Donnerstag, 10. Januar 2019
Premiera e një pranvere
Poezi nga libri i katërt “Premiera e një pranvere”
RRËFIME PRUSHI
1. Anës Elbës
Anës Elbës
shtëpia tek më ngrohet nga zjarri
Brenda i kam harruar
të gjitha librat
Harruarkam një mollë,
dhe një ftua.
2. Arkivoli prushi
Në dhomën e punës
prush
arkivole personazhe
as të ngrohta as të ftohta
Kur ra bora e parë
te dardha e egër
n´fund kopshti
me sëpatë premë
frikën e udhëtimeve
17.04.1999
PREMIERA E MOTITI TË LIG II
Me qefin prej balte mbuluar kur nata kërkon ta ndezë agimin
yjet banojnë afër meje shumë afër kockave të mia,
ku era m´i lëmon plagët e njoma prej ndjekjes së mesnatës
zemërimi si qyqe në degën e tharë të trungut më zgjon
më nis për t´i kërkuar damarët që rrahin të fundit herë
aty ku rreshkur janë fjalët ku psherëtimat ripërtypën çdo çast
aty ku sërish vrapojmë nëpër gjak nëpër gjakun e Dukagjinit
nëpër mrizet e Çiçavicës pjekim gjoksin e fëmijëve
hija e bungut plak djersitet nga vaji i foshnjave
të ndjekura nga njerëzit që fatet i kanë të fjetura...
S´kemi shtëpi të lindim ato na i dogji gjaku
më thotë nëna që lind fëmijë për luftë;
s´kemi dhoma ato u mbushën me kafka
pa shtrat aty skeletet pështyjnë vetveten
shtegtohet për t´u takuar diku me vdekjet
ku mbeturinat kafshohen në kancelaritë e heshtjes
ku balsamosen fëmijët aksidentalisht
ku shkarraviten rënkimet në tempujt që u falemi kot
të vdekurit ngrihen me gjakun e plakur
dreqërit e dehur me helmeta lëpijnë njeri- tjetrin,
me zë qeni bëjnë gjueti trishtimi e grinden me fjalë
duke i lëpirë qefinë fjetur në premierën e motit të ligë.
26.04.1999
NATË NË BLLACË
1. Natë në Blacë
Veshi nata veladonin e murgut
numëroi varret pikë për pikë
Porta e mbyllur u plak
nga kollë e kavermave
E gjatë nata mes arkivoleve
në maternitetin e Bllacës
30. 03. 1999
2. Mërzi
Po mbytem me rrëfime
netëve të djegura skaj ujit
pastaj kjo koha
me kohën e zakonshme po kafshohen keq
( në Llukë ka sonte mërzi)
A po shkon edhe ky mot
pa autopsinë e varreve.
1.04.1999
3. Rit i zakonshëm
Divorcohen kohët gungaçe
kokëposhtë
Javët e ardhshme
kemi radhën Ne
t´i pështyjmë ofiqarët
e Berlinit të Versajës
A na duhen dëshmitarët
gënjeshtrave u doli boja
4. Rikthimi i relikteve
Riatdhesohen beronjat
me ndryshkun e papërtypur mirë
Në barrën e mjegulluar të racave
politikanët kanë varur kokat
puthin njeri - tjetrin.
Ju plaçin sytë ç`bëtë
Mbetet beronjë me barkun e fryrë.
Fjalët e zverdhura
Përballë moskuptimit të llastuar
skeleti i Evropës së Bashkuar
atentat mbi perandorin
Një zë qeni grindet
me zvarraniket e moçaleve
U zverdhën fjalët
nëpër kartat e të drejtave
njeriu për njeriun ujk
28.04.1999
BISEDË TELEFONIKE
Bisedoi në telefon me Hasan Ademin
unë në Hamburg, ai në Durrës
shëtisim si dy kushëri të brezit të tretë
i ramë përmes Llukës Dollave e Kojshtileve
brigjet jetime të Verrishtës i prekem
shtëpi për shtëpi i përshëndetem oxhaqet
përtej Bistricës trupuam deri në Isniq e Strellc
në Beleg Kodrali dhe Pozhar shkuam para dite
në mesditë mrizuam të Glleni i Llukës
Ç´kohë është kjo më njerëz pa këngë...
Mandej njeri- tjetrit i folëm në telefon
për ata që ishin në Hamburg e shkuan në Durrës
jo si luftëtarë por si tregimtar bordelesh nate
qe vodka me akull është atdheun i tyre i parë
përbuzjet jargët që u dalin kur flasin për UÇK-në
si qen të uritur piratë, lypsar e asnjëherë ushtarë
I thash se ata janë kafka të mykura që zhvishen
Tjetër ç´iu ka mbetur pos të zezës të zezës fytyrë
jetojnë të dashuruar cjap të moshuar...
Kështu është o vëlla Hasan,
Me ata që ti i ushqen më bukë e krip e zemër
ata me kokat të qethura pa kokë vijnë
ta gëlltisin ajrin e pastër të atdheut
ta shesin edhe UÇK-në
Alo alo Hasan... lidhja telefonike u këput
zëri u dridh linja ajrore .
29.04.1999
Në Tiranë
Të kafe „Nikolino“
apo te „Titaniku“
ballë për ball hotel „Dajtit“
apo Hotel „ Rognerit“
as nuk shiten sharrëxhinjtë
as nuk shitën argatët e punës...
Aty për ditë pjellin
ushtarë politikanë qeveritarë,
ministra sa ha dreqi
Aty
qajnë e qeshin prostitutat
Atdhetarë mos kërkoni
se ata gjenden në Shalë të Bajgorës
të „ Rrasa e Kosharës“, në Çiçavicë...
ata gjenden në Dukagjin e Drenicë
Në „Dajt“ e „Rogner“
mund të gjesh specialitete
alla italiane
alla greke...
atdhetare mos kërkoni
Tiranë 17.04.1999
TË RRASA E ZOGUT
1.
Rigon egër Një trazim i hovshëm mbetet në mes
Mbi shkëmb të Malësisë luftëtarët majë bjeshke
Çdo ditë të vijnë vullnetarisht nga lugina
Nga të katër anët e botës aty nga ku gufon zemra djaloshare
Atdheu i thërret ejani në Koshare Përgatituni
Me fishekë e këngë majëkrahut me zjarrin që gufon në gji.
Ejani në shkrepat e thepisura aty ku Rrasa e Zogut ju pret
Kosova me vallen e shqiponjave në qiell
Rojet e tokave tona janë aty
Në lartësinë e Bjeshkëve të Nemuna
Natyra është e dashuruar në luftëtarët e Lirisë
Aty shikimet dhe këngët e tyre të madhërishme
Rrinë aty në ujin e zhurmshëm të përroskave
Kosharja ua lidh trupin pas nëntë plagëve
Muzat e Rrasës së Zogut ua pastrojnë plagët me lotët e ngrohtë
Për betejën e nesërm i bëjnë gati.
2.
Në kasollen e pyllit në rrasën e gurit era njësoj e ftohtë
Pranvera në Koshare u kthye sërish sërish u kthye
Që një shekull e ngujuar në gurë.
Dhe bilbilat filluan përsëri të këndojnë
Dëgjoj në heshtje zërat e mbrëmjes e,
Mbi gjethet e ahut shiu shembet
Nga shkrepi në shkrep nga zemra e gurit
Vjen zëri i ëmbël i Sali Çekut
Thirrjet e frymëzuara të Agim Ramadanit
Ti Kosovë e bukura Kosovë
Lindim dhe vdesim për ty
3.
Koshare Koshare ti kohë e netëve të gjata
Ti kohë e ditëve të ndara në dyja pjesët e Atdheut
Tash nata e Bartolomeut ty
Çasti i kohës së ndaluar përtej tokës së rrudhur
Mbaroi Guri i kufirit s´është më
Rrasën e Zogut Muzat shqiptare e mbrojnë
Këtu ku rri unë s´ka dritë asgjë shqiptare
Këtu edhe frika për vdekjen s´është shqiptare
O më falni s´jam si Ju
Ujë nga Rrasa e Zogut s´kam pirë
Muzat e Bjeshkëve të Nemuna s´më kanë përkundur
Apo s´di s´di a kam të drejtë
Dashurinë për Ju e shkruaj në mërgim
Mos më ndërpritni i di të gjitha.
Sonte një ushtimë shkrumb valë -valë zbret,
Krisma armësh Vegimi s´më gënjen
Gurët në Koshare po thyejnë qafën
Shi të Rrasa e Zogut shi në Çiçavicë në Pashtrik
Gurë e varrit gurë kufiri u dridhen
U rrokullisën në kapërcell shekulli
Në humnerë as copat e ndërgjegjes Evropë
Dy krahët një Torzo bashkohen
Tropojë pa mjegulla Para agut në Pranverë
4.
Këtu gjithçka është kujtimi për Ju
Liria Rrasa e Zogut e kuqëluar
Mbi barin e njomë të kësaj Pranvere fle
Por s´kam fuqi të bisedoj me Ju
Liria fjala e juaj e fundit guri i kufirit
Bota s´bën sehir
Te degët e pishave të rrënjët e Ahut hijemadh,
Vashat ua lidhnin plagët lotët e ngrohtë
Bora e Gjeravicës shkrin
Te pellgu i gjakut zogjtë s´i mbyllën dyert
Kënga tmerronte bajlozin e zi.
Dielli ndërmjet Rrasës së Zogut nisi të dalë.
Ta ngrohë ftohtësinë në të dy anët.
5.
Gjeravica beteja e re
Kohë shirash pranvere
Heshtja shekullore shkëmbi Rrasa e Zogut
Këngën e trimave të plagosur jepte kurajë
Ej mos u tërhiqni Atdheun e pashë sërish e pashë
Gjeravica qëndron
Shi në Rrasën e Zogut para lindjes se diellit
Sa e ftohtë sa e ftohtë kjo natë
Agimi e Salihu ranë për të jetuar
Tiranë, prill 1999
Hamburg, maj 1999
Abonnieren
Kommentare zum Post (Atom)
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen