Observim poetik
(Arif Molliqi " Premiera e një pranvere" poezi,
botoi Rilindja, Prishtinë 2000)
Krahasimi është King Size (masë mbretërore) e një
standardi. S´kam si të mos e marr si pikë referenciale në këtë observim për
vargjet e Molliqit. Ky krahasim, që t´i iki keqkuptimit, nuk bëhet për vlerën,
po për metodologjinë e përpunimit substancial të materies artistike. Shoh këtu
pra metodologjinë e labirintit borhesian: një shkallë të lartë abstragimi. Mu
ky fakt vjen e shndërrohet në vlerë.
Autori nuk është lodhur të krijojë një strukturë të
përkryer formale të tipit eliptik, dhe as iluzionin e librit total. Ndarja në
voriacione, në njësi ose siç është bërë praktikë të thuhet - në cikle, më shumë
i detyrohet kodeksit tematik: meditim, dashuri, kurbet, po edhe tipologjisë së
ndërtimit: potret, peizazh e të tjera. Ndërkaq rezonanca e librit mbështetet në
imazhe harmonike të ndërtuara me mjete figurative të paradoksit, të groteskut
dhe të ironisë.
Arifi është ndër autorët e paktë që ka disiplinuar
ndjenjën dhe mendimin. Klithma, retorikë dhe aklamacione nuk gjejmë mandje as
në vargjet për të rënët, as në mallin e kurbetçarit as dhe në poezinë me po
këtë titull: Retorikë. Ne e dimë se shpirti i poetit lëngon e pikon lot, po
Molliqi si një maestro i vërtetë bën pozën e indiferencës. Si duket vargjet
janë krijuar për një lexim së brendshmi.
Esteti i njohur Foght thoshte: Kur dëgjoni Simfoninë Pranverore ju as shihni lule, as gjelbërim, as
cicërime zogjsh, por tingujt brenda shpirtit tuaj krijojnë pranverën, flladin
pranveror.
Ja, sa për ilustrim, disa shëmbëllime:
/ Erdhën kujtimet prej fshati/
Me një pemë nga kopshti (faqe 11,
/ Në çdo hije të pemës/
Pushojnë orët e mallkimit ( f. 13,
Ora e murit bëhet xheloze/
kur sheh moshën time në pikturë (f. 15, /
Veshi nata veladonin e murgut ( f. 27,
/ Lëvizi terri/ para nesh arriti diku (f. 59.
Nganjëherë edhe proverbialin e mirënjohur e inkuadron,
por gjithnjë si substancë të përpunuar imagjinative: / Nuk ndalem vrapin/ deri
te kau i zi/ f. 65.
Kronosi e ngjizje së këtyre poezive është pranvera e nëntëdhjete
nëntës e shekullit që shkoi. Së këndejmi premierë. Ndërkaq njësia "Natë në
Bllacë" është e mbushur me xhevahire të zezë poetik. Keni parasysh se si
poetizohen edhe politika, edhe drejtësia, edhe dokumentet administrative:
/ U zverdhen fjalët/
Nëpër kartat e të drejtave/
njeriu për njeriun ujk/ f. 31.
Kaq. Ja si shpërfushet blofi politik me sharmin e artit.
Në poezinë Lakimi, me mjete të lojës estetike e stilistike e ka bërë materie
arti kategorinë gramatikore të rasave duke i dhënë kuptim lartësor fatit të
etnisë dhe të atdheut. Krijimi poetik duke qenë një akt tërësisht individual
s´ka sesi të mos projektojë edhe trajektoren e vijës jetësore të autorit. Këtë
projeksion e gjejmë tek poezia; Intenerari, vargje prej të cilës tashmë kam
përmendur.
Gjithçka prej fillimit- është poezia që mbyll këtë vëllim
dhe ka një intonim të urtisë volteriane: Kopshtin duhet punuar. Rinisja,
rifillimi në të vërtetë jeta që vazhdon dhe ky nuk është një kandil, një
optimizëm i shpifur po para së gjithash një gjëllim stoik nëpër rravgamat e
jetës.
Si ta mbyll këtë observim poetik? Thjesht por me një
konstatim serioz. Ky libër dëshmon stad pjekurie artistike të njëmendtë të
autorit. Po të mos ishte kështu, Arifi nuk do të thoshte;
/Të vetmit shkrimtar/
i thuani s´dua të jem personazh/
i romaneve të tij/ f.57
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen