Montag, 6. Februar 2023

DIKUSH KA FRIKË NGA DASHURIA


  DIKUSH KA FRIKË NGA DASHURIA


NË MOTELIN BREG RRUGE

 

 

në moshën që ka sot

ai përpiqet të gjej ilaçin të mos turpërohej

mbase e ka njohu një prostitutë

që s´kishte dy-tri ditë

mund më qenë edhe një javë

e kishin sjellë në motelin breg rruge

në botën e kësaj aventure

e kishin thirr politikanin plak

t´i rikthej ëndrrat, dashurinë e lënë peng

mbase nuk kishte mundësi

të hyj në një ëndërr tjetër

 

e në luftën e pa qenë pastaj

iu desh një natë e terë

dashurisë t´ia prekte qiejt

megjithëse i ndodhi e kundërta

nuk mundte ta puthte

se nga goja i binin protezat

dhembet prej plastike

e në mes atij ofendimi

i ra ndërmend se s´ishte më i gjallë

se po digjej në ferrin e vetë

 

 

 

VARRËT E HAPURA

 

 

Kjo lufta e fundit

s´ishte as e para as krejt e fundit

 

as krejt ndryshe nga luftërat  tjera

 

ajo ka kohë që ka përfunduar

e unë kam kohë që thur poezi dashurie

edhe pse dikush ka frikë nga dashuria

që është kryevepra e njerëzimit

 

më kujtohet krejt çka ka mbet nga lufta

e futen nëpër katalogun e dhimbjeve

duke i numëruar varret

ose gropat që kanë mbetur të hapura

 

nëpër ato stine plotë mjegull

vrasësit kishin frikë nga vdekja

të vdekurit gëzoheshin pse po vdisnin

 

që i bie:

se po gëzoheshin

për kryeveprën e njerëzimit

 

 

 

(28. 01. 23)