Donnerstag, 10. Januar 2019

Psherëtima e zareve


Poezi nga libri i tretë “Psherëtima e zareve”


ESTETIKË GJAKU


(1. Nëpër damarët e gjakut) 

Ja ku e ke merre!
Merre këtë kohën e padurueshme
Ta fali

Këtu s´ka tregti me gjërat sakate
Gjithçka e re shitet n´ketë treg

Edhe unë kosovari jam riparua
Në punëtorinë e Dr. Blesse në Hamburg

Ty çka të solli në perandorinë time
Dr. Ariallano nga Argjentina?!

A veç kërthizën t´ua presësh lehjeve të mesnatës
Që ma prishin gjumin në skaj të Evropës


(2. Lidhëm bast)

Sa herë që kthehen harrojnë diçka
Ma marrin gjakun me gjilpëra më therin
-Je me Zotin a me Ne m´thonë!
Pastaj një nga një fillojnë
N´zemër t´mi ndezin kandilat
N´thellësi të shpirtit i varrosin vetëtimat
Vendlindjen ngushëlluese djerrinat
Nëpër damarët e gjakut m´i fusin
Verrishtën Lummirin Kosovën ...
Medikamentet qetësuese.

Në mëngjes tek më lëshon nata
(pasi nuk lëviza as majtas as djathtas)
Kallëzimi i ëndrrës nuk mbaroi
Buzët e thara pika të shiut presin
Mbi shtëpinë time uji rrëke shkon
Plagët më lagen nën çati kur rri
lidhëm bast me baltën pranë shtëpisë
Se do të kthehem nga shtegtimet e gjata.


(3. Porosia e kohës) 

Tri herë radhazi në rëntgen mos hy
Mushkëritë nuk e durojnë mallëngjimin

Gjuha m´u zgjidh i luta
Grupin e gjakut mos ma ndërroni

Ata u qeshen me mua
Kjo nuk ndodh kaq lehtë
Ku je mësuar?

Merr frymë! Ndal frymë!...Lëshoje frymën!
Ngutu doktor se tingëlloi zilja
Tensioni i gjakut po na trazon
Pritni nesër do të jetë më mirë
Me rroba festive do të shkojmë
N´dhomën 212 kati i tretë intensiv
Me vete e marr lojën ilirishte
Luaj nëpër Verrishtë,  Dolla e Kojshtile
Kurrgjë mos mujsha kështu siç jam
Bukë u çoj UÇK-së. 



LOJA  E  AORTËS

(Loja  e  Aortës  I)

Dashurinë dimërore e vura në panair
Muzikë të zhurmshme dëgjoj

Pjesët e organeve i konservojnë për eksport  
Blerësit i prekin n´kallo

I bëj veshët çicërr kur dëgjoi;
Arif Vladin që pyet;
- Jakup Ferri, mor ku je
T´thërrasin malet me ushtimë...

Po unë ku jam?!



(Loja e Aortës  II)

U mësova ti pres mbrëmjet me lutje
Në mëngjes as shi as borë

Dielli s´di çfarë rreze do të ketë
Kafen ka kohë që ma kanë sjellë te krevati

Gruaja e fëmijët kanë ardhur për vizitë
Shokët më detyrojnë me qeshë

Janë kthye mjekët e bisedojnë
Kontrollojnë gjakun si lëviz në mesditë
Prejardhje e qëllimtë kjo e imja
Qe besa në lojë është venë  A o r t a 
Ndryshe kjo s´ka ndodhur ndër Ne

Me vdekur me krye në jastëk

(8 shkurt 1998, në spitalin „Albertina“ në Hamburg)



Këngët që marrin frymë

I.

Kohë për kohën zi, zi e që zien tym e flakë më drithërime
E gurët trokasin, ndoshta plasin nga gjaku nga krimi
Nga pluhuri e qelbi  nëpër rrugë që kundërmojnë
Të sëmurët i puthin me armë, kokë e plumb, plumb e kokë 
Nëpër vdekje kapërcejnë ata që u vonuan dje e sot
Pranvera e hershme lëngon mortje, klithma të tjetërsuara  
Të çara toke, përbuzje nga egërsirat plot urrejtje njerëzore
Gjithkah gjurma që psherëtinë aq egër, egërsira gjithkah le gjurma
Nëpër rrugë eci. Eci e ndalem. Ndalem para portës shkrumb
Tre a katër fëmijë të djegur ma mbyllin derën, derën ma mbyllin 
S´ka dhoma të lira në këtë kohë zotëri, zotëri me kravatë të kuqe
Janë të mbushura me vdekje dhomat, edhe podrumet, edhe parlamentet
Nëpër rrugë, anës rrugës, nën hijen e gështenjave, te Pishat e Deçanit
Rrëzë Çiçavicës...
Avari ka, rrëmbime, vrasje, krisma çoroditëse. Ka varre 
Ka hajdutë me tanke, me uniforma të xhelatëve. Ka kasapë
Të çmendurit i kanë lënë të lirë, të lirë t´shajnë, të lirë t´vrasin
Të dhunojnë të lirë, të dhunuarit n´shtëpi nuk kthehen kurrë
Shtatë brezave u lejohet të flasin për vdekjet, për vdekjen
E kohës fishkëllyese, për kafkat e përgjakura n´Evropë,
Ngado që shikoj njerëzit e mi dukën të gatshëm të vdesin
Pa dhembje, pa pikë loti, krenarë me këngën e tyre;
„Ah, Kosovë mos thuaj mbarova,
se djemtë Tu hala janë gjallë...“


II.

Ngado që shikoj njerëzit dukën të gatshëm të vdesin
Pa dhembje, pa pikë loti, krenar më këngën e tyre
Stina e fëmijëve piqet, gurë mbi gurë në  altarin e lirisë  
Ja! Ja një mësues nga shkolla po thërret
Shkronjat e plagosura shuajnë etjen te Guri i Nuses
Trarët e djegur ruajnë Abetaren e grisur
Te Ura e Verrishtës dëgjoi gjëmën e topave
Shkolla e re mbush gjoksin me gjyle
O, prite se ia mbërrina more hej, - bërtet një fëmijë.
Unë i palëvizshëm rri mbi truallin e ngurtë
Përplasem me muret që të zënë frymën. Më zë gjaku
Gjithkund e gjithçka është e përgjakur nga kafshimi
Edhe lulet, edhe rrugët. - Flamujt të përgjakur janë
Edhe këngët edhe lumi. Lumëziu e Lumëbardhi të përgjakur
Në lumin që në diellin veror kundërmon edhe uji
Kundërmojnë rrugët e kllapitur me copa muresh të rrëzuara
Me eshtrat e mbetur nën diell 


III.

Eci rrugëve të qytetit Muze dhe shikoi Gjeravicën
Nga lagështi n´verë hithrat kanë ngritë Kokën
Shkëmbi i Qelisë digjet, digjet më qytetin n´lak
Nënat e plagosura te pragu i shtëpisë që digjet shpresojnë
Shpresojnë se këtu kanë ikur fajdexhinjtë, spiunët, tregtarët
Kanë ikur kasapët, vrastarët. Kanë ikur politikanët me drapër e çekan
Kanë ikur dhe na mbeten shtëpitë të ngjyrosura nga flaka
Kanë mbetur kafkat që flasin si dëshmi e njerëzimit
Ka kroje që shpërthejnë si shatërvan, ka këngë që marrin frymë
Ka lule të pranverës, ka duar të plasaritura
Që shpupurisin hirin e të vrarëve. I mbledhin eshtrat e djegur
Ka zogj që këndojnë, ka jetë që s´do të shuhet kurrë 
Një fëmijë te pragu ulur sa bukur thërret -
O, ooo  Kthehuni more heji!
Një fëmijë plagët ia shëron Kullës, E ia nis jetës së re.

Qershor – korrik 1998




Stinë që rri si mumie

1.

Muranë e murëzim qyteti. Rrugëve tymi si retë mbi re
Fol o mur! Fol o gur i djegur, ku ka përroskë me një pikë ujë
Ta ngushëlloj nënën që ia lëmon flokët e përgjakura fëmijës
Ta përcjelli më buzët e lagura deri të varri që e shikon!
E shikoi. Një burrë i gjatë dorën e vuri në vendin e dhembshëm
Ku zemra e njeriut ruan botën fëmijërore. – Dashurin prindërore
Ku fatkeqësia e prekte thellë dhe lëvizte tmerrshëm përbrenda
Ku ishin harxhuar bukuritë e fjalës e kuje kalëronin
Aty ku netët solemne ishin harruar nga zhurma e krismave
Atje ku stinët... Stinët kalonin pa diktueshëm dhe ftohtë
Rrufetë ku vrasin vetëdijshëm, ku shtëpitë i rrënojnë,
I përflakin Foletë e zogjve të trazuar që ua paskan  zënë rrugën 
Mosbesimi s´lë vend as për dashuri. Pse kështu mumie?
Rrufetë në vend të kambanave na zgjojnë për ditën e nesërme.


2.

Muranë e murëzim bjeshke. Bjeshkëve tymi si mjegull mbi re
Lisat e gjatë, gështenjat dhe pishat madhështore fishkëllejnë
Dridhen nga gjëmimi i ofshamës së sharjeve shartuese
Ku shënohen lindjet e vdekjet nga qeshjet ogurzeza. Nga vrasjet
Tokë shumë e urrejtshme tokë e lakmisë evropiane. Apo
Dikush ka krenari të tepruar për këto vrasje ballkanike
Për gjithësinë e mbështjellë nga zjarri, nga goja e ferrit
Ta dish, parajsa moti është humbur për ty Evropë.
Evropë e Bashkuar apo zbrazësinë e fëmijëve të përlotur.
Në cilin muze do ti ekspozosh foshnjat që po ua prishin gjumin
Duke u  lutur  para gjinjve të shterur të nënave.
Këtu as sot, as dje, pikëllim sy ky, mjerim s´keni pa.
Apo shtëpitë e rrënuara, bjeshkët e tymosura, nënat
Që presin Fëmijët e plagosur, gjymtyrët e tyre
U duhen skenar arti, piktura moderne për sallone
U duhen ti arsyetoheni historisë për krimet e Tuaja.


3.

Muranë e murëzim në Evropë. Në Evropën e bashkuar mumie 
Që nga do shkosh dëgjon vringëllima e armesh, hingëllima. Ata 
Dredhin lojën e të pafajshmëve që luten si të gjithë në Një Zot
E, dhembje u shkakton Parisi, Londra, Moska, Berlini 
Qumështi i prishur i gjinjve që rrisin vrastar e xhelatë
Që i  ushqejnë bulevardet e pista  me virusin e SID-ës
Mjekët qeshën me ëndrrat tona, me vdekjet
Kabinetet paqedashëse i ç´montojnë fjalët në vend të armeve  
Zaret i hedhin nëpër biseda të përsëritura në Gala partitë
Në video – kamera shikojnë dhunimet e planifikuara artistikisht
Krahasojnë insertet e tmerrshme me fyerjet, verbimet kinematografike
Mjegullën e zezë që troket portave të përgjakura e shpërblejnë
Mbi vdekjet e ftohta fshehin kronikat e ndërgjegjes. Bërtasin;
Mirë se na vjen Evropë e Bashkuar më shtrëngatat e reja rreth koke
Me armiqësi, me varre, me gjymtyrë të copëtuara të fëmijëve
Me letra të djegura, intervista e rezoluta plot myshqe
Mirë se na vjen Stinë që rri si mumie e ne  përkulemi para Teje



Ora e fundit e kukudhëve

Erdhën nga fusha në fushë. Nga lumi në lum prej Karpateve
Kërkuan vetëm dhembje të shtojnë. Shkretëtirë pikëlluese
Jetuan përkohësisht nëpër kaçuba, në druaj. Në shpella të ftohta
Ushqim kishin gjarpërinjtë, bolla dhe derra të egër

Erdhën të leckosur, të zhveshur me zhurma kakarisur 
Zbriten nga drunjtë në shekullin e shtatë si mishngrënës
Me mjeshtri të shajnë, të djegin, të vrasin e bërtasin
U dalluan shumë nga njeriu. U ngjanin kukudhëve

Erdhën të uritur me klithje të mbushura me zëra nxitës 
Përgjatë lumit kaluan e fytyrat nuk i pastruan
Ujin e burimeve të bardha, të kthjellëtin ujë nuk e pinë
Moçaleve e kënetave u dehen me gjak njeriu

Erdhën si bishat. Zbriten  nga dimri siberian
Thyen, djegën, qytetërimin e shikuan egërsisht
Gënjeshtrat, dhunimet ishin mjeshtëritë e tyre prej djalli
Orën e kurdisen larg Zotit, njeriut e civilizimit
Erdhën duke kaluar rrugë, fusha me gjemba e ferra 
Në tokën Dardane dhëmbët i ngulen në vajet e fëmijëve
Të mallkuar, të poshtëruar vazhduan të vrasin të djegin
Nga barrësimi me vetveten pollën dosa e derra të egër

Erdhën pa biografi, pa histori duke e shaluar mjerimin
Qytetërimit i shlyen kulturën, vrazhdësi i shkruan historisë
Ndërgjegjen për nëntë shekuj ia shpaluan Evropës se fjetur 
E lakuriqësuan  Londrën, Parisin, Shën Stefanin, Berlinin e Dejtonin...

Dhe koha erdhi! Ashtu të leckosur, të lakuriqësuar të ikin
Me vete të marrin plagët, mjeshtrin e moçme – gënjeshtrën 
Ti marrin lindjet e fëmijëve nga barrësimet e dhunshme dose
Vdekjet. Shterpësitë  dhe historinë e mishngrënësit ballkanik

Erdhën dhe do të shkojnë ashtu – më trofetë e plaçkitura, me vrasje
Do të shkojnë të nënçmuar, të frikësuar e të mjerë
Do të shkojnë se ora e fundit e kukudhëve është ndalur përgjithmonë
Do të shkojnë që paqja të qëndroj gjithkund në botë.

Hamburg,16.08.98




DASHURI PISE


1. Kur më bie ndërmend

Dëgjoi shiun
E i lagur qeshem gjatë 

Besa edhe kemi luajtur koqe

Krejt kjo ka ndodhur
Pa kulm mbi kokë
Në tokën tonë 


2. Eva

Sa dëshirë kam pasur
Ta shoh Even si ka vdekur

A ka vdekur cullak
Apo me shtiza të flamujve n´dorë

A, e kanë varrosur  
Pështjellur me lesh Dashi

Sa janë qeshur burrat

Amaneti i fundit i Eves
Adamin ta tredhin përsëri 


3. Atdhe teknefes

As sot
sa sot motmot
Nuk gjeta kund  pus të kthjelltë 
Pus m´u la shteq pas fëlliqëtihanës  

(Pus me u mbytur për se gjalli)

Se më kanë kafshua n´vend të keq
Gjëja e paskam sha 
një atdhe teknefes



4. Mauzoleu

Në gjithçka të kohës
Lesh mërzie po tjerrin

Në Mauzoleun e Atdheut
Do të ndodh diçka e çuditshme 

Ndoshta djajtë e kuq pshurrën
Duke brohoritur rrugëve; 
Kush dëshiron Atdhe me të lirën!?



Muri i Berlinit

E shikoja Murin e Berlinit të shembur
Qeshën disa fëmijë me mua

Paske ardhur përsëri ky me flamurin e Leninit
I thonë njëri tjetrit -
Kthehu zotëri, gurët e këtij muri janë mykur

Shtrydhi kokën një gjysmë shekulli
Jashtë del ngjyra e kuqe e gjakut
Refugjatet prekin herë murin e herë plagën kokën

Nëpër podrumet e errëta të Evropës
Vendasit e mi shesin flamuj të komunizmit
Kolla e keqe s´na ndalet njëmijë vjet
Njëmijë vjet me flamuj të huaj në dorë

1998



Dashuri moj

As mallin as etjen
As vdekjen s´do ta shuaj pa Ty
Lere moj njëherë ta bëj me sy

Ti n´breg të Llukës
Luama shaminë

Unë n´breg të Elbës
Asnjë fjalë shqip nuk e di.

Korrik, 97

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen