Samstag, 7. Dezember 2019

POETI I AZDISUR


S' po di çka më të thanë
brenda koke i vdekur, trutharë
kam me ardhe e m'u taku me ty
se n´kujtimet e mia ke hy si terri
kur ta pashë
fytyrën me arna
pashë se sytë magjia e lakmisë ti kish marrë
duke u zhagitur nëpër orët e kotësisë
duke i thënë vetes: jam korfeu i poezisë
E ti gafil mos rri
se gujas kam me ardh
ballin e ftohtë me ta puthë si meit
e dy fjalë me ti thanë
se malli me ka marr
o çehregrysur
që i turfullon padronit me servilizëm
o poet i azdisur
“o vëlla, i jemi vëlla”
E kur të takohem
ti s' ke me besu
andërr ke më thanë, e andërr s' ka qillu,
nejse, kot të pyes se tash e di kush je
marimangë, hienë që thuer intriga për mua
s´di,
era e gjahut ku po të shpie
“o vëlla, i jemi vëlla”
mbetça pa ty:
kështu kurrë s´kam dashtë më të pa
_________________________________
"O vëlla, i jemi vëlla", është vajtimi për Avdinë

Donnerstag, 26. September 2019

Arif Molliqi: PESHA E ARKIVOLIT





PESHA E ARKIVOLIT



Provë për një dilemë 

A është qeni i biri ujkut
a ujku i biri qenit
Krejt njësoj
të dytë janë mishngrënës

A është njeriu i biri djallit
a djalli i biri njeriut
Krejt njësoj
të dytë e ngatërrojnë botën

A është hajni para ministrit 
a ministri para  hajnit
Krejt njësoj
të dytë betohen n´gjuhën e dhelprës



Pesha e arkivolit

Ditën e varrimit
Njerëzit bëjnë mahi të vogla
Mbi fytyrë ma hedhin një grusht dhé 
me arkivolin e mbyllur qeshin

Më besoni, ngushtë më keni zënë
mbase jam i vetmi njeri që nuk flas 
dhe për të parën herë rri vetëm
në një shtëpi pa dritare

Varrmihësit s'kanë punë tjetër
Veç ta kërkojnë llogarin e vet
E nesërmja është vonë

Aq lehtë
E zeza nuk bëhet e bardhë




Ç´rëndësi ka kush këndon 

Këndoj aq gjatë
Sa e lodhi bjeshkën dhe detin
Asnjë yll s´mbeti në natë
Nuk u ndal 
Derisa mori n'thua në këngën e vet 

Atyre që e dëgjonin
goja u ishte terë 
duke bërtitë:
o lejeni bre atë këngë
se u tha një det i tërë 

Ç´rëndësi ka kush po këndon
Kur askujt asgjë
S´do t´i lë trashëgim
kjo kënga e juaj e padurueshme 
gjithësesi




Arti i kolaboracionistit

Kur ra ujku në torishtë
ne i numëruam delet

veç bariu dhëmbprishur
doli tepër

Dikush kurrë s'do të di
pse asgjë s'i ndodhi qenit

ai kishte shkuar të Lendina e Qyqeve
i mbeshtjellur me lëkur dashi

Delet që shpetuan
i akuzuan si kolaboracioniste

kjo është loja e njeriut
kur afër vetës mban qenin e keq 

ose,
kur qeni dhe ujku bëjnë dashuri
në oborrin tonë me gardh të thyer




Arti i lehjes 

Ndalohet rreptësisht
me leh si qeni
se nuk e dallojmë ujkun te dera

Ka kohë që s' po e kuptojmë
kush në kënd po leh
qeni në njeriun
a njeriu në qenin

Derisa të mësohemi më të lehura
njeriu do ta hanë kopenë
e ujku lë të ankohet
në “magna carta libertatum”

Në mungesë të ujkut
edhe qeni i hanë delet
dhe bariut ia lëshon mjekrrën
sikur e bëri nga dashuria....

Verë, 2019

Samstag, 14. September 2019

Arif Molliqi: SORRAT E ZEZA

Arif Molliqi

Sorrat e zeza

E bartin atdheun buzë varri
Hajnat që bëjnë roje
I shkurtojnë mezhdat

Duhet të mësohem
Të hamë sorra...ose barin

Dikush kurrë s'do ta mësoj
Si hahen ato
Edhe nëse i vrasim korbat

Koha e maqorrit mos ardhtë
Vinë minjtë e na ngjesin sëmundjen

Atëherë përdorim ilaqe të skaduara

Të gjallët me proteza porosisin 
Varrin lë t'ua bëjnë
Deri të kau i zi

Freitag, 12. Juli 2019

Arif Molliqi: PREMTIME TË MENÇURA

Arif Molliqi



PREMTIME TË MENÇURA

Nga pema e papjekur
kokërrat po i ngrënë jashtëtokësorët
e gjarprit farat nën dhe

mbi kafkën e thatë
nga premtimet e mençura
djalli ndertoi strofullin Brenda

shikojeni lisin
n´asnjë stinë s´ka hije
e kanë lidhur për rrënjë diellin

të liqeni i shtjerrur
narcisoidët kërkojnë fytyrat e veta
ta kuptojnë ç´është e bukura

jemi mësuar të luajmë
më të paqartat e lirisë
duke marr në thua në ecje

Montag, 24. Juni 2019

Arif Molliqi: NJË VDEKJE PËR PRANVERËN


(vëllait tim, Rexhepit)


1.

Kuptova vonë
se në pranverë paska vdekje
bash tash kur po na duhesh
me na mësu një fjalë
me na mësu këngën e stinës së luleve
me na tregu për erën
që vjen nga Gryka e Deçanit

Sa të trishtuara fjalë
 që dalin nga porosia jote:
... duajeni pranverën
s’ka rëndësi shumë në jam unë
pak rëndësi ka
se pranverës i kanë hije edhe vdekjet
si kjo e imja
me peizazh gjelbëruar mbi varr
  

2.

Vij e vjen
e unë kërkoj sy me t’pa
se sytë e mi kanë mall
n’këtë stinë që nuk e njeh moshën
edhe kur bie shiu
edhe kur ka diell
se rruga që je nisur nuk njeh kthim

Ti breg Lumëbardhi me ujë shumë
që sjell këngë e vaj nga ushtimë e bjeshkës
ah, vetëm për ty këndojnë bjeshka dhe vërrini
në çdo pranverë


3.

Në dhomën e zbrazët e të ftohtë
e shikoj një fotografi varur në mur
sa robërues është aparati fotografik
nuk na lejon të flasim...

I shikoj sytë e tu aty
lot dhe buzëqeshje pafund
po këngën që aq shumë e deshe
nuk e dëgjoj më

Kaq mund të them sot
vetëm kaq
 o im vëlla


4.

Në luftën e fundit ishe gjeneral
kërkoje vetëm fitore
ta pushtoje nëntokën doje
t’i lirosh nga robëria varret ngulje këmbë
pas mbarimit të betejës
fjalime të zymta kund s’lejove


5.

Mandej të lakmova me aq zjarr
në sytë e gjithë atyre njerëzve
kur fjalët u mbushën me mjegull
kur gjithçka më iku
nga portreti që mbanin nxënësit në duar
dhe guri me ra nga zemra...

Iu falënderohem miqve
iu falënderohem
për ndjesën

(Fillimqershori, 2019)



Samstag, 25. Mai 2019

Ç´emër t´i vë djallit

duke pritur radhën në spital
një çast ndezët drita e gjelbër
tuneli për morg lejohet...
në të majt është një derë prej hekuri

askush nuk të merr për dore
më ta treguar rrugën e Parajsës
as britmat nuk i ndien
as zërat e të vdekurve që s´të njohin

nga morgu deri të Ferri
në kryqrrugën e mbyllur n´çark
janë vendosur pafundësi njerëzish
s´di ç´emër t´i vë djallit që mashtron

e vetmja gjë që s´do t´ia dijë për moshën
janë morgu, ferri dhe parajsa
një mijë vjet të njëjtet emra  
veç përkujtimi në mermer tjetër.

                                   Arif MOLLIQI

Samstag, 6. April 2019

E PASHEMBULLT PËR NJERËZIT

n´prag të kësaj pranvere
kanë dal larvat e krimbave
më portrete njerëzish duke marrë frymë
e kapërthehen nëpër fushat e huaja
bardh e zi i kafshojnë fitoret e tjerëve
s´kanë dert edhe kur ua pështyjnë emrin

n´prag të kësaj pranvere
farë hibride e kërkon tregu
vallë, ushqim për larvat e krimbave
që marrin frymë
nga marrësi e përjetshme
dhe vdesin nga fjalët e veta

lëreni,
paskeni qenë thjeshtë krimba
krimba që përtypin larvën e vet
e pashembullt për njerëzit
ndoshta kjo ndodh vetëm të kafshët e rralla

(Prill, 2019 )



Mittwoch, 13. Februar 2019

Kot me përgjoni


mes rafteve te librave kam futur kokën
kokën mes rafteve e kam futur
e nuk e lexoj asnjë libër
veç numëroj kapituj i mësoj emrat e vjershave
ua shkund fjalëve pluhurin e kohës
se s´po më zë besë Ademi, Ademi i Gashit
që më bredh nëpër kokë më mendime
duke m´thënë S´i duhet kujt gjaku im [1]
s´më zë besë 
as kur ja përmendi kryeqytetin e lakuriqëve
midis zhurmave e njerëzve të shumtë [2]
që mezi zbritën në shehër më atë gur durimi
me buzëqeshje të ftohta nga dimrat e akullt
më kësula të bardha prej bore e koka prush

zbriten në një shesh të madh për ta ther heshtjen
nga një letër e bardhë për ta hequr vetminë
derisa e përgjoni hilen e pritave
derisa i harroni titujt e librave mes rafteve
duke i dëgjuar fjalët e hidhëta që rrjedhin
nëpër pallatin e madh e nga ballkoni i t´huajve
e harrojnë barin që rritet çdo ditë mbi varre



[1]  Titulli I një libri të Adem gashit
[2] Prarafrazim i një vargu të A.G

Dienstag, 5. Februar 2019

Letër TV Klanit


Në shërbim të kujt janë opinionistët e Blendi Fevziut?!

Shkas për ketë letër mora emisionin “Opinione” të TV Klan, mbrëmjen e 04.02.2019, ku të ftuar ishin: Baton Haxhiu, Prenç Zogaj, Mustafa Nano, Edit Harxhi dhe Andi Bejtja. Por kësaj here nuk do ndalem për dërdelisjet e të gjithë  opinionistëve por vetëm për dy më të “mençurit”, për: Baton Haxhiun dhe Mustafa Nano të cilët gjithçka e “dinë” dhe s´dinë për Kosovën.

         TV Klanin e shikojmë më shumë vëmendje. Jo vetëm e shikojmë, koha e tashme, por edhe e kimi shikuar që shumë vite. Mirëpo, ka kohë që gjithnjë e më shumë ky televizion po na irriton ta ndjekim (shikojmë), e sidomos kur përball, në ekran na dalin dy “opinionistet” më të “mençur” që i ka gjetur Blendi Fevziu në gjithë hapësirën shqiptare, e të cilët po na shesin mend kur s´kanë as për vete. Pa dashtë të hy në detajet e çdo emisioni veç-veç, po ndalem vetëm të zgjedhja e opinionistëve që po i bën kohëve të fundit Blendi Fevziut. Ky gazetar, moderator, ka nuhatje të mirë për emisione që zgjojnë kërshërinë e shikuesve, por nuk e ka të njëjtën shije kur zgjedh ”të mençurit”-opionistet e misionit. Sepse, për fatin e keq, kohëve të fundit Blendi Fevziu, sikur e ka banalizuar, e ka kthye në komedi pa kripë “Opinionin”, pse jo, edhe skemën programore të TV Klanit më ftesa të opinionistëve që s´kanë krebilitet e as moral për të qenë “opinionist”(të mençurit) e TV Klanit.

         Nuk e di, sipas cilave kritere Fevziu i ka vlerësuar këta dy “opinionist” (Batonin dhe Nanon), se gjeja dinë gjithçka për Kosovën, përveç asaj se njëri mund të dinë së çka mendojnë shërbimet serbe për shqiptarët, e tjetri e “dinë” së në gjakun e kosovarëve ka edhe gjak serbi(?!) Për të parin (Batonin) e dinë edhe Fevziu se ai ka qenë, është dhe vazhdon të jetë i lidhur ngushtë me strukturat me të errëta të Beogradit dhe shërbimeve sekrete Serbe. Kurse për Mustafa Nano, Fevziu e dinë se kush e paguan të flas zi e ma zi për shqiptarët jashtë Shqipërisë. Këto e shumë të tjera i di Blendi Fevziu. I dinë edhe përpiluesit e skemës programore i TV Klanit dhe vazhdojnë ti thërrasin si “opinionit” në TV Klan, që përmes sharjeve, fjalëve dhe opinioneve të tyre të vjellin kundër Kosovës.

         Shikojeni ketë binom pekmezesh se si përngjajnë jo vetëm për nga fjalori, mendimet e çoroditura kundër Kosovën, por edhe kokën e kanë të kthyer nga Beogradi dhe Athina.

Ndryshe, këta binekët e Blendi Fevziut janë  aq të pa matur, aq dyshues, sa vijmë në dy përfundime: Kush janë? Për Batonin tashmë të gjitha i dimë?! Mustafa Nano veç na ka tregua me opinionet e veta se kush është... Po, ty Fevzi çka të lidhë me ta? Apo veç të  pëlqejnë biografitë e tyre.? Të bëmat e tyre? Mendësia e tyre për shqiptarët? Lidhjet e tyre me të kaluarën....? Ndryshe s´ka si të shpjegohet kjo kur asnjëri nuk kanë aftësi të japin opinion për zhvillimet shqiptare përveç kur duan të ofendojnë e shajnë. Të tillët për shkrime-derdelisje edhe paguhen nga qendra antishqiptare, e në raste të tilla dihet se si pasqyrohet realiteti, si thuret historia, si shpjegohen ngjarjet. Shkurt, si është e mundur që populli shqiptar i Kosovës të përpinë fyerjet që ua bën Batoni në TV Klanin të Fevziut por edhe të vetin?!

         Kush ua jap të drejtën atyre (Batonit dhe Nanos), të japin opinione kaq sharlatanë për Kosovën?

         A janë shqiptarët e Kosovës të denjë që ti ofendon Bledi Fevziu me këta të “mençurit” e tij?!

         Çka të them, pos që po e përdor një fjalë që e përdori vet Batoni në “Opinion” të 04.02.2019: “Marre!”


                                                                  (Arif Molliqi,
                                                                  email: molliqi@aol.com)

Freitag, 1. Februar 2019

Shenja të mavijosura

kufiri udhët festat...
të ftohta si meiti

morti simfoni e pakryer

përtej kufiri... nën gur
gjarpri mprehte dhëmbët

etja e pashuar gjaku

mbi kokë korbat i numërojnë plagët
në trupin tonë shenja të mavijosura

presin çastin e shërimit

Dienstag, 29. Januar 2019

E zeza, shiu i vjeshtes dhe vdekja misterioze...


( Duke e lexuar romanin "Gruaja e vizatuar nudo" të Arif Molliqit)

Pikturat nudo të Lisit, nuk ishin epsh, ato ishin lakuriqësia e jetës ndaj edhe ngjyra e zezë zinte pjesën dominuese tek to. Ajo e zezë pushtonte gjithçka në këtë jetë, pushtonte edhe shpirtin, duke dashur ta nxinte atë. E zeza, ishin shokët e Lisit, ishin ata që kishin kryer krime apo kishin ndihmuar në kryerjen e tyre dhe me frikë përgjonin çdo fjalë, çdo hap duke trembur jetën me karriget që kishin zënë, apo me pistoletat që mbanin me vete.

Nga: Bukurie Bushati

Fjala e parë e romanit është varrmihësit dhe të jep atë përshtypjen e vdekjes dhe ti mendon se gjatë romanit do të të ndjekë ajo hije vdekje, që punëson varrmihësit. Dhe intuita nuk më gaboi. Ishte pikërisht, një vdekje enigme, që do të përshkonte si shtyllë kurrizore romanin nga fillimi deri në fund. Ishte piktura e pambaruar e një gruaje nudo, që e shoqëronte zgjidhjen e kësaj enigme.

Romani fillon me shi, me zymtësi, me frikë shoqëruar si një ugur i keq nga ngjyra e tepruar e zezë e hedhur në pikturat e piktorit Lisi. (mendoj se jo rastësisht autori ka gjetur këtë emër për këtë piktor. Lisi, me trupin e tij të drejtë e të lartë, që nuk din të përkulet, edhe pse mundet të preket e të shkretohet nga rrufetë.) Autori, që është edhe personazhi kryesor i këtij romani, niset nga Hamburgu, për në vendlindje, Kosovë, nga një brengë që nuk e len të qetë, vdekja misterioze e mikut të tij. E kemi ndjerë të gjithë ne emigrantët, kur kthehemi në vendlindje, pas shumë viteve ndjehemi të huaj. Kështu ndjehet edhe Sokoli. Në Kosovën pas luftës, përballet ai me zhgënjimin. Kishin pritur shumë, por grija e ka mbërthyer Kosovën. Kaosi ka zgjatur gojën e tij të shthurur kafeneve mbi gotat e alkoolit, kriminelët kanë zënë postet në shtet, thashethemet tregojnë për një shtet që nuk shkon drejtë qytetërimit dhe pasiguria përgjon çdo derë, ndjek çdo hap.

Nëpër shiun e vjeshtës dhe të ftohtin që e shoqëron rrugëve që rënkojnë nga djegia e shtëpive për rreth tyre, kërkon ai ish të dashurën e tij, Rudinën. Në fillim të krijohet bindja se do të ketë një vazhdim të atyre ndjenjave të dikurshme mes tyre. Por jo. Rudina, është nyja kyçe nga ai duhet të fillojë të kërkojë autorin e vrasjes. Rudina, një grua për të cilën thashethemet nuk kanë të pushuar, është ajo forca e gruas, që edhe pse e braktisur nga fati, ngrihet dhe ecën me hapin goditës e të sigurt mbi asfalt, me trupin e drejtë, me ato tipare, që Lisi, me të cilin bashkëjetonte, ishte munduar t’i hidhte në pikturën e gruas nudo, që nuk arriti ta mbaronte dhe as iu gjet vendi ku u fsheh. Në atë pikturë, nudo ishte shpirti i saj, shpresa, buzëqeshja, vuajtja që ishin edhe në pikturat e grave e vajzave të tjera nudo të pikturuara prej tij. Pikturat nudo të Lisit, nuk ishin epsh, ato ishin lakuriqësia e jetës ndaj edhe ngjyra e zezë zinte pjesën dominuese tek to. Ajo e zezë pushtonte gjithçka në këtë jetë, pushtonte edhe shpirtin, duke dashur ta nxinte atë. E zeza, ishin shokët e Lisit, ishin ata që kishin kryer krime apo kishin ndihmuar në kryerjen e tyre dhe me frikë përgjonin çdo fjalë, çdo hap duke trembur jetën me karriket që kishin zënë, apo me pistoletat që mbanin me vete.

 Në çdo faqe të librit, ndjehesh me pasigurinë, me frikën që mban veshët hapur. Për secilin jeta është e dashur dhe asnjë donë ta humbasë atë. Edhe Rudina, edhe pas gjithë atyre fatkeqësive, e donë jetën, por është diçka më e shtrenjtë se jeta. Është ajo brengë që të mbërthen shpirtin dhe nuk të lejon ta jetosh jetën, pa e nxjerrë atë jashtë. Edhe për ta nxjerrë atë jashtë, të rrezikohet jeta, por shpresa se krimi do të dënohet dhe jeta të pastrohet, zë vend në vendimin e Rudinës. Vetëm kështu pikturat e Lisit, mikut të saj do të lirohen nga ngjyra e zezë. Autori din të përshkruaj mirë, fytyrat e krimineleve, ish shokë të tyre. Frika i ka mbërthyer edhe ato edhe pse me gotat e alkoolit nëpër duar, mendojnë se dëshmitë i mbuloi dheu. PO ashtu, autori ka gjetur detajin e duhur në këtë roman, “vrasjen në kufi”, që përdoret për të çoroditur popullin duke dhënë nga ana tjetër, edhe vrasjen për një jetë tjetër, jashtë kësaj vjeshte me shi. Autori tregon edhe për prostitucionin. Por prostitucion nuk quan atë grua që detyrohet të shtrihet në shtrat me të “fuqishmit”, por janë këto të fundit që janë prostitutë të kësaj kohe, që vrasin lirinë dhe dinjitetin e femrave dhe pastaj i hedhin në koshin e qytetit, duke i quajtur të përdala!
 Mbasi i ka shkuar deri në fund, enigmës së vrasjes së Lisi T, Sokoli largohet nga netët e frikshme të qytetit dhe kthehet në Hamburg. Por krimi ka duart e gjata. Ai din të hakmerret për të qenë edhe i sigurt për mbijetesën e tij dhe Sokolit i duhet të kthehet, për të vendosur një shirit të zi, mbi pikturën e papërfunduar dhe të pagjetur të Gruas nudo, të shoh dheun e rëndë që hidhet mbi trupin e saj. Më pëlqeu stili me të cilin është shkruar romani, detajet që janë sinjifikuese, njohja dhe përshkrimi realist i ngjarjeve të atyre viteve. Libri lexohet me kënaqësi, dhe të mban pezull, për të ditur se si përfundojnë personazhet, dhe cila është enigma e vrasjes së Lisit, piktorit që në pikturat e tija e “teproi” me ngjyrën e zezë, me ngjyrën e vdekjes e të pasigurisë që sundonte ajrin që nuk mundet të ndjehej i lirë.

Freitag, 25. Januar 2019

Folklor atdhetarie

të thuash se e do atdheun
nuk mjafton
as kur shkruan poezi t´lazdruara
se të varfra janë fjalët për atë dhimbje

t´qëllosh me armë hava n´emër të atdheut
e t´këndosh këngë trimërie më lahutë
nuk e gjen dot rrugën e lirisë...

mbajeni mend…. pa u prishë dasma e kopilëve
ku për krushk ftuar janë xhuxhet e ferrit
s´besoi që mund t´vjen nusja...me rreze veshur

Montag, 21. Januar 2019

Çast dyluftimi

Arif Molliqi
ti mbramë në ëndërr ishe
mund t´bahet me qenë hija jote me aromë

brenda frynte një erë ashpër me hijeshi
t´u e prit çastin e dyluftimit me ty

kurrë s´kam besua se të marrka malli
shpirtin ta japesh edhe n´ketë mënyrë

sidoqoftë me ceremoni e zhurmë
zhvendosem armët e nisem m´u lutë

as ti as unë
nuk dëshironim të vdisnim në luftë

Mittwoch, 16. Januar 2019

Poezi e mendimeve dhe emocioneve në dimensionin kohor

Duke e lexuar librin me poezi „Si kripën të kam dashtë”, të Arif Molliqit, ShB “Armagedoni”, Prishtinë 2018.

Shkruan: Majlinda Zorba

Kur ndeshesh me titullin kaq popullor”Si kripën të kam dashtë” të vëllimit poetik të autorit Arif Molliqi, vendoset një raport i ngrohtë e i afërt komunikues me autorin, duke krijuar një përfytyrim rreth mënyrës së shkrimit, si dhe përfshihesh nga ngasja poetike për leximin e frytshëm të tij.

Vëllimi në fjalë fillon me një poezi të veçuar me titullin “Kronika e një fotografie”. Çdo foto për poetin përmbledh ngjarje jetësore të shënuara, gjendje shpirtërore të papërsëritshme, që mbeten të sendërtuara përgjithmonë. Ajo është një “vizatim me dritë” që ekspozon një kohë të caktuar mbresëlënëse që mund t´i drejtohesh sa herë të duash për ta risjellë në kujtesë.

Fotoja që i përgjigjet kohës së ikur të rinisë i ndjell atij keqardhje, pendesë, mungesë dhe e fut në meditime poetike. Poeti e krahason atë me foton kur ai “mbuluar thinjash është” duke synuar të dallojë dy kohë në antitezë të fuqishme që jetojnë paralelisht tek ai me efektet e tyre lirike. Kjo poezi krijon një rrëfim më vete, të spikatur dhe duket se është fort e dashur për poetin. Në këtë, si dhe në të gjithë veprën kemi fjalë çelës të një fjalori letrar: terr, kohë, ferr, parajsë, vdekje, vetmitar, engjëll, djall, plagë, farë, varr, tym, mjegull, portret, ngjyrat e zezë dhe e kuqe etj, si dhe publicistik e kinematografik: foto apo si fjalë e plotë fotografi, film, letër, kronikë, antenë, televizor, ngjyrat bardhë e zi etj.

Motivi i mallit, kujtimet, nostalgjia, trishtimi, ëndrrat, lidhur këto gjithmonë me dimensionin “kohë” do të përshkojnë si një fill i kuq gjithë veprën. Poeti nisur nga uni i vet ekzistencial është i bindur për “pafuqinë njerëzore “... me borën e bardhë mbi kokë... frytet e mërdhita” dhe për triumfin e kohës që ikën me revan përpara, duke marrë me vete sekretet e jetët e secilit e duke mos u kthyer më për ta. Mes epitetit kohëmatësi dhe metaforës “ëndrrat janë plakur” vëmë re asociacionin e mendimeve dhe emocioneve në dimensionin kohor.

Në këto poezi autori rreh të shkruajë në mënyrë sa më koncize, e përngjashme kjo me një prirje të përgjithshme të poezisë moderne, duke i lënë hapësirë lexuesit të mendojë e imagjinojë në mënyrë aktive. Ndërsa po të gruponim fjalë të fjalorit me karakter kohor ato janë të shumta (kryesisht ndajfolje) dhe nëse do të bënim pemën e mendimit do të spikatnin vargje të shpeshta që karakterizojnë kohën në shumë cilësi e anë të saj: Ora e plakur me akrepa të lodhur (“Ora e plakur”), këtu me anë të metaforizimeve del në pah ecja e zvargur, kur është fjala të rrëzojmë paragjykimet që janë vërtet shqetësuese për poetin dhe këtë ai përpiqet ta kthejë mes vargjesh të shkurtra në bindje për lexuesin. Diku tjetër “Aty ku zura pritë”: “... nuk e di ku ikën vitet e mia, a në tokë a në qiell, në hapësirën bosh midis një vjeshte e një dimri”, ikja e kohës kthehet në shqetësim e pasiguri për poetin, “...stina e mjegullës”, “ishin ditë të lëna peng nga një kohë tjetër, me antena televizori bardh e zi”, “ndër vitet që bëheshin shekuj”.Tek poezia “Letra e humbur”: “...derisa u rishfaq në një të martë me datën trembëdhjetë...,vjersha “Në ndërrimin e moteve”: “...në mundsh për një vit ta ndalësh hapin,...nuk bëhesh i mençur assesi, kur dikush mundohet ta ndalë kohën. Vetë letra si mjet komunikimi që konservon, ashtu si dhe fotografia kujtime, ndjesi, dështime e zhgënjime, pendesën dhe mundësinë që ajo fal për të kuptuar gabimet e hershme që mund të ishin zgjidhur ndryshe: “Një ngjarje e vrugët”. Ndërsa në poezinë “Vajzës që i pëlqente shiu”: “... pas asaj nate që eci nëpër shi, duke u munduar ta shpëlajë një njollë të zezë në trup, mbetur nga kohë e keqe, nga një njeri i panjohur (asociacioni e panjohura në kohë e njerëz), tek “Më thuaj a të marr për dore”: “...në sy, në gjoks, ka portretin tim, që ma vodhi vjeshtën e kaluar. Ndërsa në poezinë “Bukuri e egër”: “...ajo edhe sot është e bukur, ka pamje të çuditshme, vite që s’i plaken kurrë, në “Imagjinatë e zbehtë”: “...kisha menduar se ajo ishte kohë e shpifur, kohë për t´i frikësuar vetmitarët që ecin natën.

Libri hapet me një poezi “ Kronika e një fotografie” e cila mund të themi se luan rolin e një prologu në hyrje të tij, duke i bërë të ditur lexuesit për një ngjarje që ka ndodhur më parë dhe që nuk trajtohet në vepër, po që lidhet me të tërthorazi. Pas prologut kemi pesë nënndarje: e para “Përsëritje e papërsëritur”, e dyta “Si kripën të kam dashtë”, e treta “Për dhimbje ka prova”, e katërta “Fshati me një refugjat”, e pesta “Mjegulla në kryeqytet”. Bie në sy përdorimi disa herë i grupit të fjalëve “Përsëritje e papërsëritur” si nënndarja e parë e vëllimit , si titulli i poezisë së dytë të nënndarjes së parë, si një varg i poezisë “Në kavernat e lirisë”: “...i përsëritur në një kohë të papërsëritur” dhe si titulli i poezisë së shtatë “Përsëritet e papërsëritura” të nënndarjes së fundit me titull “Mjegulla në kryeqytet”. Ky grup fjalësh ka faktorin kohë së brendshmi, ndërsa tek “Libri i amzës”: “...mes dy poleve të tokës, në këtë kohë gjithçka ndodh, “Në kavernat e lirisë”: “... koha ka të drejtë të përqeshë, ky është fati ynë, i përsëritur në një kohë të papërsëritur, këtu poeti e shpirtëzon kohën, e personifikon atë duke e bërë pjesë të pandarë, dëshmitaren e vetme të paanshme për ngjarjet që ndodhin, së cilës i jepet kësisoj e drejta edhe të gjykojë, të vërë në lojë. Në poezinë “Prova e një ore” vlen të përmendet fjala “kohë” e parë në shumë anë, vihet në dyshim saktësia e saj: “...ora është e saktë kur i numërojmë numrat, shpesh ndodh i gabojmë vitet, s´na del asgjë e saktë... në Ballkan është prishur numëratorja, janë ndryshkur akrepat e orës, janë lodhur durimet,...as dita dhe nata nuk përfundojnë me orë, ...është gjë e shëmtuar kur dëgjon tik-takun cinik, kjo orë e përbaltur, zhveshur deri në lëkurë, s´na hyn në punë as kur lahet shteq.” (këtu poeti sikur luan me orën, e percepton kohën në mënyra të ndryshme, edhe si një kohë reale edhe si një kohë artistike, pjesë e subjektit mendor, për të rëndësi ka ndryshimi, e reja, pozitivja, të cilat i dëshiron me pasion t´i shohë në realitetin ballkanik, por fatkeqësisht ora e ndryshimeve për mirë nuk vjen se ajo është e plakur, ka tik-takun e saj cinik, përbaltja e orës është një metonimi e spikatur ku mjeti zëvendëson ngjarjen, punën që është bërë mbrapsht, koha e parë konkretisht nga poeti duket si një hollësi e mërzitshme e parëndësishme, por në fakt ajo merr një nëntekst të fuqishëm ideor në suazën e kontekstit të përgjithshëm. Në një poezi tjetër “Ishte vonë për të thënë diçka” vargu i parë të jep përshtypjen se kemi të bëjmë me një lajmërim në gazetë apo një faqe ditari: “...sot me dymijë e shtatëmbëdhjetë, ditë e shtunë dhe vjeshtë,... këtu e tutje u besoj vetëm vdekjeve, kjo s´na u dashtë kështu, ngaqë koha na e la hingëllimën e tepërt, në kuptimësitë tona i lamë të hyjnë të tjerët, dhe në librin e harresës i vumë vetes pikë (në memorie të poetit është çdo gjë që lidhet me kohën, kur ajo që e ka dashur më tepër me zemër ka vdekur, trishtimi për të në paralelizëm figurativ me kohën përshkon gjithë poezinë, i lënduar që koha i mori me vete të dashurën, po më shumë i lënduar për zgjidhjen e gabuar që dikur i kanë dhënë të dy bashkë, si dhe fundi tragjik simbolizohet me hingëllimën e kohës së pamëshirë që s´i dha shansin për ta gëzuar jetën me të dashurën e tij. Në “Shënime nga Shkupi”: “...pas dymijë vjet më pas erdhi djalli me zhurmë, poezia “Ligjëratë dashurie”:... dashuria s´është kohë e pathënë, as dhimbje që harrohet, (çdo gjë ndodh me një arsye të fortë që e përmban vetë koha: Le të kujtojmë Kantin, sipas të cilit “koha dhe hapësira janë forma të ndjeshmërisë sonë, jo realitete që jetojnë nga vetvetja dhe të pavarur nga subjekti ndijor”. Ky citim e përmbush më së miri komentimin e raporteve kohore me ndjeshmërinë e krijuesit; i veçantë është përdorimi i faktorit kohë në vjershën “Peizazh ndryshe” që nis: Kohë, shpëtoje kohën, derisa zogu këndon në kopsht e më tutje:... shpëtoje nga fjalët e pathëna,...kohë mëshirëmadhe bëhu, mos më shkund nga pema këtë natë, nga pema e veshur me mantel malli. Krijuesi ndjek të njëjtin procedim artistik, me anë të fjalës kyçe “kohë”. I drejtohet asaj që të shpëtojë kohën, duke e llogaritur atë njëherë si qenie reale, konkrete, në të cilën ka mbështetur shpresat dhe njëherë si një kohë e largët, universi vetë, i gjithë Kozmosi, në këtë vjershë ka lirizëm të ngrohtë, ka mall e nostalgji, ka butësi në kërkim të mëshirës (kohë mëshirëmadhe-epitet metaforik, pema e veshur me mantel malli-personifikim dhe epitet metaforik).Tek vjersha

“Kthimi ose braktisja e gjumit”: “...pak pas orës tre,...në orën pesë të ditës së pasnesërme-mendoj se në këtë rast mund edhe të shmangeshin dy vargje të tilla që mundet të zëvendësoheshin me fjalë të tjera që përcaktojnë vështirësinë.

Diku tjetër “Më ngjan se ata udhëtojnë pa e ditur fundin”, krijuesi e mbyll poezinë : “...gërryej me këmbë e duar kohën që më ka mbetur. Me këtë metaforë-folje cilësohet ngarkesa e njeriut me shumë probleme e angazhime. Tek-tuk ka edhe deklarime apo thjeshtëzime të kohës, nëse do t’i quanim kështu, rastet kur përdorimi i saj i tepruar e prish bukurinë e poezisë, po në shumicën e poezive procedimi artistik me këtë nocion është realizuar më së ploti, duke i dhënë ngjyrime simbolike e metaforike të larmishme, duke shtuar shkallën e emocionalitetit dhe duke u plotësuar edhe me një tematikë të pasur e duke përçuar mesazhe bashkëkohore. Ky autor përbën një individualitet të veçantë për vetë përvojën jetësore që ka, edhe si një atdhetar i lidhur ngushtë me Kosovën “Kthimi ose braktisja e gjumit”, “Epitaf për kufirin”, “Te kulla e Zhlepit”, “Loja me litar”, me arën e babës: “Era e arës së babës”, me Llukën e Epërme, vendlindjen e dashur “Llukë e Epërme”, “I rikthej lojërat nëpër rrugët e fshatit”, me Lumëbardhin që s´është më: “Vrasja dhe vdekja e Lumëbardhit”, me heronjtë e demokracisë: Ibrahim Rugovën, Jusuf Gërvallën:“Heshtje e zhurmshme”, “Përvjetor”, me Sali Çekajn, Agimin, Xhemalin (“Në Koshare me Sali Çekajn”, me shokët e shkollës, me Sadik Mulliqajn, motrën e dashur që s´janë më (“Loja e dhimbjes”, “Motërmadhës”), me Çamërinë, Aleppo-n, Shkupin, (“Lamtumirë Çamëri”, “Aleppo”(Haleppo), “Nata e anktheve”, “Shënime nga Shkupi”, si edhe me atë të mërgimtarit, për të cilën krijuesi ka bërë një nënndarje të katërt të vëllimit me gjashtë vjersha (nis me “Fshati me një refugjat e mbaron me “Malli për bahçen më ftoi”). Tek poezia “Kthimi ose braktisja e gjumit”, autori llogarit me kohën: “...është mëkat i shpëlarë, kapërcim nga stinët e vdekura...kërkonim dashuri stinëve shterpe...s’di a kam kohë t’i ujis thëngjijtë e shuar nga djersa. Dallohen për një lirizëm të theksuar: “Kënga e qukapikut”, “Vrasja dhe vdekja e Lumëbardhit”, “Më thuaj ta marr për dore”, “Era e arës së babës”, “I rikthej lojërat nëpër rrugët e fshatit”, “Midis dhimbjes” e të tjera. Zemërimi dhe herë-herë rebelimi i autorit për politikanët që e kanë zhgënjyer popullin, i kanë shitur interesat e tij, e kanë copëzuar vendin pa mëshirë arrin që të derdhë në vargje të gjithë mllefin e dufin e brendshëm të shpirtit të ndjeshëm prej poeti: “Politikanët”, “Rekuiem inati”, “Kjo kafshë e zezë”, “Kryeqyteti i krimbave”, “Në esencë ti bën sikur jeton”, “Epitaf për kufirin”, “Te Kulla e Zhlepit”, “Promenadë veriore apo limonadë kulturore”. Në disa vjersha dalin gjithashtu çaste trishtimi, keqardhjeje, vetmia e refugjatit, malli për fëmijët e gruan, letrat që i shkruan atyre, boshësia shpirtërore në vend të huaj etj, por nuk mungojnë edhe notat e optimizmit, apo tragjizmit, nuk mungojnë edhe deklarimet, thënia troç e së vërtetës herë si një këshillë e nxitje, e herë si rrugë e vetme për fitoren. Tema e vetmisë e parë edhe në plan social edhe ekzistencial do të jetë nga temat më të rëndësishme në vëllim, së bashku me mallin e trishtimin për jetën që ikën pa u ndjerë në kohën që ndryshon me dinamizëm. Fazat e jetës së autorit merren në trajtesë në disa prej vjershave, sidomos me nostalgji që bëhet shkas për ta mbushur zemrën e poetit mërgimtar formësohet faza e fëmijërisë dhe rinisë, lidhur këto edhe me mallin për atdheun që e shumëfishon nostalgjinë për kohën e ikur. Poeti është i vetëdijshëm për filozofinë e jetës, që gjithçka në Univers lind, zhvillohet e më pas i vjen fundi, vdes dhe prandaj e mbyll vjershën “Dhimbje ndryshe” me këto vargje: “...oh pa sy, do ta pres pleqërinë”. Me nota dhimbjeje përshkruhet një plagë e shoqërisë së sotme, dhunimi i femrës së cilës i janë kushtuar kryesisht dy vjersha “Vajza që ecte nëpër shi”, “Vajzës së kryeqytetit”. Kryeqyteti gjithmonë ka nxitur poetët për të shkruar për të, pasi aty rritet më shpejt e keqja, veset, rrëmbimi pas parasë, shthurja e vlerave morale, vetmia si një stimuluese e zvetënimit shpirtëror sidomos të rinisë. Një nga këto figura është ajo e vajzës në të dyja poezitë e lartpërmendura. Ka edhe ndikime nga poezia popullore si: “Malli me bahçen më ftoi”.

Në poezinë e Arif Molliqit gjejmë edhe sensin ironik e satirik të vlerësimit të realitetit bashkëkohor lidhur me simbole të shumta, që s’janë gjë tjetër veçse paralelizma figurative të nënkuptuara. Tek poezia “Një kostum evropian”, “Kam bërë një kapërcim”, “Loja me litar”, “Diqysh po më duket”, “Prova e një ore”,”Kryeqyteti i krimbave” vihen në pah me tallje të fshehtë dukuri negative të jetës shoqërore e individuale. Për sa i përket mjeteve artistike të përdorura nga autori në vëllim, ato krijojnë në përfytyrimin e lexuesit marrëdhënie të tilla ku koha reale shkrihet me kohën artistike dhe gjithçka përjetohet sikur ndodh në çastin e shkrimit të poezive. Ndërthurja e planeve kohore të së kaluarës me të tashmen e të ardhmen,krijon kështu një kompozicion kohor të caktuar dhe është sigurisht vlerë e vëllimit “Si kripën të kam dashtë” të autorit Arif Molliqi. Ndryshimi i rendit kohor të ngjarjeve, veprimeve,ndjenjave,krijojnë situata të veçanta dhe lexuesi përfshihet nga një gjendje shpirtërore që e dëshiron autori, përforcohet një ndjenjë, ndjesi,apo një përfytyrim në një moment të caktuar dhe kështu natyrshëm zbulohen thelbi i karaktereve, mesazhet. Vështrimi retrospektiv dhe ai i çastit të pasqyrimit të ngjarjeve janë kombinuar në mënyrë të atillë që i shërbejnë ngarkesës emocionale-shpirtërore të lexuesit. Pra mund të themi se ky krijues e përqendron më tepër vëmendjen në transmetimin e lëvizjeve, të dinamikave gjithfarëshe të jetës, pa u kujdesur shumë për ritmin, rimën, për përsosjen e formës. Nuk duhet lënë pa theksuar se janë ndjenjat ato që e përcaktojnë cilësinë e poezisë dhe ky vëllim shpalos ide e mesazhe, tema të begata vetëm përmes ndjenjave. I urojmë autorit shpërthime të mëtejshme lirike, frymëzime të mirëfillta artistike, procese krijimesh të larmishme që kurorëzojnë vepra artistike që burojnë nga shpirti. E vërteta e botës së brendshme shpirtërore të shkrimtarit,të ideve dhe veçorive të shijes vetjake të tij, merr në vepër ngjyra përgjithësimi që i shërbejnë kohërave.