Montag, 14. Januar 2019

Arif Molliqi dhe romani "Simfoni për darkën e qenit"

Nga: Shaban Cakolli

NARRACIONI ME STRUKTURIM TË QËNDRUESHËM
NË PROZËN E ARIF MOLLIQIT

(„Simfoni për Darkën e Qenit” roman i Arif Molliqit, botoi Shtëpia Botuese „Faik Konica“, Prishtinë, 2012)

         Lexuesit tanë sikur janë në kërkim të një proze më një qasje të re. Ky kërkim vjen si nevojë e domosdoshme që lexuesi ti afrohet librit. Mirëpo diçka e ngjashëm vlen edhe për autorët të cilet duhet të u sjellin lexuesve prurje të reja. Mes atyre autorëve që ka një qasje të tillë do të përmendja Arif Molliqin,  një autor i ri, jo në moshë, por në prozë ngase më pare ky autor ka dhënë prova se është një poetë që punën e poezisë e merr me një përkushtim. Prandaj e dhe ka bërë kthesa qoftë në poezi,qoftë në prozë, duke ditur me mjeshtri të kapë tema që janë aktuale për shoqërinë tonë.
         Arif Molliqin e njoha duke e lexuar nga brendi e tij shpirtërore. Me një thellësi shpirtërore, ndjesi artistike, me vargjet dhe rreshtat e tij Molliqi ka fisnikëruar letërsinë tonë, duke i sjellë asaj vlera, për çka edhe është nderuar me shumë çmime. Sado që Molliqi poezinë e ka pasion dhe e shkruan për të shprehur ndjenjën dhe përkushtimin e tij letrar, në  prozë për nga numri ka shkruar më pak, por si proza e dhe poezia e tij janë të fuqishme, me një vlerë të respektueshme, vlerë që tërheq vëmendjen e lexuesve, them të atyre që leximin e bëjnë kujdesshëm dhe e kuptojnë në mënyrë profesionale, ndryshe një kategori lexuesish duhet të lexojnë disa herë për të kapur thelbin e këtyre vlerave me brumin e duhur artistik.  Në ketë prizëm mund të themi se Molliqi është një krijues i cili rrugëton kujdesshëm qoftë në rrugën e poezisë, qoftë në atë të prozës, duke ditur të shpërndajë brendinë ideore të fjalës së shprehur në art. 
         Ai e nisi krijimtarinë e tij me vullnet, përkushtim, qëndrueshmëri, për të i ofruar lexuesit të bukurën në art. Fillimisht në shkrimet e tija din me mjeshtri të nisi idetë, të ndërtoj shtjellimin, me përkujdesje që mos të krijoi te lexuesit diçka të mërzitshme. Ai di të zgjedh sekrete të cilat e tërheqin lexuesin dhe e mbanë të mbërthyer pas vetes të mos braktisë leximin deri të e ketë përfunduar në tërësi dhe e bënë të i ketë lënë mbresa. Molliqi është i kujdesshëm në zgjedhjen e personazheve duke ditur të radhis mjeshtërisht të bëmat e tyre, rolet, funksionet e tyre, me të cilat ua afron lexuesve shijen e një vlere dhe të një libri të suksesshëm, ku lexuesi me padurim pritë të lexoj librin tjetër të këtij autori.
         Në romanin ” Simfoni për darkën e qenit” që ka dalë këto ditë Molliqi sfidoj format e ngurta dhe tradicionaliste të te shkruarit sepse, në prozë ky sfidim lejohet pasi romani është një zhanër i pakryer. Autori në këtë roman ka bërë që vëmendjen e lexuesit ta mbaj të përqendruar brenda rrëfimit, përkatësisht brenda atyre ngjarjeve që u ndodhin personazheve nëpër kohën që duket mjaft absurde. Sado që rrëfimi në këto romane duket autobiografik, Molliqi ka bërë të shpalos paradokset e dhimbshme të te dy kohëve, dhe zhgënjimet e njëpasnjëshme që vijnë si të qëllimta në këtë kohë. Mënyra e rrëfimit romanesk duket e lehtë dhe funksionale, e rrjedhshme dhe e latuar edhe gjuhësisht. Kur kësaj i shtohen edhe disa fakte që janë të ngulitura nëpër faqet e historisë sonë, lexuesi do të gjejnë gjera shumë interesante. Faqet e romanit janë të përshkruara me shumë kujdes, të ndara në njëzetë e shtatë kaptina Edhe në këtë aspekt autori e përshkruan rrëfimin tejet interesant dhe të ndritur. Para këtij romani, Molliqi ka radhitur bukur personazhet: Zog Shkoza, Keqan Krasta, Eva; Zakja, Zari Krasta, oficeri, prokurori, togeri, ushtari, hetuesi Defatoria K, të cilët më pas i filtron dalëngadalë në njëzetë e shtatë kaptinat e romanit i cili rrumbullakon 203 faqe.
         Ngjarjet nisin në qytetin D, kur në rrethana misterioze qenka vra një qen i ushtrisë në karaolin aty diku në kufi.  Për ketë Zog Shkoza, do të mbahej në burg, do të torturohej rëndë, do te fillonin hetuesi ndaj tij, do të pyetej për shumë gjëra që kanë ndodhur njëqind vjet para kohës së tij, të bëmat në kohën e tij, thuaj se i tërë qyteti nuk kishte ndonjë problem më të rëndësishëm se të merreshin me ndriçimin e vrasjes së një qeni! Çuditërisht vrasja e një qeni dhe format për ndriçimin e vrasjes së tij, sillen në të gjithë romanin. Vrasja e një qeni kishte qen një pretekst ku mundoheshin të mbuloheshin krenaria e rrejshme e oficerit dhe moralit të ushtarakut. Rrokullisja e ngjarjeve ishte një mister: Herë thuhej se qeni është vra brenda kazermës, herë këtu, herë atje, dikush thoshte se krimi është bërë natën, dikush ditën, nuk dihej vendi dhe koha ku ishte krye krimi, madje personazhi kryesor togeri ato kohe ishte larguar nga kazerma e Shkozës, disa thoshin e transferuan, te tjerët e burgosen, madje shtrihej edhe dyshimi se gruaja nuk e kishte dashur, e kishte tradhtuar, etj….
         Sido që të ketë ndodhur, për këtë simfoni ka për të u folur edhe shumë e shumë, gjëra që nuk mund të përshkruhen të gjitha përmes një vështrimi të shkurtër. Lexuesit që kanë pasion për të ndjekur të bukurën, është mirë të shpalosin këtë roman domethënës, në të cilin Molliqi, ka përdorur format për të e zgjeruar atë, duke ua gjetur rrjedhën të i bëjë sa më interesante.  Ai di të zgjedh sekrete të cilat e tërheqin lexuesin dhe e mbanë të mbërthyer pas vetes të mos braktisë leximin deri të e ketë përfunduar në tërësi dhe e bënë të i ketë lënë mbresa. Molliqi është i kujdesshëm në zgjedhjen e personazheve duke ditur të radhis mjeshtërisht të bëmat e tyre, rolet, funksionet e tyre, me të cilat ua afron lexuesve shijen e një vlere dhe të një libri të suksesshëm. Romani flet më pas për ushtarakët në Shkozë,gjuetinë e tyre, vështirësitë me jetën e atyre ushtarakëve në një vend të huaj. Keqan Krasta është një personazh tjetër me karakterin e tij të ulët,i cili shtronte darka me këto regjime, darka të cilat e trishtonin gruan e tij Zaken. e cila njihte ndyrësirat e Keqanit, moralin e tij të ulët, i cili e kishte tradhtuar Zaken dhe po bënte jetë imorale me një jevge. Molliqi dallohet ndër romansierët e shquar,i cili di të trajtoj mirë ngjarjet, ngjarjen e nisë me një vrasje qeni,duke e shoshitur njërin ndër personazhet kryesor Zog Shkozën,i cili gjykohet për vrasjen e qenit, edhe pse pretekst del vrasja e një qeni,lexuesit i mbetet të kuptoj se këtu nuk bëhet fjalë thjesht për një vrasje qeni,por fjala është për një lëmsh të thurur keq nga mekanizmat e një shteti të sëmurë, fijet e të cilit shpien në amoralitetin e një qarku ushtarak, të një soldateske të huaj amorale në qytetin D. Kjo soldateskë amorale pretendonin të zbatonin një të keqe që moti i kishte shtrirë rrënjët nga një largësi, me ndihmën e një qarku njerëzish, që qëndronin larg opinionit, por që nxirrnin krye në shfaqjen e vrasjeve enigmatike. Si burim i gjitha akuzave,bartës i sakrificave në ngjarje na del Zog Shkoza. Vrasja e një qeni, mbetet enigma dhe pesha e rëndë në qytetin D, ku torturat bien mbi Zog Shkozën. Të keqen makabre mbi Zogun, po e ushtronin: gjykatësi, avokati, oficer, toger e ushtarak. Ndaj gjitha këtyre të këqijave, Zog Shkozës i kishte rënë ndërmend se në mbrojtëje mund të e ndihmonte Omeri i Pal Lumit. Arsye ishte se Omeri paska pasur një lidhje me ushtarakët dhe e tëra kjo lidhje do të mund të tregonte një histori në vete, që do të ndriçonte shumë gjëra. Propozimi i avokatit që Omeri të dëshmonte ishte pranuar, të cilin Omeri e paska pranuar heshtur, por guximshëm. Nga ky fillim i dëshmisë do të ndriçoheshin shumë gjëra, fillon një zgjidhje lëmshi, del të kuptohet se në qytetin D, prostitucioni paska filluar nga kazerma ushtarake! Kjo len të kuptohet se si një ushtri e cila duhej të jetë themeli i një shteti, të bëmat e rregullimit të një rendi i kishte nisur me imoralitet. Në këtë ndyrësi rol lozin ushtarët, mjeku ushtarak, togeri, oficerët, të cilët kishin mbledhur rreth vetes disa mikesha si: Defatoria K, Kuzhinierja e trashë dhe Vera, të cilat kryenin profesionin e kurvërisë, madje veç me oficerët edhe me kolektivin ushtarak. Jo rrallë në kazermë organizoheshin mbrëmje të cilat i quanin festa të seksit, ku ushtarët tubonin para për të shfryar epshet mbi mikeshat e oficerëve. Tani dëshmitari ndoshta do të zgjidhte enigmën e simfonisë të darkës së qenit, po ngjarja nuk mbaron aty. Kur të gjithë ushtarët kishin tubuar pagat për festën e seksit, dëshmitari kishte detyrë shëtitjen e qenit rreth kazermës. Edhe pse nuk kishte radhën të shëtiste qenin atë natë,u detyrua të e bënte këtë,për shokun e tij, nga i cili shpesh kishte huazuar të holla, kurse atë natë ai e kishte kushtëzuar me borxhin. Si gjithë ushtarët tjerë edhe ky donte të ishte pjesë e lojës të kësaj feste, andaj qenin e kishte lidhur për një trup gështenje, duke menduar se kalimtarët kur të kalonin e të e shihnin qenin aty do të kujtonin se roja është aty. Llava e ujqërve kishte zbritur nga bjeshkët dhe e kishin shqyer qenin copë-copë. Kështu disi kishte përfunduar darka e qenit, po simfonia nuk do të mbyllej këtu, nga se burimi i saj ishte i thellë. Tri gra në kazermë:Vera, kuzhinierja dhe defatoria K, ishin orkestruese të kësaj simfonie:  Deri sa me Veren dhe Kuzhinieren oficeret nën tingujt e muzikës, në tavolinat me verë rrushi po i shfrynin epshet, duke bërë pallon e sofasë dhe duke ua paguar pagat, mbi defatoren K, shfryheshin radhazi ushtarët e etur për seks njëri pas tjetrit. Ushtari i quajtur Kali i Banatës, do të kumtonte lajmin për trupin lakuriq, të ngrirë dhe përgjakur të defatores K; e cila kishte përfunduar nga seksi i pamëshirshëm i ushtarëve të uritur. E keqja thellohet, kur edhe mjeku ushtarak kishte dhënë konstatimin se defatoria K, ka përfunduar nga dhunimi i shfrenuar. Edhe pas zgjedhjes së kësaj enigme, Zog Shkoza mbetet në zhagitjen e aktgjykimit. Krerët e këtij shteti të sëmurë, vdekjen e defatores K, e arsyetojnë si vdekje nga një sëmundje epidemike, e cila për shtetin arsyetohej. Shumë gazeta e botojnë trupin e defatores K; kinse nga një sëmundje epidemike e quajtur Kolera e kuqe. Kjo epidemi më pas do bëhej publike, e zeza e e qytetarëve të Kosovës, epidemi kjo e shpikur nga krerët e shtetit, ku si pretekst ushtria dhe policia do të futeshin në territoret e Kosovës si: Pejë, Prishtinë, Gjakovë, Prizren, Gjilan… kinse kjo ushtri shumë etnike po merrnin masa për të ndihmuar Kosovën, kinse mos të përhapej kjo sëmundje! U fol se për këtë epidemi u dashka një lloj vaksinimi, por që shteti akuzonte shqiptarët se nuk po pranojnë të vaksinohen nga frika se i qon në shterpësi! Madje shteti ankohej se kishte bërë harxhime të mëdha për vaksinat që kishte sjell nga jashtë, kurse shqiptarët po i refuzonin,kinse virusin e kësaj sëmundje e kishin sjellë pelegrin të Kosovës që ktheheshin nga vendet e shenjta! Si pretekst të këtij vaksinimi, shteti u dashka të merrte masa ligjore kundër shqiptarëve, Kosova të shpallet vend i rrezikshëm, të shpallet gjendja e jashtëzakonshme, të rrethohen kufijtë me ushtri e polici, ndalim qarkullimi, pezullimi i tubimeve, koncerteve, dasmave e ceremonive mortore. Sërish gjykimi mbi Zog Shkozën vazhdoi, mbrojtjen e tij nuk e dëgjoj kush, as nuk u përfill,pak kush e diti çfarë dënimi iu dha, një gjë kuptohej: Vetëm dëshmia se shumë kohë askush nuk e kishte pa në katundin Shkozë, as në qytetin D, tregon se ai ishte dënuar gjatë.
         Në fund mund të themi se libri i Arif Molliqit ”Simfoni për Darkën e Qenit” është një libër vlerash me një vokabular shprehës, i pasuruar me shprehje e tradita dukagjinase, duke i lidhur ato me mendime artistike,duke dhënë figuracione të mjaftueshme, gjuhë të rrjedhshme dhe muzikalitet. Kështu ky libër meriton të bie në duar të çdo lexuesi të vëmendshëm, madje pasuron bibliotekën e çdo lexuesi të mirëfilltë.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen