Romani pestë, “Kryeqyteti i
lakuriqëve”, botoi SHB “Armagedoni”, Prishtinë
-fragment
4.
Nga fundi i vjeshtës nisën të
dëgjohen pëshpëritjet se janë kthyer ca njerëz për ta ndryshuar botën e
kryeqytetit. Që në fillim e kemi ndjerë se ne, njerëzit e kryeqytetit, ishim
bërë popull i çuditshëm. Kemi ndryshuar. Gjithçka ka ndryshuar. Në ç’epokë po
ndodhte kjo? Sikur ende në hyrje të ndërtesave po dëgjoja jehonën e hapave që
kishin zakon t’i vizitonin hyrjet tona, por që janë zhdukur që disa kohë. M’u
dridh zëri nga ky kujtim dhe, megjithëse isha i përhumbur në mendime të tjera,
ky lloj meditimi më shkaktoi një përshtypje që vështirë se mund ta kisha
përligjur, kur vdekjes i jepnin vlerë të madhe, më arsyeshmërinë e një
“pavdekësie”. Për të ndryshuar, nuk duhet leje, i kishin thënë Ademit.
Mbasi ai ka ruajtur lidhje shumë
të ngushta me ata njerëz nga kohë tjetër, edhe tani do ta ketë për kënaqësi t’u
bashkëngjitet. Edhe ai, si shumica prej tyre, ka jetuar jashtë vendit gjatë
luftës së fundit. Kishte edhe individë që kanë përdorur emra të tjerë dhe
dokumente të rreme, siç bëjnë revolucionarët nëpër kohë.
Mendimet e të “kthyerve” i
dëgjova gjatë festave të fundvitit, sidomos kur oratorët që ishin kthyer në
kryeqyteti, mbanin fjalime para copave të ftohta prej betoni. Dhe, që për t’u
besuar, sepse në atë kohë kryeqyteti ynë ishte shndërruar në vendin e çudirave.
Shumë njerëz nga sheshet e Evropës kishin zbritur në kryeqytet si një mjegull e
dendur nga e cila dilnin oratoret erotike, me fjalime monotone dhe rraskapitëse
gjer në mizori.
Ishin këto fjalime të shkruara
diku tjetër, për një vend tjetër, në një kohë tjetër.
Ca më vonë, u mor vesh, se brenda
atyre fjalimeve ishte një enigmë e pazbërthyer. Diçka që krijonte gjysmëterr,
krijonte kushte të favorshme për lëvizjet e lakuriqëve dhe klonimin e njeriut
ndryshe. Klonime tashmë ishin bërë bashkë me enigmën e tyre të importuar nga
Karpatet dhe që përdorur në Kampin socialist: “Ne ju kemi çliruar, në kemi të
drejtë t’ju pallojmë”. A s’krijon diçka misterioze, aq sa edhe romantizëm kjo
fjali?
Pikërisht lidhur me këtë çështje
jam grindur aq herë me Ademin. Mbase unë, nuk i kuptoj vërtet ata derisa i
trajtojnë qytetarët e vet si të mundur? Kërkojnë të pranojmë se, edhe çmimi
shumë i ulët që ka njeriu sipas tyre, është i arsyeshëm kur e ka idenë. Një
lloj fatalizmi ideologjik. Vdekja çfarë e propozojnë ata, është një mënyrë për
t’i dhënë kuptim jetës. Në të vërtetë, propaganduesit e kësaj ideje dëshirojnë
të kenë një rol kryesor. Ja, këto gjëra kërkojnë ata t’i vërtetojnë në masë.
E tmerrshme, por askush në këtë
kohë nuk guxon të ndërhyjë në punën e tyre. Kush nuk e pranon këtë dhe kërkon
gjithmonë shpjegime për marrëdhëniet njerëzore misterioze, ai do të humbasë më
të mirën që e ka jeta, do ta humbë lirinë.
Duke u munduar ta zbërthej gjithë
këtë, kisha mbetur ngjitur me ballin për xhamin e dritares. Poshtë, të gjitha
hyrjet e ndërtesës ishin të errëta nga mungesa e rrymës që vazhdonte gjithë
natën. Askush s’kuptonte asgjë dhe kjo ishte më e tmerrshmja. Reagimet e
njerëzve janë aq të ndryshme. Kanë kaluar nga lufta, dhe ata e krahasojnë
gjithçka me kutin e luftës. Them se kjo s’ka asnjë kuptim. Si ka mundësi që të
gjithë ata me të cilët bisedoj ndiejnë të njëjtin gjë.
Edhe Ademi e kishte kuptuar se
çfarë vendimi kishte marrë. Ai përpiqet të më tregojë se kishte arsye për një
vendim të tillë, por pa treguar arsyetimin. Fliste për gjëra që nuk i kuptoja.
Mirëpo, pa harruar të përsëriste disa herë: Edhe unë jam person publik dhe nuk
kam kohë për gjëra të kota...! Në vend të aventurave dhe gruas, kam zgjedhur
një rrugëtim politik që më ka shndërruar në njëri. Njeri pa ndjena, do të
thoshit ju. Gjithçka që e bëj hetohet, përgjohet, prandaj jam i kujdesshëm. E
kuptoj që, sado pavetëdijshëm, po transformohen nga një problem imagjinar në
atë real. Kam qenë i detyruar të heq dorë nga gjithçka që më falte kënaqësi,
për të mirën e popullit...
Pas kësaj bisede kalova disa kohë
që s’kishim biseduar për probleme të tilla. Unë kisha gërmuar në jetën e tij, i
cili “qimen e kishte ndërruar, por zanatin jo”. Mirëpo që brenda asaj heshtje
përjetonte një trazim të brendshme. S’kishte guxim ta shpjegonte gjer në fund
pse i ndodhi kjo? Nuk donte kurrsesi t’i kthehej ai tis misteri që ia solli e
kaluara. Nëpër kokë i defilonin të kthyerit sikur nëpër një ekran televizori të
vjetër, shumë të vjetër, që i tremben llambat dhe fotografia del e deformuar. I
kujtohet televizori i vjetër që kur ndalej i binim grusht dhe ai fillonte
përsëri me fotografinë bardhë e zi.
Edhe ai sikur e priste grushtin.
Ndërkohë, që e keqja i rrinte gjithmonë tek dera, po e priste që ai t’ia hapte
derën. Thonë se kohët e fundit ai duket disi i çuditshëm, madje nuk shihet aq
shumë në mjedise të hapura, përveç kur ishte i detyruar. Me një vullnet të
dobësuar, kur donte të kërkonte ndihmë diku, dilte në rrugë, futej në veturën e
vet, asnjëherë nuk harronte ta kthente kokën nga dritarja e dhomës, mos po e
shihte rastësisht Evën, si herëve të tjera. I binte pishman dhe kthehej përsëri
brenda. Nuk e gjente. E mendonte sikur ajo kishte shkuar diku. Për pak kohë
s’ishte aty. E hapte dritaren dhe shikonte qiellin. Përjashta ngjyra e hirtë
nga errësira ishte qartësuar. Një tufë rrezesh hëne kishin rënë mbi muret e
shtëpisë se tij. Kur e hapi dritaren, iu duk sikur e gjithë shtëpia mezi e
kishte pritur një gjë të tillë. Mori frymë lehtë nga ajo zagushinë e brendshme.
Si i penduar e vështroi qiellin ku hëna po bënte protestë kundër territ. E
terri kundër natës së vetmuar.
Pa e ndezur dritën, doli dhe u ul
në tarracë. Po frynte era. Nga drita e hënës arrinte t’i shihte shumë pjesë të
qytetit me ato fasadat me ngjyra të zbehta. Diçka ua kishte grabitur reklamave
ngjyrën. Vetëm aty-këtu, në ndonjë skutë, po rezistonte errësira. Sa i frikshëm
qenka qyteti natën, mendoi. Mungesa jo edhe aq e papritur e dritave, mbyllja e
njerëzve nëpër shtëpi, i dha ndjenjën sikur gjithçka u fundos në një gropë të
thellë. Në këtë natë i dëgjoi lehjet e qenve në kryeqytet. Dhe, u trishtua. Iu
duk sikur qyteti po ngufatej brenda një bote të shtazëve.
10.
Kur dielli veç kishte zbritur
gati në qytet, Eva vazhdonte në banjë duke u pastruar nga një “mëkat ëndrre” që
i ngjante si puna e mitit të Sizifit...
(... Sizifi, djali i Eolit, mbret i Korintit,
ishte i dëgjuar për veprimet e këqija. Ngriti mure nën ngushticë dhe merrte
taksë të rëndë nga çdo udhëtar. I detyronte kalimtarët të punonin për të. Kjo
ma kujton konvojin e ushtarëve rusë që, pas lufte, ishte vendosur në Kosovë tek
ura e Drinit. Ushtarët rusë i detyronin udhëtarët të paguanin haraç për të
kaluar mbi urën provizore. Sizifi u dënua të shkonte në skëterrë të rrokulliste
një guri të madh drejt majës së një mali. Mirëpo, sa i afrohej majës së malit,
shkëmbi rrëshqiste prapa dhe ai e fillonte përsëri nga e para. Kjo vuajtje e
Sizifit vazhdoi pa pambarim. Por, për cilin mëkat ushtarët rusë u detyruan ta
lëshojnë Kosovën?!...)
Edhe puna e saj, çfarë kishte
ndodhur natën që la pas, ishte si puna e Sizifit. Sa i afrohej majës së
enigmës, domethënë, ta gjente arsyen çfarë kishte ndodhur, ngase mendonte se e
gjithë ajo që i ka ndodhur, ishte pakuptueshëm. Pastaj, harresa i kishte ardhur
nga përhumbja brenda ekstazës erotike dhe gjithçka kthehej në fillim të
fillimit. S’ishte në gjendje ta denonconte askënd për atë që i kishte ndodhur.
Sidomos kur i shihte sutjenat e gjuajtura afër makinës së larjes, i vinte një
makth i trishtë. Vizioni qesharak i sutjenave i ngatërrohej me dorën që i
shfaqej si gjarpër teksa i shtrihej mbi trupin e lagur dhe lakuriq. Shenjat dhe
kafshimet sikur ia gërditnin mallin për seks, ose ato ia absorbonin atë
ndjenjë. Kishte frikë se gjithçka që kishte ndodhur bashkë me ato shenja ishin
të mbetura si relikte të vjetra. Disa herë u mundua t’i rezistojë këtij
përfytyrimi të ngatërruar. Ai i kthehej se i kthehej. Edhe atëherë kur shtirej
sikur nuk i frikësohej asnjërës, edhe nëse i kthehej, edhe atëherë kur mendonte
se e ndiente veten të qetë, kur nuk po e ngacmonte më jermi kapitës i së
kaluarës, megjithëse kishte diçka si parandjenjë që i printe një paniku. Një
njeri me përvojë, ëndrrave për të kaluarën nuk iu beson kurrë. Mirëpo kjo
gjendje e saj u zhvendos përtej të qenit si e zënë ngushtë kur në ato çaste iu
ndërmendën aq histori dashurish, sa ç’nuk ishte kujtuar për aq vite.
E dinte se ishte harruar koha kur
ishte frikësuar nga diçka e ngjashme. Çdo kohë e kishte pasur mënyrën e vet,
vendin e vet, stilin e vet të dashurisë, të ngacmimit, të ëndrrës. Megjithëse
brenda të gjitha këtyre historive patjetër rrjedh dilema: cili është dallim mes
tyre? Ku gjendet thelbi i atyre ndryshimeve? Dilema, sado që, nuk i shmangej
dot thelbit, askush s’do ta gjente pikën zero të ndryshimit dhe pikën zero të
ngjashmërisë. Pa e gjet atë që po e kërkonte, krejt papritmas i ra ndërmend për
diçka. E la vaskën e mbushur ujë të ndotur, e la ëndrrën e pazbërthyer, me
flokëtharsën teri flokët, u vesh shpejt e shpejt, e shikoi edhe një herë veten
para pasqyrës, u nis për atje ku e prisnin.
Rrugës ecte me hapa të shpejtë,
jo aq të sigurt, ndonëse e ndiente se ishte e këputur ngase vuante nga mania e
përndjekjes. I dukej sikur i qenë vënë pas, po e përcjellin, ngutej t’u ikte sa
më parë, t’i zhdukte gjurmët. Sidoqoftë, nuk e kishte të qartë ku shkonte. Do
të shkoj në një vend ku do të takoj sa më pak të njohur, mendoi.
Te kryqrruga pa fytyrën e lypësit
të përditshëm. I pa ata sy aq lutës dhe të mjerë të njëjtën kohë dhe iu duk
sikur të ishte hera e parë që pa sy të tillë. Një tërbim bashkë me një kujtim
për rrugën ia mori mendtë. Përpara atyre syve të skuqur, përpara asaj fytyre të
zverdhur e të dobësuar, u ligështua. U shtang. E zënë ngushtë, mezi e gjeti një
kartëmonedhë të imtë diku në çantë. Me frikë ia lëshoi kartëmonedhën lypësit
dhe u largua duke shpejtua hapin sikur dikush po i shkonte prapa. Po e ndiqte.
Ndjeu t’i vlonte brenda një përzierje e tmerrshme. Një përzierje e çuditshme
lutjesh.
Te Sheshi “Skënderbeu”, në të
cilin po kalonte jo për herë të parë, u përzje me turmën e njerëzve që po bënin
ecje të ndryshme nga njëri-tjetri. Ajo pa ata që ecnin ngadalë, qetë, pa u
ngutur, thua se nuk i trazonte asgjë, ose sikur kishin dalë për shëtitje të
rekomanduara nga mjeku ngaqë vuanin nga problemet kardiake, ngritje ose ulje të
shtypjes së gjakut. Por, ajo i pa edhe ata që thuaja vraponin, ose bënin një
ecje troku për të shkuar diku. Këta kishin shikime arrogante, ose këtë e bënin
ashtu për t’ua lëshuar rrugën të tjerët. Të tretët ishin kalimtarët që as nuk
vraponin, as nuk dukeshin së ngadalësonin. Ishin kalimtarë që ngjanin si njerëz
që bënin ecje të vetmuar, ecje të veçantë nga të tjerët. Dhe shumë më keq se të
vetmuar, ishin të trishtuar ngaqë dukeshin sikur mbi supe bartnin një peshë të
rëndë...
Eva e gjeti veten brenda tri
grupeve; edhe atyre që ecnin ngadalë, të rekomanduar, edhe atyre që vraponin me
gjithë atë shikimin arrogant. Por ajo u përngjante edhe atyre që bënin ecje të
vetmuar. Fundja, ajo që dëshironte ishte të kuptonte; në botën e atyre njerëzve
a ka vend dashuria? Nëse po, do ta ndiente veten të qetësuar. Ajo nuk do ta
besonte kurrë se ka njeri që jeton pa dashuri dhe pa ëndrra. Po, çka e bën
njeriun më të lumtur: kur kupton se ëndrra e trishtuar prej pesë sekondash
ishte, vetëm ëndërr apo, dashuria.
Më në fund, me gjithë vuajtjet që
i krijonte vetvetes, e gjeti mënyrën të ecte nëpër shesh. Sado që po ecte plot
trishtim dhe e frikësuar, ishin edhe shenjat e trupit që e rendonin, sidomos
një çast i pazbërthyer. E dinte se njerëzit shpesh flasin për shenja, por pasi
nuk ia shohin shenjat njëri-tjetrit, nuk ia dinë formën e tyre, pamjen,
madhësinë e shenjës, vendin e saj, atëherë nuk kuptojnë asgjë. Më mirë që
s’kuptojnë, tha me vete. Tani e kam të qartë përse dua të kthehem aty ku i
fitova shenjat. Aty mund t’ua gjej shërimin, ndoshta aty mund të ndodhë që ta
dua atë vend. Por, a mund ta duash një vend kur e di se aty ke humbur diçka që
nuk mund ta kthesh në asnjë kohe, edhe nëse dëshiron? Kënaqësia dhe vuajtja nuk
përsëriten të njëjta në asnjë kohë.
Ju kujtua një grua dyzetvjeçare
që, pas çdo takimi me meshkuj, i pëlqente t’i ruante kujtimet e kafshuara.
Ishte një grua sensuale, por jo në kuptimin vulgare, ngase kishte masë në
zgjedhjen e meshkujve, por që i pëlqenin kujtimet e mbetura nga ata,
çfarëdoqofshin ato kujtime. Shenjat e trupit të mbetura nga kafshimet e egra i
ruante si “trofe lufte”. Mirëpo Eva e kishte dilemën: jam si ajo, apo ndryshe.
Një copë herë i mbeti mendja te shenjat. Sikur ato të ishin diçka
arkeologjike...
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen