Arif
Molliqi: “E dashura ime Eva“, ShB "PA", Prishtinë 2013
Poezia është jo pjesë e krijimtarisë
artistike e llojit të veçantë, e cila me pak fjalë thotë shumë, si dhe me ca simbole
dhe metafora të zgjedhura, bëhet sa e kapshme aq edhe e dashur për çdo moshë të
shoqërisë njerëzore. Përveç kësaj, pothuajse çdo krijesë njerëzore, së paku një
here në jetën e vetë ka provuar shkrimin e poezisë, në formën dhe mënyrën e
vetë, në mos për gjë tjetër, atëherë për
t`i qetësuar ndjenjat e veta shpërthyese në kohën e rinisë. Pastaj është e
ditur botërisht se poezinë e kanë krijuar e shijuar edhe ata që nuk kanë ditur
as shkrim e as lexim, por që atë e kanë ndjerë si nevojë vizavi fenomeneve të
ndryshme natyrore apo edhe të momenteve të veçanta shpirtërore. E kanë nxjerrë
atë si një ndjenjë të veçantë të çastit nëpërmes të këngës. Shumë poezive nga
më të njohurat dhe më të
realizuara artistikisht të të gjitha kohërave, nuk u dihet as autori, që do të
thotë krijuesi i tyre, por që për shkak të bukurisë dhe madhështisë së tyre
artistike e shpirtërore, ato kanë hyrë në thesarin botëror të krijimtarisë. Së
pari si këngë të kënduara e pastaj të shkruara e të rishkruara në libra të
shumtë anë e mbanë botës. Sepse si poezia ashtu edhe kënga që del nga ajo dhe
anasjelltas, nuk është asgjë tjetër përveç se një ndjenjë apo një përjetim
madhështor i individit apo grupi individësh në një moment të caktuar jetësor.
Duke pasur parasysh të gjitha këto që u thane më lartë poezia dhe kënga janë të
lidhura me njëra- tjetrën si mishi me kockën, sepse në jetën njerëzore poezia
është këngë e kënga është poezi!Ndjenjat më të bukura dhe më sublime të
shoqërisë njerëzore, që nga fillimet e saj e deri më sot, janë paraqitur apo
shfaqur nëpërmes të poezisë-këngë dhe anasjelltas të këngës-poezi!Sepse çdo
poezi e bukur mund të bëhet këngë ashtu siç çdo këngë e bukur në veten e saj e
ka dhe e ruan poezinë.
Në këtë rrafsh jetësor, që do të thotë
në shkrimin e poezisë apo krijimin e këngës, në ngrehinën e piramidës krijuese
të tyre, ka dhënë kontributin edhe Arif Molliqi, si poet e shkrimtar, publicist
e aktor, me aktivitetin e vetë në fusha të ndryshme të krijimtarisë do ta niste
në në Kosovë, në vendlindjen e tij në Llukë të Epërme të Deçanit, por për
shkaqe që dihen, veprimtarinë në fjalë do ta vazhdonte në Hamburg të
Gjermanisë. Me një dëshirë dhe këmbëngulje prej krijuesi e artisti të
njëmendët, Arifi, edhe pse larg dheut të vendlindjes, larg diellit e ajrit të
vendlindjes, larg tokës e ujit të vendlindjes, do të vazhdonte punën er vetë
krijuese me të cilën do të krijonte vlera të njëmendëta artistike. Themi
kështu, sepse Arif Molliqi deri më tash ka arritur të botojë mbi njëzetë vepra
letraro-artistike, të nivelit të lart artistik e stilistik. Sot për sot, nga
shumë studiues të letrave shqipe, ai, pra, Arif Molliqi konsiderohet si penda
më e spikatur në diasporën shqiptare dhe jo vetëm!Kjo do të thotë se Arif
Molliqi e ka krijuar stilin e vetë të veçantë në vargënimin e poezisë, stil i
cili sipas poetit dhe studiuesit letrar Adem Gashit:-“Arifi është ndër autorët
e paktë që ka disiplinuar ndjenjën dhe mendimin. Klithma, retorikë dhe
aklamacione nuk gjejmë madje as në vargje për të rënët, as në mallin e
kurbetçarit, as edhe në poezinë po me këtë titullë:Retorikë. Por Molliqi si një
maestro bën pozën e indiferencës duke krijuar vargje për një lexim së
brendshmi”.
Ky konstatim i drejtë i Gashit për
poezinë e Molliqit lë të kuptohet se poezia e Molliqit është më shumë se poezi
e zakonshme, dhe se për ta kuptuar atë lexuesi duhet të thellohet në brendësi
të poezisë e jo atë ta lexojë sipërfaqësisht, sepse atëherë ai nuk e ka kuptuar
fare porosinë e as vlerën e poezisë së autorit në fjalë. Vetë ky konstatim të
sjell në idenë se Poezia e Molliqit është poezi e ndjenjës dhe mendimit të
thellë. Duke lexuar poezinë e Molliqit, lexuesit i krijohet përshtypja se ai ka
hyrë në një labirinth apo në një enigmë të pazbërthyer, por kur vete në vargun
e fundit të çdo poezie të tij, ai, pra
lexuesi e krijon ndjenjën se e ka zbërthyer në tërësi atë labirinthin apo
enigmën e frikës së fillimit. Poezia e Molliqit do lexim të mirëfilltë si dhe
kohë që të kuptohet në tërësinë e saj!
Labirinthin e enigmës, apo të së
panjohurës, element ky që poezinë e Molliqit e bën edhe më të fuqishme
artistikisht, do ta gjesh apo do ta hasësh edhe tek vëllimi poetic, po ashtu me
titull enigmatic “E dashura ime Eva”, titull ky që nuk dihet nëse iu është
kushtuar ndonjë të “dashure” të themi kushtimisht reale, apo është kushtuar femrës realisht për një enigma
në vete, por që sipas Bibles supozohet se ishte femra e parë e gjallë e gjinisë
njerëzore me emrin Eva!Duke lexuar poezitë e këtij vëllimi çdo lexuesi i
krijohet përshtypja se është ai vetë Adami në kërkim të së dashurës së
vetë-Evës:
”Sa dëshirë kam
pasur
Ta shoh Evën si ka
vdekur.
A ka vdekur
cipërcullak
Apo mer shtiza të
flamujve në dorë.
A e kanë varrosur
pështjellë me lesh dashi
a fletë fiku.
Amaneti i fundit i
Evës cili ishte
Adamin ta tredhin
përsëri…
Poezia
e Molliqit është, pra, poezi e ndjenjës
dhe e mendimit të thellë. Si e tillë ajo mund të krahasohet me poezinë e poetit
tone kombëtar Azem Shkreli. E potencoj mund të krahasohet, sepse leximi i
poezisë së Molliqit, ashtu si ajo e Shkrelit, nuk të lë indiferent. Ajo pra, poezia e
Molliqit, ashtu si poezia e Shkrelit, të nxitë fantazinë e kërkimit të diçkaje
që rri fshehur dhe ti kërkon që ta gjesh, që ta zbulosh, që ta shijosh:”Të jesh
atdhetar nuk mjafton/ ta duash atdheun e t`shkruash poezi/ t`lazdruara…N`emër
të atdheut m`qëllojnë me vargje/ e më fishkëllejnë me lahutë/ e këngë trimërie.
S`di kur po kryhet dasma e kopilëve/ që kanë shkuar xhuxhet krushk. Dhe mbaj me revolucionin/ n`lëkurën e vet I regjur
me kripë…
Ndërsa
në një poezi tjetër Arifi me një ndjenjë të thellë prej njohësi të poezisë
shkruan:”Vijnë pas shekujsh baladat e moçme/mosha e qielli me bukë e kripë
/ëndrrat fisnike të rinisë. Ajo që më rëndon më së shumti/janë Meshat e
Evropës/ koha me tojë të zezë e lidhur. Janë fjalët e ëmbla/ që më ngarkojnë me
të gjallët/ janë dy kokrra mollë që piqen. Janë pemët tona që kuqen/ që rrisin
shtat stinëve/frytet i ha Zonja Evropë.
Poezia
e Molliqit, e ndjenjës dhe mendimit të thellë nuk është e rënduar me metafora.
Si e tillë ajo lexohet më lehtë, vetëm se ndjenja dhe mendimi i thellë
here-herë e bëjnë të pakapshme për çdo lexues të zakonshëm. Poezia e Molliqit
është poezi për një rang lexuesish më të zgjedhur, për lexuesit që si të thuash
bukë e kripë e kanë poezinë…
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen