Montag, 14. Januar 2019

Përplasje

Arif Molliqi: „Përplasje” (Mbresa, meditime dhe skica), FAKTI, Shkup, 2000

PËRPLASJE MEDITIVE (A)POLITIKE
Ose; Nuk mbathet pleshti me patkonj(!)

Mos paç borgj; hyn dorëzan, mos 
qofsh në gjak; merr njerëz me besë!...(popullore)

Pa dëshiruar që të jem as dorëzon e as besëdhënës(!), gatova një brumë që ta shkruaj një shkrim. Ama shkrim se?! Si të gjithë shkrimet e përditshme. Gjatë gatimit të këtij brumi si jo profesionist u kujtova gjatë nëse pa dëshirë mund të ndodhë e t´ia luaj eshtrat ndonjë “të rahatuari“ në strofkën e vet, e pastaj ku ta bëj vendin unë?! E, meqë kam kohë të tjerr, atëherë mendova mirë e mirë si ta gatuaj, si ta pjek. 
Mirëpo, manaja është që mishin ta pjek e hellin mos ta djeg...Ose në stilin e meditimit, mos po shesh gogla pët dushk?!
Pastaj, kur shkruan duhet ditur ç´vë në strumbullar, se, helbete, shkrimi botohet, e kur botohet, ata që do ta gjejnë vetën brenda kornizave të këtij strumbullari,do të turren dhe nga çdo fjali, ose fjalë do të gjejnë se jo vetëm unë që kam lindur dje,por,edhe babëgjyshi im, ndjesë pastë,paska qenë spiun i komandantit të milicisë...
Mos harro,sot!
Lëre gomari që na ngordhi,por s´na lënë rehat as mizat! -Do të thoshin Ata që ky shekull i ka mundur.
Dhe, jo vetëm për këtë arsye.

Arsyeja tjetër pse u kujtova gjatë në gatimin e këtij brumi qëndron në atë se a mund t´ia qëlloj në këto kohëra kur falë demokracisë(?!)( ligje mbi gazetari nuk kemi,apo nuk i respektojmë) kanë dalë për fushë gazetarë u thënçin,dhe me nga një makinë shkrimi të blerë me të hollat e social(amtit) si mbathjakëmbësa po shkruajnë dhe „zbulojnë“ mendime patriotike(!) filozofike, atdhetare...Mbathin pleshta me patkonj !  Dhe,veten e quajnë: „ Intelektualët e pavarur të diasporës“. Intelektuali i pavarur i diasporës,nocion i ri sociologjik vetëm tek ne shqiptarët. Këta,me shkrimet e veta fyese,kërcënuese pse nuk ua pranojmë ato shkrime si „programe kombëtare“ për pesë para të bëjnë rezil.
Kam dëgjuar: „ S´mësohet kali revan në pleqëri!“
Të regjur me vaj e me uthull,këta letraxhinjë, ose këta „intelektual të pavarur të diasporës“ na paraqiten herë si avokatë,sepse me letrat e veta në stilin grotesk i mbrojnë mendimet e shfaqura vetëm nga ata ose ndonjë jaran i veti që të mos e humbasim hapin më masën, siç thonë ata, shpesh i mbrojnë edhe njerëzit e mëdhenj... Mund t´i kuptojmë edhe si prokurorë pasi shkrimet e veta s´kanë asgjë tjetër pos akuza,akuza...Sipas tyre është fatkeqësi se nën këtë qiell s´ka njeri të pakomprimituar. 
Kuptohet përveç ata (?!)
Ti quajmë gjykatës (në kontekstin negativ) nuk gabojmë, sepse ata i dënojnë të gjithë shqiptarët që e lëshuan Kosovën (?!) Harrojnë se ata vetë si „intelektual“...të parët  ua mbathën këmbëve!
Në anën tjetër,
Letraxhinjët e rinj (IPD-intelektuali i pavarur i diasporës) me shkrimet e veta tregohen „patriot“ duke harruar se dje i lanë nxenësit në rrugë, i lanë studentët me indeksa në dorë duke e pritur „profesorin“ të ua mat mundin e mësimit (ndoshta është më mirë që nuk i pyesin këta) dhe,me vrapimet maratonike nga hajmi në hajmë,nga çajtorja(klubi) në çajtore të diasporës grumbullojnë hallexhinjët tanë,u mbajnë fraza politiko - atdhetare duke u munduar t´ua „shpëlajnë trutë shqiptarëve-kyrbetqarë“!...
Pse e mbajnë njërën dorë në bakllavë dhe tjetrën në revani,nuk skuqen.
Kur i kujtova të gjitha këto,brumi më mbeti pa e gatuar sepse filluan të më dridhen duart nga frika se çka  do të ndodh me mua kur kur ta lexojnë shkrimin,nëse e lexojnë dhe nuk gjenden në ndonjë ndejë „atdhetare“.
E tjera, e tjera!

Kështu më mbërtheu një zagushinë në fyt,fillova të djersitëm, jo nga patriotizmi vetanak, por nga frika se mos po m´i kuptojnë mendimet e papublikuara dhe vendin vetës ia gjeta në podrum duke dëgjuar një këngë të bitizuar kohëve të fundit. Nëse s´është e tepërt,ajo kënga më dukët  kështu disi titullohet:
„..Lopët e mia më të mirat në katund“(?!)
Dhe, jo vetëm kaq!
„Nuk mbulohet dielli me fjalë“.

( Botuar „ Rilindja“ ,e hënë 12 gusht 1996)


Të Verrat e Llukës

„...N´Verra t´Llukës janë mbledh n´kuvend,
   për shqiptari po bajnë dert...“ (Këngë popullore)

Pas disa ditësh mjekimi, mjeku më lutej që të mos i vazhdoja udhëtimet e mija të gjata.
I premtova se do të jem i disiplinuar(!)
Megjithatë,natën vjedhurazi udhëtoja. Sa mbyllja sytë, sa ora i kaloja dymijë e kusur kilometra. Rruga më dukej e shkurtër gjerë te Verrat e Llukës. Sa arrija aty, ulesha këmbëkryq nën hijen e Verrit Binak. Bisedën  e filloj me të gjithë katundarët e mij që i takoja.... Takimet ishin të rralla.
Katundi ishte zbrazur.
Të Verrat e Llukës ishte një heshtje e vdekur. Njerëzit kishin tretë. Nga  përgjumi i dhimbjes me zgjuan zhurma e atyre pak fëmijëve që zhuzhuritnin në shkollën  e re të ndërtuar nga vet katundarët. Ata bënin më shumë dritë se sa trafoja elektrike e ndërtuar me qellim pikërisht në vendin historik të Verrat e Llukës. Me kot ishin munduar katundarët e mij që ta ndalojnë këtë punë të ndytë që kishte për qëllim t´i qes në harresë kujtimet e Besës së Madhe të mbajtur aty...
I bie trup e tërthor Verrishtës...
Kërkoj nën çdo hije t´i takoj burrat e Llukës;Bajram Januzin, Ali Bajramin, Smajl Ramën,Zenel Ademin,Tahir Abazin,  Rrustem Kaqorrin,Sadri Demën,Bajram Rizën... E kërkoj Isa Boletinin, Binak Alin e malësisë që më 1908 ia dhanë  B e s ë n shqiptare atdheut për pajtim kombëtar, për vazhdimin e punës së Lidhjes së Prizrenit. Ata mes tjerash u betuan se deri në çlirimin e vendit s´do të ketë hasmëri mes veti.
Pleqnarët e pajtimeve, trimat e besës e të pushkës...
...E kërkoj vitin 1990. Pajtimin e gjaqeve(!) plagë kjo e mbetur nga armiku. Sa e vogël më dukët sot Verrishta. Vallë kjo lendinë e pajtimit i ka bashkuar një gjysmë milion veta?! 
Ata ishin trima që ia shtrinë dorën vëllai- vëllait, u pajtuan ...
Bistrica rritet.
Egërsohet.
Turbullohet...Vërshon herë nga bregu i Llukës e, herë nga bregu i Isniqit. Kalimtarët pyesin: O ku jeni ore burra?!( O, ku jeni ore trima?!)
Kërkoj Blinin e Vjetër, Kronin e Pajtimit. Nuk i gjej. Blinin e kanë pre(!) Kroi ka shteruar... E gjej „Kalin e vdekur“ të shkrimtarit Niman Muçaj.
Hingëllon!..
Dikush qenka gjallë. Muçaj shkruan për ta vazhduar romanin e tij jo të fundit „ Vdekja e Kalit“.( ky roman nuk ka asgjë të përbashkët me filmin „Vdekja e Kalit“ të Kino studios shqiptare)
Pastaj, Muçaj filloj ta emitoj në këngë Dervish Shaqen.
 „..Prej asaj sene që ke hyrrjeti/
 kësaj Kosovës kurrë s´ju da gazepi/ 
u qua hyrrjeti e osmanlija/ 
na erdh nemci na erdh serbija...“
Nuk ia ndërpreva këngën.
Kënga e Dervish Shaqës,sikur m´i ngjalli shpresat se Lluka rron. Rron,ore rron bërtita. Për dyzet vjet edhe pse i ndaluar të këndohet Dervish Shaqa, llukjanet nuk e harruan... Senia pesëdhjetë e gjashtë ishte sene kur Dervish Shaqa u detyrua ta braktisë vendlindjen. E detyruan udbashet e Jugosllavisë të ik. Ata ia ndaluan edhe vdekjen në katundin e vet...
Kohë për kujtim meditues.
...Në odën e burrave kishte pllakosur heshtja. Gjallëri kishte vetëm zjarri,prushi dhe flaka e lazdruar që dridhej nëpër stufën e tymosur. Sikur ajo nuk e dinte se kishte vdekur bacë Dervishi. Nga nxehtësia e dhomës dhe ftohtësia e shpirtit flokët,kokat filluan të lëshojnë avuj. Avujt ngriheshin përpjetë si një mjegull që dukej se vinte nga varri i Bacë dervishit. 
Në këto çaste të gjithë i kujtonin nga diçka të jetës,të këngës, të humorit të tij. Mjegulla,sytë e lëshuar për qylymin e kuqërremtë, kishin një pamje të çuditshme, një mëmitje dhe njëkohësisht një ndriçim të pazakonshme. Sikur ata avuj të përzier mes tyre kokat dhe sytë e llukjanve, sy ata të ngurtë i ngjanin një bote mistike.

Ishte një gjendje e vdekjes së dhimbshme.

Jashtë binte shi i shpeshtuar. Njerëzit  e frikësuar dhe memec pyesnin: sa do të zgjat e pamja(?!)... Ja kemi borxh Bacës Dervish për këngën,për...Jo. S´do të këtë të pame. Policia edhe të vdekur ia ka frikën. Ia ka ndaluar të pamën(!) Heshtja për të pamën (për ngushëllime) ishte një heshtje e pazakonshme për burrat e kësaj  ane. Këtë nuk do ta lejonte kurrë dervish Shaqa. Kënga ishte amaneti i tij...

„ Po vijnë krushqit rrethit malit,
Rexha i vdekur në grazhd të kalit...“

He,bukur e këndonte Bacë Dervishi këtë këngë!
U mundova t´i shkëpus kujtimet medituese për vdekjen e tij. Po,kur do t´ja sjellim( në veten e parë) eshtrat këtu të Verrat e Llukës Bacës Dervish?! - e pyeta Nimanin.
„ Mirë je kujtua(?!)...Do t´ja sjellim...vetëm këtu atij i pushojnë eshtrat. Trupi. Kënga...E kemi biseduar edhe me Jusufin më Rexhepin( e Molliqëve) këtë punë...“

Po kur?!..
Në vend të përgjegjës  e hëngra buzën me dhëmbë. Pse nuk po i kryejmë amanetet(?!) Asnjëherë nuk e kujtuam Tahir Efendi  Llukën, profesorin e Shkollës së Lartë „Fati“ në Stamboll, bashkëpunëtorin dhe mikun e Jani Vretos. Autorin e katër dorëshkrimeve që e mbyten me helm osmanlit pasi kishte hapur shkollën e tij shqip me shkronja arabe. Është i njohur „Alfabeti i Tahir Llukës“, pastaj, dorëshkrimet e tij gjenden në arhivin e Kosovës(?!) nën shifrën 190/1...
Kemi për ta kujtua edhe Ali Sutajn, publicistin tonë të njohur. T´ia kujtojmë të gjitha ato skica, kujtime, mbresa, meditime... Shtypi i kohës e kishte cilësuar ndër publicistët me të mirë të kohës se vet...

Ec e mos i kujto ato Kulla prej guri të Llukës ku i mësoj disa llukjan të shkruajnë shqip me alfabet arab Tahir Lluka. Ec e mos i kujto ato Kulla ku  pat kënduar Dervish Shaqa. Shkroj meditimet Ali Sutaj...
A thua, a janë djegur Kullat?!
A thua, a është djegur kënga?!
Po, besa e Verrave të Llukës?!..

Baca Dervish përsëri më këngën;

„..Bajram Curri i ri,ujë po rri pa pi
   Collte për Shqipëri...
   Bajram Curri në borë, buk po rrin pa ngron
  Collte për Kosovë...“

Është bërë vonë. Mjeku ka ardhur të na vizitoi. Me nervozizëm e rrit dozën e terapisë kur kupton se kisha udhëtuar shumë larg...
Deri të Verrat e Llukës...


( Botuar me 28 mars 1996 në „ZiK“)

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen