(Arif
Molliqi “Gruaja e vizatuar nudo”, roman. – SHB “Faik Konica”, Prishtinë 2008)
Numri i punëtoreve tanë që punojnë në
botën e jashtme, dhe të cilët pos punës se tyre të rëndomtë merren edhe me
krijimtari artistike nuk është i vogël. Disa prej tyre janë afirmuar në lëmin e
arteve figurative, të tjerët në ato skenike e të ngjashme. Ndërkaq, numri më
madh i tyre kanë bërë emër në fushën e letërsisë, duke botuar vepra në të
gjitha lëmit e krijimtarisë letrare: në poezi, prozë , në studime letrare apo
edhe në dramë. Do theksuar se në të shumtën e rasteve krijimet e tyre sjellin
risi në letrat shqipe, nga se ata, në kontakt me letërsitë e vendeve ku jetojnë
thithin prej tyre nektarin e domosdoshëm për realizime letrare e artistike në
një anë dhe në anën tjetër mallëngjimi apo dashuria për vendlindjen dhe
njerëzit e saj, të përjetuara nga largësia është më e madhe se e atyre që
jetojnë në fshatin apo qytetin e lindjes. E ky është edhe një nga faktorët që
ndikojnë në ndjeshmërinë e krijuesve artistik, në zgjimin e ndjenjave suptile
të domosdoshme për krijimtari artistike, veçmas në poezi. Përvoja e fituar nga
leximi i veprave të shkrimtarëve të njohur në vendet në të cilat qëndrojnë ata
u ndihmojnë ta përsosin shprehjen, ta begatojnë figuracionin dhe ta përsosin
stilin. Në mesin e këtyre shkrimtarëve që krijojnë në diasporës, siç i quajmë
ne, që me sukses e kultivojnë fjalën e bukur artistike padyshim se dallohet
Arif Molliqi, i cili ka vite që e ndeshim në shtypin tonë. Derisa ishte student
i gazetarisë në Prishtinë shkruante dhe botonte punim humoristike, herë me emër
të plotë e më shumë me pseudonime të ndryshme: si Boksh Baruti, Topuz Bërryli,
Prenk Sherri e tjerë. Këtë e bënte për arsye të ndryshme ndër të cilat duhet
theksuar frikën nga pasojave që mund të kishte nga politika e ditës, që nuk
ishte e favorshme për intelektualet. Në ndërkohë ai bëri emër edhe në letërsi.
Pas botimit të disa përmbledhjeve të suksesshme me poezi, këto ditë botoi edhe
romanin e tij të radhës me titull “Gruaja e vizatuar mudo”, vepër kjo që zgjon
kërshërinë e lexueset jo vetëm me gjuhën e pasur dhe
të pastër shqipe, por edhe me temat,
përkatësisht syzhetë në të cilat i vendos ai protagonistet e veprës se vet.
Romani në fjalë,që për kah forma e shtruarjes
se lëndës ngjan në mënyrën e shkrimeve kaftane, për të mos thënë se në një
mënyrë nga pak u përngjet veprave kriminalistike, trajton disa tema interesante
dhe ka një syzhe mjaft tërheqëse që e bënë lexuesin për vete dhe nuk e lejon ta
ndërpres leximin pa i ra në fund veprës, me një fjalë është roman që lexohet me
një frymë. Të tillë e bëjnë atë edhe ngjarjet që përshkruhen, në një anë dhe
rrjedhshmëria dhe lidhshmëria e tyre në anën tjetër, duke krijuar kështu një
tërësi, një roman fabula e se cilit është vendos në ditët e sotme dhe në të
kaluarën jo të largët,me protagonistë që si dje edhe sot veprojnë me të njëjtën
mënyrë, me të njëjta metoda të sjelljeve, në një qytet të Kosovës, që për nga
përshkrimi i ambienti dhe të lokaliteteve që zihen në gojë nuk është vështirë
të përcaktohet se fjala është për qytetin buzë Erenikut, atë te Mëhallës se
Hadumit ,“Kroi i Panxhalles” e lokalitete tjera të njohura, pra për Gjakovën,
nga i cili qytet janë edhe protagonistet kryesor të veprës në shqyrtim.
Qe
në prolog autori na njofton me protagonistet kryesor të romanit, me ata që e
mbajnë barrën kryesore dhe në të njëjtën kohë paralajmëron situata të
rrezikshme, absurde, që do të ndodhin në këtë qytet. Në ambientet e një hoteli
të këtij qyteti janë varrmihësit, por edhe Lisi,vrasja e të cilit, përkatësisht
përpjekja për të zbuluar vrasjen enigmatike të tij është në qendër të fabulës
së veprës,me në fjalë është strumbullari i gjithë veprës. Aty janë edhe Selmani
i Orosh Tushës, Loshi i Zi, Dush Rrapi e të tjerë, personalitete që i gjejnë me
kapitujt vazhdues të romanit. Në këtë pjesë, pra në prolog, Arif Molliqi e
njofton lexuesin edhe për vrasjen e tre studentëve në kufi, por edhe të Curr
Bregut, gjëja se kanë tentuar ta kalojnë atë ilegalisht. Vrasja e tre nxënësve
kishte ndodhë në realitet çka dëshmon se Arif Molliqi e ka shfrytëzuar me
mjeshtri ngjarjen e vërtetë, përkatësisht i ka mishëruar artistikisht atë.
Rudina e Curr Bregut e lajmëron Sokolin për
vrasjen e Lis Llukës dhe ky e lenë punën në Hamburg dhe kthehet në Kosovë për
të gjurmuar vrasësit e shokut të tij të dikurshëm, piktorit të njohur. Sokoli
në rrugëtimin e tij kalon nëpër peripeci të shumta dhe në fund në saje të
dëshmive të Rudinës, të cilat kujtime kishte filluar t’i botonte një gazetë e
mëson të vërtetën për vrasëset serike që kishin ndodhë në qytetin e lindjes si
dhe për kurdisjet që u bëheshin njerëzve të ndershëm nga shpirtkëqijtë. Në
kapitujt e parë të romanit autori përshkruan me mjeshtri udhëtimin e Sokolit,
që ndeshet në gërmadhat e shtëpive të djegura,çka do të thotë se kemi të bëjmë
me zhvillimin e disa ngjarjeve që ndodhin pas luftës së fundit. Protagonisti
kryesor i romanit, përkatësisht rrëfimtari shëtit nëpër qytet, hyn në kafene
duke e vërejtur atmosferën herë herë të pakëndshme e nganjëherë edhe të mirë
varësisht nga njerëzit që i ndesh në këto ndeja. Në këtë vazhdë mësojmë edhe
për shoqërinë që kishte ky me Lis Llukën dhe me Dush Rrapin dhe momentin kur
merr vendimin që të shkojë në emigracion. Është ky një vendim i vështirë, por
të thuash i pashmangshëm në rrethanat e krijuara.
Romani nderohesh ashtu që po thuajse krejt
ngjarjen e rrëfen narratori, përkatësisht Sokoli, duke e shoqëruar nganjëherë
edhe Rudina. Në realitet Molliqi në një formë ose tjetër e sjell në qendër të
vëmendjes se lexuesit se romanit edhe Lis Llukën e Jakovës, piktorin që është
edhe strumbullarin e ngjarjes, vrasja e të cilit kishte shkaktuar tronditje në
mesin e bashkëvendasvet dhe ishte maskuar aq mirë sa që askush nuk mund ta
zbulonte të vërtetën e këtij krimi monstruoz. Aty është edhe Rudina , kjo
figurë sa tragjike aq edhe enigmatike, një femër që ndodhet në mes të personazhit
sa mëkatare aq edhe e viktimizuar. Fundi i saj është tragjik. Asaj i është
vrarë burri, Curr Bregu, i dënuar më parë dhe pas vuajtjes se dënimit në
burgjet e ish Jugosllavisë vritet kush e di ku dhe i kurdiset se gjëja ka
tentuar të kalojë ilegal të kufirit shqiptaro-shqiptar,përkatësisht kalimin e
kufirit në mes të ish- Jugosllavisë dhe Shqipërisë dhe në të cilin humben jetën
shumë njerëz. I është dhunuar dhe vrarë motra dhe pastaj i është vra edhe
djali, i cili kishte qenë në betejën e Koshares dhe në fund vritet edhe vet me
rrethana enigmatike. Në vrasjen e saj kanë dorë shumë njerëz, ata që të vrasin
natën dhe të qajnë ditën, çfarë ishin Selmani i Orosh Tanushës, Dushi R. të
cilët kishin kërkuar që ky i fundit ta lexonte lamtumirës për bashkëshorten e
Curr Bregut, në vrasjen e të cilit kishin dorë edhe ata vetë. Këta i kurdisin
vrasjen dhe i zhdukin gjurmët e tyre në forma të ndryshme. “Për të kaluarën mos
ke frikë. Të gjitha dosjet e policisë që lidhen me Curr Bregun dhe me Lis
Llukën, e ndonjë tjetër, ku lakohen emrat tonë kam arritur t’i asgjësoj. Isha
në Nish, pagova një njeri dhe ato dosje janë djegur. Askush nuk e di se çfarë
ka ndodhur atëherë. Fjalët që fliten Çarshisë mos i dëgjo. Ti bëhu i
shurdhër...!” Ky citat nga bisedat e tyre e zbulon fytyrën e vërtetë kriminale
të këtyre njerëzve të paskrupullte, që nuk kanë karakter. Kjo ndodh edhe me
vrasësit të Rudinës,që është i ngjashëm me atë të Lis Llukës, sepse”Rudina
kishte qitur në shitje tri piktura të një formati 80x100 cm, një gjerdan të kuq
dhe dy tjerë prej floriri, një zinxhir prej ari me pesë lira të rrethuar,dy
palë vath:njëra prej ari e tjetra prej argjendi. Në këtë publikim ( fjala është
për shkrimin e një gazete – nënvizimi ynë A.D. J) thuhej se për shitje kishte
edhe libra, dhe dy dorëshkrime...” Dhe këto do të ishin të mjaftueshme për
vrasjen e saj, që të humbin gjurmët e dokumente të atyre dokumenteve që do të
mund të ndihmonin zbulimin e vrasjeve të shumta dhe aktorët e tyre,që kishin
ndodhur në qytet. Kufomën e saj e kishin gjetur në breg të Drinit dhe policia
kishte thënë se “ vrasësit kishin pasur për qëllim tjetër përveç një plaçkitje
që kishte ndodhur nga ca tipa të pasjellshëm e të paedukuar”.
Protagonistet
e romanit në shqyrtim janë ose artist ose dashamirë të artit, qoftë të pikturës
apo edhe të teatrit. Madje në pjesë bukur e mirë e ngjarjeve zhvillohet në këso
ambientesh, si në atelienë e Col Gurit apo edhe në holin e teatrit, ku shkojnë
edhe kriminelët gjëja si dashamirës të artit. Romani dallohet edhe për një
cilësi të veçantë të shtruarjes se lëndës. Autori me mjeshtri zgjon kërshërinë
e lexuesit duke krijuar situata të veçanta për të përcjellë rrëfimin me intriga
të shumta, me dashuri, por edhe urrejtje, me paradokse, elemente groteske
elemente këto që e bëjnë atë prozë të suksesshme. Kështu autori do të rrëfeje
për “gomarin që fluturon”në Fushë Kosove,për ”gruan që bën dashuri me një të
vdekur”, “për macen e zezë” e të ngjashme .
Të gjitha
këto i japin një gjallëri fabulës qendrore të romanit, e largojnë monotoninë dhe
e freskojnë lexuesin për të vazhduar me kërkimin e së vërtetës për vrasjet
enigmatike, që nuk janë edhe të pakta dhe të cilat bëhen për qëllime të
caktuara, në radhë të parë për zhdukjen e fakteve që do t’i zbulonin vrasësit.
Si i këtillë ky roman hyn në grupin e veprave të realizuara, vepër që meriton
të lexohet dhe rilexohet dhe të ruhet në bibliotekat tona. Sepse është një
realizim i suksesshëm, një roman që shënon një realizim të suksesshëm të
autorit dhe në të njëjtën kohë edhe një arritje cilësore në prozën tonë
bashkëkohore shqipe.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen