kishte fjetur me krenarinë e koduar”, pavarësisht mëkatit a ndëshkimit që mund ta priste. Por, jo rastësiht poetie këtë poemë e përmbyll me vargjet “Se atdheu e dheu ishin këngë e qarë me hutë. Ishin/Pragu i shtëpisë i përjargur nga droja/ E dashura ime Eva dhe unë/ Ia lidhëm plagët hutës që kishte zënë ndryshk/ Me një mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e tetë”, (f.69), duke e qartësuar një dashuri, një mbarësim një marrënie lirike të vërë në kontekstin kohor, që siç thotë atutori këtë dinjitet (erz e namuz) u dasht që ta mëkojmë tek në vitin  1998, sepse ishin “hutat që kishin zënë ndryshk, përkatësiht ishin këngë e qarë me hutë”.
Pavarësisht nga mundësia e interpretimit, mendojmë se e bukura “Eva”, në poezinë e këtij libri vjen si simbol figurativ mbi të cilën derdhen petalet e ndjenjave dhe përjetimeve, po më shumë poezia lirike merr konotacione të një lirke poetike më e veçantë, ku vargu është i ndertuar mbi sentencën e së bukurës, andaj edhe vet poezia bëhet më përjetuese. Këto vlera univerzale Arif Molliqi i ka dëshmuar edhe në librat paraprak, por tani këto shprehje estetike poezisë i japin përceptimin e një vlere artistike që  është synim i secilit autor.
Shikuar si tërësi tematike, mund të konkludojmë se Arif Molliqi, si poet i përket shkollës së poezisë tradicionale që kultivohej në Kosovë në fund të viteve të shtatëdhjeta me shkrimtarët emblematik të asaj kohe që i kanë dhënë mendim modernë poezisë së sotme shqipe në Kosovë, në mesin e të cilëve dallojnë Azem Shkreli e Din Mehmeti, pa përjashtuar edhe një plejadë e tërë krijuesish të cilët kanë ndikuar qoftë drejtpërdrejt apo në mënyrë indirekte tek brezi i A. Molliqit. Por, fuqia magjike e kësaj poezie për një shprehje elokuente, dhe për një mendim të thellë dhe depërtues, e klasifikonë poezinë e Arif Molliqit përkrah kësaj gjenerate që i dha emër letërsisë shqipe në Kosovë, përkatësisht Arif Molliqi është vetëm një lloj vazhdimësie e kësaj tradite, e këtyre vlerave të cilat ai i kultivon me përkushtim.
Për të saktësuar këtë mendim po e ilustrojm me vargjet të cilat i paska dëgjuar “një zë të trashë burri” atëherë kur “Zonja me ngjyrë të kuqe e me buzë të lyera/ Në kryqëzorin e rrugës tek hoteli i dikurshëm “Bozhuri”, (f.71). Janë të mjaftueshme këto dy vargje, për të na shtyrë për të besuar se krahasimi që bëmë më parë përkon në raport me strukturën e vargut, me filozofinë e tij, sidomos me shprehjen hiporbollike që është pjesë e zakoneve dhe traditës së folmes dhe komunikimit në Rrafshin e Dukagjinit. Këtë fenomen e ndeshim në pjesën e parë të dy vargjeve që i cituam, kur “zonja ishte me ngjyrë të kuqe - e me buzë të lyera”, duke na futur në dilemë, apo duke na provokuar imagjinatën,  nëse ajo ishte e tëra e lyer me të kuqe, apo vetëm buzët i kishte të lyera me ngjyrë të kuqe, përkatsisht siç thuhet në terminologjinë e kozmetikës me “buzëkuq”. Prandaj kur jemi këtu, më duhet ta potencoj se nuk kemi qëllim të bëjmë një kufi ndarës, për ta lokalizuar poezinë e këtij autori në një rreth, në një regjion më të ngusht a në kontekstin kohor, veç desha të permendja disa elemente bazë që e karakterizojnë vargun poetik të këtij autori modern, që e ndeshim në poezi me sofistikime të cilat jo vetëm vargun, por poezinë e tij e bënë më meditative më të përkushtueshme.
Malli dhe mallëngjimi janë pjesë e vazhdueshme e poezisë së Molliqit të cilat edhe këtu vijnë me shprehje përjetuese  siç janë vargjet: “Pi etjen e lumit të fshatit tim/ Do ta pi si verën më të mirë”, (f79), “Majë shtize gjuha dhe dashuria/ N’treg i shesim kujtimet e Atdheut”, (f. 85), nga këto citime mund të përfundojm se Arif Molliqi, duket se shtjellon mendimin, e përpunon vargun, i riktheht atij, dhe aty ku nuk arrihet e vazhdon në librin vijues gjer sa ta kristalizon mendimin, përkatsisht konceptin për një ngjarje të caktuar. Kjo karakteristikë e rikthimit në tema të njohura të këtij libri del në pah, jo si temë parësore, por si obsesion gjithësesi “Të jesh atdhetar nuk mjafton/ ta duash Atdheun e t’shkruash poezi”, “Dhe mbaj mend revolucionin/ N’lkurën e vet i regjur me kripë”, (f. 75).
Natyrisht, asgjë s’ka abstrakte në këtë libër, ka përjetime të thjeshta e krejt të rëndomta, të cilave poeti u jep shpirt dhe gjallëri, e me pak fjalë krijon një lloj dramaciteti figurativ pa të cilin poezia nuk mund të qëndroj në vlerat e mirfillta dhe të pranohet si një krijim i mirë letrar, gjithmonë në suazat e një fryme origjinale që ka shprehje të theksuara meditative.
Natyrisht motivet e librit janë më të ndryshme, përveç atij lirik, që merret vesh nga vet titulli i librit, nuanca përjetimi kemi edhe në poezitë që shprehin mallin për vendlindjen, poezitë që kanë motiv mërgimin dhe kurbetimin e pafund të autorit, pastaj poezitë që shprehin shqetsimet për përditshmërin e hallakatur, për konfliktin e përditshëm që syri i tij i has në çdo cep të kohës e kështu me radh, poezi që kanë krijuar atë mozaikun e motiveve të cilat janë karakteristikë e vet autorit. Madje aty këtu ky poet e ka edhe satirën në cep të gjuhës ku jo pak me ndonjë varg a ndonjë fjalë, ironizon, përqesh e tallet me fenomenet të cilat i prodhon vet njeriu, sjellja e tij dhe ngarendaj e pafundme në këto instanca.
Arif Molliqi i mbetet konstant kursit të tij që ka ndjekur edhe në librat e përparm, veçse hapsira manovriuese në kuptimin e shprehjes poetike, esencialisht është zhvendosur në favor të vlerës poetike që ky autor e krijon prej vitesh,  ashtu siç e përcakton në një varg të tij: “Vrapuesit e kanë një nisje të përbashkët/ Të gjithë s’do të jenë së bashku në cak/ Secilie ka kohën e vet të arritjes”, (f.92). Prandaj, koha e Arif Molliqit, është e tashmja me synim për ta pushtuar të ardhmën, që del në pah mu tek përmbledhja poetike “E DASHURA IME EVA”!...

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen