Montag, 14. Januar 2019

Naim Kelmendi: DISKURSI POETIK I ARIF MOLLIQIT

  • Arif Molliqi: "Një hije bënte rrugë", botoi Sh.B. "Faik Konica", Prishtinë, 2010

 Poeti dhe shkrimtari i njohur, Arif Molliqi, këto kohët e fundit doli me
vëllimin poetik, “Një hije bënte rrugë”, pas shumë veprave të tjera, të botuara në vite, sikur janë gjashtë libra të poezisë, tri romane, dramë, vepra publicistike etj.
Poezinë e librit më të ri,”Një hije bënte rrugë”, të poetit, Arif Molliqi, e shënjon gjerësia dhe thellësia e diskursit poetik nëpërmjet shtresimesh ligjërimore, që tashmë shquhen për nivelin e arrirë të këtij ligjërimi. Mbase, këtë ligjërim, Arif Molliqi e ka sforcuar nga vëllimi në vëllim për kaq vite të shkrimit të poezisë, dhe tek ky vëllim, që tashmë e kemi në dorë, e sforcon edhe më tej, jo vetëm përkrah thellësia e botës së ndjenjave, por edhe përkrah gjerësia e shprehjes kuptimore, pastaj edhe përkrah veçantia e shprehjes dhe strukturës së vargëzimit.
Arif Molliqi është vërtet poet i ndjenjës së hollë, dhe këtë e sendërton përmes ligjërimit me ngjyrat vetanake të shprehjes, shumë herë të një rrethi apo psikologjie të regjionit, por që e tejkalon këtë hapësirë, duke mbrujtur në vete vlera më të përgjithshme të ligjërimit dhe shprehjes estetike. Poezia e librit, me titullin mjaft sinjifikativ: “Një hije bënte rrugë”, e pasuron poezinë tonë të postmodernës. Kjo poezi, edhe pse e krijuar në një hapësirë jashtë atdheut të poetit, bëhet pjesë e poezisë sonë më të re, duke na sjellë në rrafshin e kësaj poezie mjaft veçanti, mbase e ardhur si frymëzim, e arrirë si ndërtim dhe e pasur si ligjërim. Që në fillim, vargjet e Molliqit piketojnë fate dhe tragjedi, sa personale aq edhe kombëtare të kohës së jetuar jo fort larg, por që kanë lënë gjurmët e veta dhe pasojat në psiken dhe shpirtin e njeriut, në këtë rast edhe të poetit:

”…Unë moshën po e lë këtu e po nisem/
I ngarkuar me kafshime të mykura/
Me dhëmbë mbështjellë në shaminë e grisur/
Zbres deri te udha nga kam ardhur dhe nisem…/, te poezia “Vargje të pafajshme”.

Ky fat jete i ka rastisur poetit, mbase si shkas i pasojave të kohërave dhe fajtorëve, që kanë zbrazur mbi etnikumin e tij të gjitha padrejtësitë e kohës, duke e sjellë deri në spik të gjëllimit: “Të jesh a të mos jesh”. Por ja se, njeriu, si në këto vargje shënjuese për çdo kohë, kërkon udhë duke vazhduar ta kërkoj vetveten në kohë dhe hapësirë, për ta krijuar kuptimin e jetës, kuptimin e të qenit. Dhe, poeti shprehet edhe kësisoj në të njëjtën poezi:
Udhë e kthimit nuk soset se nuk soset…Pra, tragjedia e udhë-kërkimit, pa u kthyer në pikën e qëllimit të dëshiruar, vazhdon deri në infinit, dhe nuk i shqitet as jetës së subjektit, por që duhet nënkuptuar edhe si fat tragjik i së përgjithshmes në hapësirë dhe kohë. Është kjo drama, sa personale, aq edhe kombëtare e braktisjes së atdheut, e që e bart si dhembje që e kafshon në qenien e tij, si tek vargu:
“Zbres deri te udha nga kam ardhur dhe nisem…”.
Për ta përmbushur porosinë e krijimit-poezisë, deri te recepienti,
për ta shenjëzuar këtë fatkeqësi, që s’është vetëm e individit, poeti Molliqi do të shprehet edhe kështu tek poezia “Vargu i dytë”.

”Mbi moshën time/
Durimi ka ngarkuar barrë të rëndë/.
Kujtimet janë lodhur nga heshtja/
Duke u strehuar në qytetin e zhurmshëm…”.

Ose në rastin tjetër:
“Këtu askush nuk më njeh.
Përveç atyre që jetojnë si unë.
Duke pritur kthimin e pranverës”.

Kështu, në mbushullimin e jetës urbane, në hapësirën ku njerëzit nuk e njohin, në hapësirën ku s’është vullnet i tij të jetojë, kërkohet identiteti i humbur, kërkohet kthimi në qenësinë e jetës e jo qëndrimi i mëtutjeshëm në margjina të saj. Pra,këtu shpirti është i thyer, ngasei mungon identiteti, ajo qenësorja në jetën e njeriut. Mbase kjo e thellon kërkimin dhe vetëdijesimin e subjektit krijues për ta kërkuar, ndoshta qoftë edhe për ta krijuar si ideal, kthimin te substanca e idealizuar e jetës, atje ku e ka lënë që nga largimi i tij. Të shprehurit metaforik,jo pak i ngjeshur, tek poezia e Arif Molliqit, në të shumtën e veçon këtë poet për të mirë, dhe poezinë e tij e bën të lexueshme dhe pronë estetike jo vetëm për një kategori lexuesish. Këtë shprehje metaforike, Molliqi, në librin “Një hije bënte rrugë”, e shndërron në identitet të poezisë së tij. Kjo do ta shquajë tërë poezinë e këtij vëllimi në të gjitha kahet estetike të saj. Vetmia njerëzore, si sëmundje e njerëzimit edhe në këtë shekull, e përcjell në hapësirën e tij jetësore edhe poetin, dhe shprehet si motiv tek poezia me titull: “Një fyell prej ashti”.

“…I mblodha notat e mërzitura/
Në fyellin prej ashti i vura/
Më doli melodi e vetmuar”.

Kështu konceptohet dhe shqiptohet bota e brendshme e subjektit nën një atmosferë vetmie njerëzore, e që krijon dhembje dhe mërzi njëkohësisht,por që merr konotacion të së përgjithshmes, vjen kështu si pasthirrmë njerëzore edhe për kohën tonë. Janë në këtë vëllim edhe mjaftë poezi që kanë për frymëzim çështje të historisë së kombit duke na cytur kujtesën për mbamendje dhe moshartim të asaj pjese të gjeografisë kombëtare, si p.sh. me këto vargje:

“Në zemrën time le të hyjë Çamëria/
Le të hyjë dashuria/
Që të rritet zemra ime/Amen!”, te poezia “Lutje”.

Poeti Molliqi edhe kur shënjon në kujtesë tonë për mbamendje historike, motive të tilla të frymëzuara nga historia, që janë sa personale sa kombëtare, ai thërret dashurinë,si vizion i të arritshmes, sepse më parë duhet ta duam një gjë, pastaj ta kemi atë,ose më parë duhet ta dimë në kujtesë se është e jona një gjë, qoftë edhe në të parë si të paarritshme, më pastaj ta duam, dhe duke e ditur se po e duam, mund edhe ta arrijmë ta kemi. Ky është ai nënteksti i kuptimësisë së kësaj poezie. Poeti thërret për rikthim të kujtesës te historia, për rikthimin e kujtesës te ajo pjesë e historisë së etnikumit, që përbën gjithashtu një pjesë nga pjesët e tërësisë gjeografike të etnisë. Ai e aktualizon këtë rishikim,e ringjallë këtë plagë të etnisë sonë shqiptare.
Tragjedia e ndarjeve të historisë shqiptare,duke sjellë personazhe të legjendave tona , sikur është poezia me titull “Doruntina”, tek kjo poezi akceptohet me një figuracion gjithashtu të ngjeshur, por që me këtë personazh, autori aktualizon historinë e tragjikes sonë kombëtare, e afron atë më afër realitetit të jetuar, jo fort larg,në hapësirën e së cilës është gjendur edhe subjekti krijues. Pas shumë ndarjesh, pas shumë vitesh, tash nëpërmjet rinjohjes, ritakimit me ambientin, me njerëzit, me rrethin, nëpërmjet rizgjimit, do të thoshim, autori, bën pyetjen me një frikë në vetvete:”

A do të më njohin lojërat/
Pas shtatë shekujve ndaras/
Kur aq afër u afruam/
Dikush m’i tremb kujtimet/
Ujqërit m’i ndërseu në ëndrra…”.

Poezia e këtij vëllimi të Arif Molliqit, “Një hije bënte rrugë”, është e pasur edhe përkah përmbajtja semiotike e strukturës kuptimore të tekstit, gjë që e forcon identitetin e kësaj poezie.

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen