Montag, 14. Januar 2019

Shaban Cakolli: EVA E POEZISË SË ARIF MOLLIQIT


Arif Molliqi: “E dashura ime Eva”, poezi,  Sh.B “PA”,Prishtinë, 2013

         Lexuesit tanë sot në të shumtën janë të interesuar që të njohin botën shpirtërore të autorëve të rinj. Ata bëjnë kërkime, kërkime të cilat u ofrojnë të bukurën. Nga kërkesat që bëjmë, kemi hasur autorët e rinj janë shquar në punën e tyre dhe kanë prurje të bukura. Unë do të përmendja këtu Arif Molliqin, që është një autori i ri dhe shumë i suksesshëm që ka arritur nivelet më të larta dhe të letërsisë evropiane, pa përmendur dhe shumë autorë të rinj tek ne, të cilët vërtetë e kanë ngritur në nivel dhe i kanë dhënë përmasa të reja letërsisë shqipe, që mund të lexohet nga çdo lexues i botës.

Pra i janë përgjigjur letërsisë bashkëkohore, qoftë në drejtimet e rrymave të ndryshme letrare, qoftë si mesazhe apo dhe përmbajtje e thellë, ku thelbi i kësaj letërsie është shqipja, por dhe shpirti shqiptar, edhe pse krijuesit jetojnë dhe veprojnë jashtë atdheut.

Arif MOLLIQI, është poet që ka krijuar individualitetin krijues jo vetëm në poezinë e sotme shqipe që krijohet në mërgim, por përmasat e këtij individualiteti maten me nivelin e poezisë së sotme shqipe në shkallë kombëtare. Tashmë poezia e tij ka fituar një vlerë dhe peshë artistikeArif Molliqi në të gjitha përmbledhjet poetike ka dëshmuar vetën se është nga poetët e rrallë që ka ruajtur lidhjet shpirtërore dhe të pandashme me vendlindjen, me atdheun dhe me Kosovën përgjithësisht.

Arif Molliqi solli në letërsi botën shqiptare, aspiratat jetike të popullit. Dashuria për Atdheun, popullin dhe njeriun, krenaria kombëtare dhe besimi në të ardhmen, ideja e madhe e çlirimit, Arif Molliqi ka dhënë prova se është një ndër poetët, prozatorët, publicistët, që punën e tijë në letërsinë tonë e merr me një përkushtim dhe ka bërë kthesa qoftë në poezi, qoftë në prozë, duke ditur me mjeshtri të kapë tema që janë aktuale për shoqërinë tonë. Ai , mund të llogaritet një ndër krijuesit tanë, që ka bërë dhe po bënë kthesa të mëdha në letërsinë tonë, duke gdhendur gjuhën dhe nga këto gdhendje po nxjerr thesare të mëdha.

Arif Molliqin nuk e kisha njohur më parë personalisht, por duke e lexuar me vëmendje të lartë prej kohësh, kur e takova më dukej sikur të ishim njohur nga fëmijëria. Përse themi kështu? Ky maestro i vërtetë i fjalës së shkruar, e bënë lexuesin sikur të jenë rritur me te, gjatë kohës kur lexuesi lexon brendinë e tij shpirtërore. Me një thellësi shpirtërore, ndjesi artistike, me vargjet dhe rreshtat e tij Molliqi ka fisnikëruar letërsinë tonë, duke i sjellë asaj vlera me mjeshtri, për çka edhe është nderuar me shumë çmime letrare. Arif Molliqin personalisht e njoha para tri vitesh kur u nderua ng LSHAKSH në Gjermani me çmimin Shkreli, në vendin e parë. Më dukej i njëjti, sikur kur e lexoje, sikur bisedoje me te, ai ishte vet vlera, vet poezia, vet miku i mbushur plot fisnikëri. Vështirë do e kishim për të përcaktuar nëse Molliqi do të ketë bërë hapa më shumë në prozë apo poezi, sikur ai të mos e thoshte vet se e donë më shumë poezinë.
Arif Molliqi poezinë e ka pasion dhe e shkruan për të shprehur ndjenjën dhe përkushtimin e tij letrar. Ndoshta në prozë për nga numri ka shkruar më pak, por proza dhe poezia e tij janë të fuqishme, me një vlerë të respektueshme, vlerë që tërheq vëmendjen e lexuesve, them të atyre që leximin e bëjnë kujdesshëm dhe e kuptojnë në mënyrë profesionale, ndryshe një kategori lexuesish duhet të lexojnë disa herë për të kapur thelbin e këtyre vlerave me brumin e duhur artistik. Sikur shumë krijues tjerë që jetojnë në mërgim, edhe Molliqi i cili jeton në Hamburg të Gjermanisë, nuk ka mundur të i ikë boshtit të temave që për trajtim kanë mërgimin, ku vend qenësor zënë malli dhe dashuria për atdheun.

Arif Molliqi është një krijues i cili rrugëton kujdesshëm qoftë në rrugën e poezisë, qoftë në atë të prozës, duke ditur të shpërndajë brendinë ideore të fjalës së shprehur në art. Tek përmbledhja poetike “E DASHURA IME EVA”, e Arif Molliqit, lexuesi ynë do të gjejë imazhet,idetë,emocionet,të gjitha këto në përkim me kërkesat më bashkëkohore të artit. Kjo vjen nga rezultati i aftësisë së këtij poeti i cili në çdo libër më shumë që po boton,të jetë më në nivel të artit të mirëfilltë,e cila arrihet nga poet të rëndësishëm të cilët nuk janë shumë të tillë sot në letërsinë tonë.


E DASHURA IME EVA-2013

Arif Molliqi qoftë në poezi,qoftë në prozë ka dallueshmëri nga shumë nga poetët tanë, shkathtësinë për të njohur botën që e takon çdo ditë. Një poet, prozator, dramaturg, ku herë-herë shkruan edhe satira, është i mirëpritur te lexuesi ynë me të gjitha zhanret, këtë e bënë me një mjeshtri të rrallë prej krijuesi, por gjatë leximit të krijimtarisë së tij, ajo çka kam mundur të kuptoj unë, Arifi më me pasion dhe përkushtim e kultivon poezinë.
         Vargjet të cilat dalin nga vjershërimi i poetit janë të qarta, të kuptueshme,  të kthjella thënë drejt kristalore. Tek poeti Molliqi nuk preken tema tabu, aty preken tema te reja,ku gjithnjë ruhet në masë lidhja mes traditës, dashurisë kombëtare, pa mundur të i shmanget mallit të atdhedashurisë, pasi që kurbetin kaherë e ka përjetuar në lëkurën e vet,por asnjëherë pa dalë skajshmërisht nga boshti i të arriturave të tij të suksesshme të poezisë sonë bashkëkohore. Teksti poetik i poezive të Arif Molliqit në përmbledhjen poetike “E DASHURA IME EVA”,ndërtohet përmes gërshetimit të trajtave të veçanta shprehëse të cilat manifestohen në bazë të thyerjeve të natyrave të ndryshme,që në çdo fund varg konstituohet me vlerë të fuqishme,me mesazh që frymon,që thërret,që ndërton. Në këto mesazhe ngrihet zëri i fuqishëm i poetit i cili nuk pajtohet me atë që është kundër njeriut,ku mesazhi i vargjeve të tij mbanë anën e të drejtës dhe së vërtetës.

Libri poetik i Arif Molliqit,”E DASHURA IME EVA” është një përmbledhje poetike e ndarë në pesë cikle:”Vetëm udhët e shembura”, ”Rebelimi i Adamit”, ”E dashura ime Eva”; ”Folklor Atdhedashurie”dhe “Kafene e mbrëmjeve”. Një autor i vargut poetik si Molliqi, rrallë mund të gjendet mes nesh i cili aq bukur e ka të disiplinuar ndjenjën dhe mendimin, qoftë kur shkruan poema të gjata,qoftë me pak vargje. Ai din të formuloj mendime duke i dhënë fuqi kuptimplote, duke i bërë ato të akceptueshme për lexuesin, ku përkushtim ka të ngrit mendimet në nivelin më të lartë poetik,në veçanti këtë ngritje ia përkushton dashurisë ndaj atdheut. Arifi edhe kur shkruan shkurt, meriton meditim të thellë në vargjet e tija,të cilat gjatë analizës së thelluar,flasin më shumë se çka është e shkruar:

Ti ke ëndrrat e tua
Varret dhe kështjellat
Ti s´je si unë
Unë jam vallëzim
Që jetoj pranë syve tu.

A nuk janë kuptimplote këto vargje,padyshim thuan ate që shumë nga ne duhet thënë,e shumë nga ne nuk do të mundeshim të i thonim në shumë strofa të gjata. Mungesa e atdheut e ndjek poetin,i cili jeton mijëra kilometra larg vendlindjes,ku malli për te e shtynë të gjejë tema,motive,të cilat ai i ka në botën e vet shpirtërore,të cilat poetit i dalin si në retrovizor pamjet dhe përjetimet nga e kaluara,malli që bluan në botën shpirtërore,madje e shpalos në letër,duke lëkundur botën shpirtërore të lexuesve. I munguar nga mjedisi dhe rrethi shoqëror, Arifi krijon në heshtje,pa u endur herë rreth ndonjë organizimi që nuk është në nivelin e duhur,i rrallë edhe në rrjetet sociale,ai di të disiplinoj me shpirt ndjenjën dhe mendimin, gjen burim frymëzimesh të forta, se ku e gjen këtë frymëzim nuk e di saktë, ndoshta në qytetin e madh e modern të Hamburgut,ku punon e vepron,ndoshta vetvetiu në dhuntitë e tij shpirtërore,kryesore ka burime të pashtershme arti.
         Jo rrallë te poezitë e Molliqit kemi të pranishëm kryekëput motivin e atdhedashurisë,ku poeti identifikohet dhe prek hapësirën e vendlindjes, atdheut, lëndimin e shpirtit,ku e vërteta jetësore gjithnjë është si mostër në vargje qoftë në formën individuale e përdorur, qoftë e ngarkuar me figura, me një potencë të madhe kuptimore,ku e vërteta artistike, mesazhi poetik të jenë të qëndrueshëm, që i qëndron kohës dhe bartë ndikim aktiv tek lexuesit.

Sa dëshirë kam pasur
Ta shoh Evën
si ka vdekur
A ka vdekur cipërcullak
Apo me shtiza të flamujve
n´dorë
A, e kanë varrosur
Pështjellur me lesh Dashi
a fletë fiku
Amaneti i fundit i Eves
Cili ishte
Adamin ta tredhin përsëri

Poezia e Molliqit është dëshmia më e mirë se kjo poezi i ka rrënjët në realitetin tonë, e që nga ai bazament ngritën në art të mirëfilltë. Poezia e Arif Molliqit është poezi e vlerës së lartë, instrument për dhënien e së vërtetës së bukur,e që mendoj se çdo art e kërkon këtë,nga se arti është padyshim mënyra më thelbësore për zbulimin e së vërtetës,kurse e vërteta është vlera më e lartë e shpirtit. Molliqi nuk le në këtë përmbledhje poetike hë për hë pa përdorur edhe satirën,këtë e përdor me mjeshtri tek”KËNGA E MARRËZISË”

Kur popullin e kaplon uria
Dhe kur hajnat i mbron qeveria,
Rroftë marrëzia O!

Por më pas poeti me mjeshtri ikën satirës, zgjeron horizontin e vet,jep emocione të reja, sjell rreth të ri lirikash, ruan rrugëtimin e ideve,imazheve, ku ligjërata e tij poetike thyhet e përthyhet në vargje,lidhur njëra me tjetrën përmes subjektit lirik,figurave poetike,ku dominon gjithnjë arti i fuqishëm. Të analizosh përmbledhjen poetike “E dashura ime Eva”, do kohë e mund, si dhe është e pamundur të hidhet e tëra në letër për lexuesin.
Që lexuesi mos të e kapërdijë të gatshme,është në interes të çdo lexuesi të mirëfilltë të e lexoj në tërësi këtë libër të ngjeshur në art,të kapë botën shpirtërore të poetit,tema dhe ide, mesazh, ndjenjën dhe mendimin e poetit Molliqi. Të e lexosh në tërësi përmbledhjen poetike të Molliqit, të e analizosh dhe kuptosh drejt,do të thotë: atë të e ndjesh, e prekesh, shpërthesh bashkë me të, dehesh, shkrihesh në thëllimet e saj. Edhe gjuha poetike është e çiltër,me theks të fuqishëm, kambanë e mesazheve, armë e fortë arti në duar të lexuesit,poezi në të cilën kapet imazhi,fuqizohet ideja, poezi e mesazheve, e cila lexuesit i ofron atë që duhet të e thotë artisti për kohën e vet.

13 Shkurt 2014

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen