Montag, 14. Januar 2019

Berat Dakaj: NJË PËRMENDORE TJETËR PËR LLUKËN

(Për monografinë; Lluka e Epërme nëpër shekuj”, botoi, SHB Armagedoni”, Prishtinë, 2017)

         Lluka e Epërme sot ka disa përmendore të dëshmorëve dhe të heronjve të cilat dëshmojnë qëndresën e tyre në kohë lufte dhe veprimtarie kombëtare. Secili gur i varrit të tyre ka histori të dhimbshme, njëkohësisht krenare. Por, ata janë aty dhe nuk luajnë vendit siç do të luajnë vendit dhe të shfletohen faqet e këtij libri nga ju dhe nga të tjerët, shkruar për të bëmat e tyre. Ata janë këtu, në këto faqe të këtij libri historik dhe kulturor, në këtë monument kujtese dhe kujtimi, në këtë libër shkencor që do të lexohet dhe përcillet brez pas brezi, sikurse janë përcjellë trashëgimtarët dhe trashëgimitë kulturore të tyre dhe që, pa dyshim, për shkak të rëndësisë së vogël që ka sot e të madhe që do ta ketë në pesëdhjetë vjetët e ardhshëm, kjo monografi do të quhet përmendorja e fshatit Llukë e Epërme.
         Ky tekst i autorit Arif Molliqi, me titull “Lluka e Epërme nëpër shekuj”, në të gjitha masat i përgjigjet tipit të monografisë shkencore për këto arsye:
         Jep informacione për pozitën gjeografike të Llukës së Epërme; përshkruan relievin e saj, përbërjen e tokës, klimën, ujërat, jazet; botën bimore dhe shtazore, edhe kushtet për të jetuar dhe për t’u zhvilluar këto; ka shpjegime shkencore për toponimet dhe mikrotoponimet në Llukë të Epërme, për të cilat autori i referohet literaturës në gjuhën shqipe dhe asaj në gjuhë të huaj. Po nëpërmjet shpjegimit të tyre nxjerrë vjetërsinë e fshatit Llukë e Epërme, pastaj edhe të emërvendeve Verrishtë, Arat e Zefit, Vorret e Moçme, Drumi i Telit, Lumëbardhi, Vigu i Llukës, Ura e Haxhive e deri për bjeshkët e Zhlepit të Llukës së Epërme, për të cilat dikush nga ju ka protestuar vite më parë dhe, sigurisht, po dikush nga ju do të protestojë sërish në vitet e ardhshme; shkruhet gjerësisht për zhvillimin historik dhe shoqëror të Llukës së Epërme; për popullsinë e saj ndër vite, që nga shekulli i 13 e deri tash së voni. Edhe zhvillimi ekonomik, urbanizmi dhe arkitektura popullore e Llukës së Epërme zënë vend në disa faqe të këtij libri. Shohim në kapitullin e katërt industrinë e vogël të dikurshme të Llukës, punimin e tirqve, të xhamadanëve, të jelekëve; gjurmët e disa mullinjve dhe të disa rrugëve e urave; kullat e para trekatëshe që s’i kishin fshatrat e tjerë dhe ato të mëvonshmet; ndërtimin dhe organizimin e tyre; pastaj shkatërrimin e të gjitha kullave nga serbët gjatë viteve 1998/1999. Për popullsinë, familjet, fiset dhe lagjet e Llukës dhe për organizimin dhe ndarjen e tyre, Arif Molliqi shkruan duke u mbështetur në disa artikuj që janë publikuar në libra dhe në gazeta, por edhe nga rrëfimet që ka dëgjuar vetë nga të vjetrit, edhe të tjerët që i kanë dëgjuar nga baballarët e tyre e ky i ka shkruar në libër, duke përmendur emrin e atij që ka rrëfyer, ta zëmë, për prejardhjen e familjes së vet, se kush ishin të parët e tij, se ç’punë bënin, se kënd kishin lënë trashëgimtar. Ndërkaq, gjenealogjia e lagjeve dhe familjeve Babanaj, Kaqorraj, Memaj, Molliqaj, Muqaj, Mulaj, Neziraj, Sutaj, Tahirukaj, Thaqaj dhe degët e tyre përcillen me trungjet që kanë punuar disa nga bashkëpunëtorët e Arifit.
         Së këndejmi, rëndësi e madhe në këtë monografi u është dhënë Verrave të Llukës, kuvendeve dhe besëlidhjeve shqiptare që janë bërë aty në kohë të ndryshme për çështjen kombëtare. Në këtë pjesë të tekstit autori nuk i rëndit ngjarjet sipas rëndësisë dhe jehonës së tyre, por sipas kronologjisë së tyre. Pra, përmend besëlidhjen e parë te Verrat e Llukës më 1878, pastaj atë të vitit 1885 e kështu me radhë; ndihmën që kanë dhënë familjet e Llukës për organizimin e atyre kuvendeve, për hapjen e dyerve për fjetje dhe për ushqim për pjesëmarrësit e mbledhur në Verra nga të gjitha anët e Kosovës.
         Lufta ballkanike dhe kolonizimi i Kosovës dhe terrori serbo-malazez kundër shqiptarëve gjatë dhe pas luftës ballkanike nxjerrin në dritë anën tuaj të errët, ndjekjet dhe përndjekjet e banorëve llukjanë nga serbo-malazezët, kolonizimin e tokave tuaja nga ta dhe bartjen e tyre në emër po të serbo-malazezëve, deri edhe ndërrimin e fesë me dhunë që jua pat bërë kisha ortodokse malazeze, xhandarmëria e së cilës kishte pushkatuar disa llukjanë, të parët tuaj, për mosbindje. Por edhe kësaj dhune do t’i vinte fundi me shpërthimin e një lufte të re. Duhej të kriste një luftë më e madhe, Lufta e Dytë Botërore, e me të të merrte fund procesi i kolonizimit të Kosovës me elementin sllav, sepse kolonët serbë dhe malazezë nuk mund të bënin vend aty ku ishin ushtria gjermane dhe ajo italiane. Megjithatë, ngjarjet e këqija për llukjanët dhe për shqiptarët e Kosovës vazhdojnë edhe pas përfundimit të Luftës së Dytë. I keni këtu, në këtë libër, fije e për pe.
         Këto dy luftëra, deri vonë, kanë pasur përjetues të gjallë në Llukë, të cilët në këtë libër kanë rrëfyer për to dhe për kohën e Rankoviqit; për burgosjet, për rrahjet, për maltretimet, për vrasjet dhe për masakrat e shumta bërë popullatës shqiptare të Rrafshit të Dukagjinit. Në këtë kontekst, të përjetimit të këtyre ngjarjeve dhe të qëndresës së shqiptarëve, Molliqi shquan disa llukjanë, si: veprimtarin Ahmet Thaqi, kryetarin Shaban Memaj, antikomunistin Adem Molliqaj, patriotin Tal Babani, atdhetarin Sadri Shala, mësuesin e gazetarin Ali Sutaj e Rexhep Molliqaj, veprimtaret Mic Muqaj e  Hasan Memaj e disa të tjerë, të cilët, meqë kanë zënë vend në këtë monografi për veprimtari kombëtare, nderojnë gjithë fshatin, gjithë Deçanin dhe gjithë kombin. Por, nuk janë vetëm këta burra llukjanë që dhanë çfarë patën dhe çfarë mundën për vendin. Ata që s’rrojnë më lanë trashëgimtarët që ndoqën rrugën e tyre, ndonjëri të mësimdhënies, ndonjëri të veprimtarisë atdhetare, dikush të rapsodimit, ndonjë tjetër të mjeshtërisë së ndërtimit të kullave dhe të shtëpive. Madje, po në fshatin tuaj, në Llukë të Epërme, nisi t’i çelë sytë shkolla e parë shqipe, në objektin e mejtepit të rinovuar para disa viteve që tashmë e ruani dhe e mbroni me ligj.
         Po në fshatin tuaj nisi për herë të parë edhe hartimi i alfabetit të gjuhës shqipe, të cilin e mësuan një kohë nxënësit e parë të mejtepit.
         Po nga ky fshat, shumë vite më pas, u shkolluan, në Universitetin e Prishtinës, në Universitetin e Beogradit e të Zagrebit, shumë llukjanë. Pjesa më e madhe e tyre u bënë mësues, sepse mësuesit u duheshin brezave të rinj më së shumti në atë kohë, disa u bënë oficerë, disa mjekë, disa u shkolluan për filozofi, pak prej tyre për sociologji, për arkitekturë. Ata persona udhëhoqën shkolla, qendra tregtare, administrata, fabrika etj.
         Po këtu, në Llukë, ka rrënjë edhe epika historike popullore. Të këtij vendi janë Dervish Shaqa dhe Demush Neziri, të cilët, me shumë tekste të këngëve shkruar për ngjarje të kohës sa ishin në Kosovë dhe kur shkuan në Shqipëri, e pasuruan folklorin tonë, fondin e këngëve epike, duke trajtuar në to ngjarje historike.
         Qëndresë, trimëri dhe atdhetarizëm djemtë e Llukës së Epërme treguan edhe kur e veshën uniformën e UÇK-së, kur u armatosën, kur luftuan përballë serbëve me atë pak armatim që e merrnin në Shqipëri, kur u vranë dhe kur mbetën gjallë që t’i kujtojnë betejat e veta dhe të shokëve. Shohim në këtë libër, se luftë paqësore në Llukë nuk pati. Këtu ranë dëshmorë disa djem të rinj, kurse disa të moshuar vdiqën gjatë shpërnguljes për në Shqipëri. U dogjën edhe shtëpitë e tyre dhe, po nën ato gërmadha të mbetura nga lufta, nisi jeta e tyre e re, pa pasur më kush drojë nga serbët se do të kthehen më, as pa pasur kush kujdes të veçantë ta ruajë trashëgiminë materiale kulturore, e cila shkatërrimin më të madh e përjetoi në luftë, kurse ajo shpirtërore – para dhe menjëherë pas luftës.
         Për fund, ju them se në këtë monografi nuk ka zbrazje të ndjenjave sikurse ka bërë kohë më parë Arifi në përmbledhje poezish. Këtu ka mendim dhe meditim; ka histori, etnologji, folklor; ka dokumente dhe fotografi; ka copa të vogla nga jetëshkrimi i njerëzve që kanë vdekur dhe që janë gjallë; ka art dhe ka shkencë; ka maturi dhe mençuri nga filozofia e popullit shqiptar, veçanërisht nga burrat e familjeve të Llukës së Epërme, për prejardhjen e të cilëve, po dhe për diturinë, shkollimin, trimërinë, traditën, nderin, besnikërinë e tyre, e për çfarë jo tjetër me vlerë të papërsëritshme ndër shekuj, mund të lexoni këtu nga një monografi që e di përgjegjësinë e këtij lloj shkrimi.
         Këtë monografi dhe këtë histori fshati do të donte ta kishte çdo fshat i Kosovës.
         Do të donte ta kishte edhe një Arif Molliq që ka guximin, ka vullnetin, ka dëshirën dhe shëndetin ta shkruajë zhanrin më të vështirë: monografinë.
         Për fshatin tim, për Caravikun e Klinës, do të doja ta kisha edhe unë një Arif çfarë e keni ju, që shkruan për familjet tuaja dhe për vendin tuaj një këso monografie që ju bën nder të madh juve, edhe shtëpisë sime botuese, edhe studimeve albanologjike.

(Recension për librin “Lluka e Epërme nëpër shekuj” të autorit Arif Molliqi, përuruar në Deçan më 19. 10. 2017)

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen