(Recension për romanin, “Kafka e ujkut”, autor Arif
Molliqi)
Shkrimtari Arif Molliqi nuk është emër i panjohur për
lexuesin tonë, sepse deri tash ka botuar disa vepra të gjinive të ndryshme
letrare, si poezi, drama, roman e tregime. Veprat e tij janë pritur mirë nga
lexuesi ynë.
Krijimtarinë letrare e filloi në Kosovë, për ta vazhduar
në Gjermani, gjegjësisht në Hamburgun. Sido që të jetë, ky roman është edhe një
dëshmi se shkrimtari ka arritur të bëhet një autor interesant me veprat e veta
për lexuesin shqiptarë.
Romani “Kafka e ujkut” e huazon rrëfimin nga legjendat
tona, gjegjësisht nga folklori ynë shumë i begatë me tema të këtilla. Nyja e
rrëfimit është vetë titulli i romanit, pra, kafka e një ujku në një varrezë, e
cila është një enigmë e pazgjedhur dhe shumë e fshehtë në të kaluarën tonë, e
cila mëton që, si e tillë, të ruhet nëpër kohë dhe të aktualizohet sa herë që
është nevoja. Kështu, disi, ndodh edhe në rrëfimin e këtij romani, i cili
zhvillohet në dy rrafshe kuptimore që paralelisht kornizojnë një kohë bashkë me
të gjitha krajatat dhe trazirat e saj.
Edhe rrëfimi paralel i personazhit kryesor, Drin Sokoli, i cili hulumton varrin
e babait Sokol Drinit, në roman shtjellohet në një teh psikologjik, që më mëton
të shtrihet gjerë e gjatë në kornizat e kohëve, duke krijuar, kështu, zinxhirin
e një rrëfimi të dyfishtë.
Elementet e personazhit të romanit përkojnë një rrafsh
real me disa nuanca biografike të autorit të veprës dhe kjo nuk është e vështirë
ta zbulohet, ngase vet nocioni real i qytetit të Hamburgut e realizon faktin e
lartpërmendur. Po ashtu si elemente që përbëjnë realitetin e kohës dhe
autobiografinë e autorit janë ngjarjet e vitit 1997 në Shqipëri dhe gjendja
kaotike e katastrofike që mbretëronte atëherë.
Kështu, rrafshi i parë i rrëfimit duket më tepër se
rrjedh ngadalë dhe sigurte del nga legjendat tona dhe bashkëdyzohet me
realitetin. Ky realitet duket se përsëritet vetëm atëherë kur i nevojitet të
keqes dhe të ligës që disi nuk i ndahet rrëfimit tjetër, rrëfimit real.
Kornizat e rrëfimit real bashkëdyzohen nëpër hapësirat e një kohe që trondiste
themelet e ekzistencës dhe qëndresës së shkrirë nëpër të këqijat e saj. Vetëm
ashtu e bashkëdyzuar me rrugën e kërkimit nëpër hallkat e kohës dhe zinxhirit që shtrihet gjerë e
gjatë, thellë e lartë, horizontalisht e vertikalisht zbehet dhe ndriçohet sa
herë që historia jonë stërkeqet dhe del me nuanca të ndryshme. Andaj duket se
kjo hallë e jetë është e kapshme dhe
krijon botën njerëzore me të gjitha intrigat dhe me krajatat e saj, intriga që
shkaktojnë tragjedi dhe ngjarje tronditëse që ecin haptas dhe drejt nëpër kohën
tonë dhe në ralitetin shqiptar.
Vijëzimi i jetës në këtë rrafsh intrigohet baras me
dukuritë e jetës në rrafshin kohor shqiptar.
Ndërkaq, rrafshi i dytë i rrëfimit që mëton të jetë i nënvetëdijshëm zhvillohet
paralelisht me të parin, duke e kapërdi nëpër rrathët misterioz të jetës dhe
ekzistencës sonë kombëtare dhe individuale si personalitet. Kështu, ky rrëfim
duket se në njëfarë mënyre është edhe një hallkë e krijimit artistik të
personazhit, kuptohet edhe të vetë autorit. Nëpër këtë rrafsh lëvizë edhe qenia
njerëzore që shpesh shtyhet të përjetoj trauma
që duken se ecin bashkë me tragjeditë tona të baladave dhe legjendave popullore. Kështu ndodh edhe me ngjarjen dhe me
personazhet e romanit “Kafka e ujkut”. Andaj, shpesh, se këto dy rrafshe
rrëqethëse të bashkëdyzuara të jetës
sonë bëhen legura ekzistente për të fituar kuptim të ri. Dhe ky kuptim
shpeshherë del dhe hyn në thellësitë e jetës reale dhe ireale sipas ngjyrave të
realitetit tonë.
Ngjyrimet e veta ia jap njeriut, individit real e ireal,
shoqërisë dhe kolektivitetit sa herë që koloriti ynë depërton nëpër rrathët e
padukshëm e të dukshëm, misteriozë e realë. Mbase mbi këtë parim ndërtohet, apo
mëtohet të ndërtohet edhe stili i
romanit “Kafka e ujkut”.
Në këtë roman mund të hetohen edhe elemente të tjera të
dukshme, por që duhet qasur nga kënde dhe vështrime të ndryshme.
Këtë roman sado e rëndon
pak gjuha, sidomos ndërtimi sintaksor i fjalisë, çka tregon se veprës nuk i
është bërë lektura gjuhësore. Por, sidoqoftë edhe kjo vepër e pasuron opusin
letrar të Arif Molliqi.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen