Freitag, 11. Januar 2019

Portret i pambaruar


Poezi nga libri i gjashtë: “Portret i pambaruar”


SHËNIM I DOMOSDORSHËM

Në qytetin tim ka miza ka lypsa ka dashnor
Ka gra të bukura që i nuhasin hamshorët
Ka tregtarë impotent që vrapojnë pas vajzave
Ka kurva që flenë ditën natën i bëjnë llogaritë 
Ka politikanë që flenë të dielave në motele buzë rruge
Ka poet që u thurin vargje qenve të mbetur pas një pallati
Ka gazetar që nuhatin sperme e mbetura bordeleve ilegale 
Ka redaksi televizive që qeshen më ata 
Që e humbin kohë duke i shikuar telenovelat ameriko-latine...

Po çfarë nuk ka në qytetin tim 
Ka minj të ngordhur nëpër arkivat e vjetra 
Që  askush nuk i shikon nga frikë e emrit të vet
Ka administratorë që qeshen me ata që kërkojnë certifikatë kurorëzimi 
Ka shefa që i urdhërojnë sekretareshat çdo ditë ti shkurtojnë fustanet nga pesë centimetra
Ka votues që i mbyllin sytë dhe votojnë X-sin, për inat timin
Ka budallenj që harxhojnë duke i çarosur komunarët e dehur
E fëmijët e tyre kërkojnë lëmoshë nëpër rrugët e qytetit

Ka po çfarë nuk ka në qytetin tim 
ku jeta nis e mbaron më rimë 

( Deçan, fror 2004)



METAFORA E FJALËS

Rëndë jemi ngarkua
Më vitet që nuk na kanë hije

Nëpër kohën e ndarë të pritjeve
Jetuam duke e përtypur veten

N´qafë na pastë fjala 
Që na ushqej më qumësht pelini 

Kur na i dhanë flamujt e huaj në dorë
U zgjuam mëngjeseve kallkan të kuq

Vdekjes ja bëmë më sy 
Po nuk vdiqëm nga gjak i pastër

Edhe ky mot i rëndë 
Ah sa po na ka hije
Brenda Evropën e fjetur 




NJË PLIS I SHPUAR

Kur t´kthehem nga rrugë e gjatë 
Marrë më vete Albumin e fotografive
Dhe eci më ecjet 

Fshatin me gjithë mrize 
Dërgomani më internet 
Mos harroni kullën e djegur
Frëngjinë nga shikohet bota

Atje lë të mbetet
Vetëm dashuria 
Jeton më gjatë 

Nga toka hiqni një pemë 
N´vend të saj mbjell një fjalë 
Një plis të shpuar

Nëpër udhët e gjata 
Lë të nisen mërzitë 
Etja 
Dhe kënga e shpendkeqës




FJALA QË S´I ZIHET BESË 

Në këtë qytet nuk jam vetëm
Janë flokët e thinjura 
Kokë e lagur nga shiut
Dhe etja 

Në këtë qytet nuk jam vetëm
Janë eshtrat cullak që kërcasin
Gishtat e thyer mbi letrën e bardhë
Që vizatojnë udhë të gjata

Në këtë qyte nuk jam vetëm 
Ka mbetur gjuha e lidhur nyje 
Fjalët që s´iu zihet besë
Rrëfimet e të penduarve

Ah kujtimet 
Kujtimet mi vodhën kopilët 
Kur u nisën në këmbë qyteteve pa njerëz



MOTIV I TREMBUR 

Ka kohë që tërheq pas vetes
Vigun mbi Drinin e Bardhë
Që t´kapërcejnë dasmorët
Nusja më shtatë kopilë 

Në mes brinjëve të pranverës 
Shoh vrimat e shekujve të mykur
Tenjën që grimcon mëkatet e patretura
Të Evropës

Kush po i prek
Trupat tanë të ngrohtë



DHIMBJE CEREBRALE 

Mes kafkës së mykur
E pakapshme fjala

Breg Drini përthaj plagë
Dy herë në ditë

Të rrasa e Zogut më preu në besë
Një gënjeshtër e gjatë

Pas xhemati të mërdhirë
U zumë keq me vetveten

Kur ikëm teheve
Gurë e dhe lëvizem

Udhës kishim harruar jetën
Oh Zot




KËNGË PËR TË CILËN QAVA


1. (Çast që më tremb)

Hija që me tremb
Vjen pas meje
E urtë

E lakmon flokun e bardhë



2. ( Kujtim i djegur)

Kur i shohë rrugës
Plakat me fëmijë për dore
Mendoi 
Kështu ecte me mua për dore
Duke më pëshpëritur përralla fëmijërie
E bukura plakë 
E bukura epo e bukura
Nëna ime



3. (Dashuri që di të flas) 

Gjithë këtë jetë
Jetova bri tokës sonë 
Me një dashuri që di të flas

Në secilin kapilar të Llukës
Eca i lagur qull 
Më një dashuri që s´di të hesht

Nëpër damarët e ngurta 
Kërkova krojet e shtjerra 
Tek Verri Binjak i prerë

Me frikë u ktheva të Aorta
Të përplasem me dallgët e gjakut
Që ta gjej dashurinë që po bredhë botës



4. ( Rebelim i vonuar)

Nëpër shi hiri i pashuar
I rëndë plumb

Mbi gurët e varreve janë shlye emrat

Ece ec lumi skaj varreve
Duke përkëdhel gurët e nxirë nga moti

Si nuk plasën nga faji i njeriut

Nga gjumi letargjik më zgjon
Hungërima e televizionit të cipërcullakur

Kokat e jeshilta nëpër fotografi 




GREVË BIOGRAFIKE


Që nga koha
Kur s´kishte shenja varri
Flas e qaj shqip 

Po udhë e gjatë ka ndodhur
Ngjyrë tjetër s´kishte
Veç gjakut

Në ketë terr të gjatë
Zi mbeti koha
Ngjyrë tjetër mejti

Edhe flamujt ndryshe
Edhe trëndafilat 
Me gjemba

Kur e vunë fjalën
Mbi turrën e drunjve 
I ra të fikët kohës

( Janar, 2004)




MOTIVI I PARË

1. (Balada për qytetin e heshtur)

Ndërkaq për habinë e të gjithëve ishte një natë e ftohtë 
Një natë për të cilën përfolët sa herë ndërrohen stinët 
Ose vjen një mot tjetër e secilit i lagët hija pastaj lutjet
Lutje këto të mbetura zvarrë që askush nuk i kupton 
E ti kërkon të bredhësh pas moteve si një ritual më kuje
Që kalëron ballit tënd të rrudhur skamjes se mbetur 
Më vonë kupton se ky trishtim s´ishte asgjë tjetër pos
Një frikësim që ndodhi më ty në kujtimin e thyer kur
Harron të lutesh sa kohë të kthehet etja e pashuar dhe
Kupton se në ketë ecje të gjatë gjithçka t´ishte shurdhua e 
Kupton se edhe rrugës një nga një i shpalon kujtimet dhe të duket 
Sikur net të tëra vetëm kishe ecur më emrin heshtur më
Emrin e rëndë ishe rritur bashkë më egërsira Nëpër 
Kohë të idhta të trazuara që trillohej lumturia kur
Ti përgjonin rrahjet e zemrës a zemrën ta përgjonin
E t´iu venin prita shikimeve të largëta e syve kufi dielli dhe
Nëpër një natë të braktisur hyre në qytetin e heshtur 
Para një përmendore i bije fyellit luan një baladë të brishtë 
I madhi Zot nëpër rrugët të djegura gjithë kohën bredh
Përballë flamujve reklamave dhe fjalëve të përgjumura që
S´iu zihet besë as kur e ke gurin n´krah as kur e rrokullisë gurin 
Fjalëve s´iu zë besë se gjithmonë të kanë folur me hile 
Edhe kur janë shterur sokëllimat e urrejtur të qyqeve


2. (Akuarel i një hije bliri)

Duke bredhur nëpër qytetin e heshtur vjen një mall i kohës
Një ëndërr që ka zgjatur pa fjalë e me damarët e lidhur
Më kukëza ke ecur më gjymtyrë më zemër të ndrydhur
Me mendime të pakthyeshme e herë qortuese të zeza
Me shpresën e lidhur jetën e rebeluar se njerëzit t´kanë harru 
T´kanë harru rrugët hijet gëzimet rinore më orëligën përlesh janë
Shqetësimet e brishta i mbledh në orën fatlige që qëllon
Pastaj ti ç´ke si bën merr guxim e qorton veten me fjalën ec 
Në këtë ecje befas dikush të ndalon pasi ta ka shkel hijen
Të nxjerrë nga ëndrra e madhe nga mendime të dridhshme 
Dhe dëgjon melodi me tinguj n´mesin e të rënëve 
Duke kaluar kohën e harruar si dëshmi e verbësisë se ikur dhe
Troketë  në qytetin e heshtur në pragun e njomë të mijëvjeçarit
Për ta gjetur parkun me hije korin e vajzave dhe djalin më fyell
Që i qetësojnë të qarat e foshnjave vdekjet e njerëzve të urtë
Që na shikojnë çdo ditë kur kalojmë andej nga hijet nën bli



MOTIVI I DYTË

1. (Çast i një kohë të rrallë)

Rri edhe pak se unë padashur të kam qortuar s´di a e ke meritua
Në çastin e shkurtër kur kryhet ndarja e përjetshme 
Ku njërit i bie një pjesë pjesa e etur që nuk gënjen 
Aty ku më parë që m´veshur një hije e thinjur  aty
Ku vendosët se kush do të jetë zotërues i mesnatës e
N´atë pallat ëndrrash që nuk e din cilën hyrje ta zgjidhesh 
Ti ndalu aty dhe ndize fenerin në qiellin e errët dhe dëgjo 
Dëgjo vargjet e një kënge të vjetër dashurie
Dhe mos e humba asnjë çast të kohës së rrallë
Vetëm një grimë kohë nëse të mbetet nga e pakapshmja kohë
Ky çast si përjetim a ëndërr plot djallëzi të mjafton
Për ta djegë a ta ndryshoj skajin tënd të zhgënjimit
Dhe kur diku në atë thellësi të ngrysur vjen një spikamë
Që nga një ninullë e vjetër mos të vej në gjumë
Në mesin e përvuajtjes vetjake n´dyluftim 
Ti e zgjedhë për inat të vdekjes së ftohtë 
Shakullinën e dashurisë mbetur vejushë
Pas pak pezmi i verbër e shurdhues i kohës të ndjek pas
Si një trup i braktisur nëpër detin e trazuar 
Dhe s´dëgjohesh nga zhurmë e dashurisë së murosur 

Ah sa do të dëshiroje i vetmuar skaj shelgjeve 
Përgjatë lumit n´fshat t´i pastroj këto vargje për Ty


2. (Ankthi i shpirtit të ftohtë)

Fle tani se shpejt do të gdhijë ajo që askush s´di
Dhe ti mos e dëgjo zërin kumbues që fishkëllon
As plasaritjet e verbuara të dehjes
Kur ajo të bien në kokë befas tmerrshëm
Ti skuqesh si nga kafshim i qenve të vonë
Nga ankth i shpirtit vetën e qorton
Me vete do të thuash nuk jam një i mposhtur
Nga dritare e hapur e shikon qiellin pse dita u vonua
Guximi i përzier si mbeturina tmerri tkurret
Aq më tepër në agun e natës së parë të dashurisë
Të kujtohet ftohtë çfarë të erdhi ajo jetë e dyfishuar 

Ajo prerje prej gremine n´sy t´vjen vdekshëm si maskë
Ai shkretim që në shpirt mundohet ta shuaj hijen e vet
Një pikë shi ah një pikë shi mbi çati ra
Fjala të mashtroj u kurvërua nga malli i gjatë


3. (Arkëmorti i zi)

Të vjen prapë shqetësimi ta zvetënon mungesën
Dhe thua ja pra ç´më ngatërron
Ajo që është e errët si një vrimë e zezë
Pas se cilës asnjë kujtim nuk duket më

Fletët e kalendarit ndoshta të kanë qeshë
Më vonë të kthehet prapë kjo histori jeta në pasqyrë
E thyer ku kishte rënë në kurth me lehtësi
Si i mbrapshtimi i dashurisë 
Që e përfytyron ngutshëm plot rreshk
Një kumt dëshmia makabre për dramatizim
Si në ritet mistike të rimishërimit këndon 
Për të pengua daljen nga vrimë e zezë

Ka mbetur diçka brenda arkëmortit të zi
Dhe nisesh një rruge përpara copë-copë
Mbi të cilin kishin ecur kaq herë fatet njerëzore
Për të treguar shtrembërime urrejtje dreqi e di çfarë

Një loje moti në të njëjtë ngjyrë ravijëzohet
E pa mbrojtur mes perlave të dashurisë
( M´u duk se ndjeva lehje qenve larg)
Kur vjen një acarim i shurdhër dhe të mbyll


4. ( Përplasje më ikona ) 

Përsërisë në ëndërr hemorragji krimesh tjetër farë 
Një rishfaqje e zbetë pagjak të mbarësuara më mortje
Që ndodhin jo rastësisht për t´ua prish qetësinë varreve
Edhe arkivolet e shtrenjta dikush i vodhi një mëngjes 
Duke ndjerë zhvendosjen e shpirtit të masakruar 
E nuk na shikojnë kur largohemi prej vetvetes 
Na plaçkitin dyshime mendime ngatërresë kalendarike
Vazhdojmë më shpjeguar për një botë të kufizuar 
Tepër të vogël n´krahasim me pafajësinë e krimit
Të ngatërruar në rrëfimin e shkaktuar nga mospërfillja
Pas pak më një zë i vdekur që u përplasë më vdekjen me tha 
Po vijnë ca lehje qenesh e ti, ti mos u mërzit 
Është diçka që ndodh në mijëvjeçarin e apokalipses
Kur nuk kursehen përkëdheljet e verbëta të natës
Kur nisen të udhëtojnë gjymtyrët e asimiluara të kohës 
Me ecje fatkobe e ikona të thyera në mesjetë



5. ( Nëpër plagët e Dardanisë )


I parafytyrova mendueshëm shekujt
Nisen të më torturojnë mendimet historike
Gjaku flamujt të shtresuara në vrimë të zeza që nuk hiqej
Fërgëllimën e tmerrit e ndjeva nëpër plagët e Dardanisë
Një erë erë gjysmë të kalbur misterioze
Troja Roma Karpatet Arusha e Bosforit
Dhe përsëri e pakuptueshme dhelpra e Ballkanit
M´u deshtë t´i bëj dymijë hapa i çalë
Të kuptoj ishte kjo ditë që kishte marrë krismë
Të çara copëra kohësh të vendeve që po vijnë
Dallova tela me gjemba gjak karvani njerëzish duke ecur
Me premtimin e provuar turbullt
Mes kullave të pambrojtura lash kokën
Që ta gjej një ditë jashtë arkëmortit të zi

O Zot a ka kohë ta mbyll tashmë historinë
Kur gjuha njerëzore ndërlidh veçse krime
Dhe vjen një zbrazëtirë me mendime therëse
Kur kronistët zmadhohen verbërisht  çdo ditë
Dhe përsëri po ecin mbrapsht


6. ( Baladë e brishtë )

Fytyrë nuri tërbuar pa një rreze drite
Gjithçka rrëshqiti në gjirin e mesnatës
Papritmas u shfaqen skuta të errësuara të harresës
M´veshur me mjerimin e tradhtuar vetjak
Herë përvuajtje herë heshtje pikëllimi
Herë varre e herë shtrëngatë dëshpërimi
Këngë e brishtë kënduar n´rrëmujën fatkeqe
Nëpër kohë që na braktisën shpresat e përmbysura
Ftohtë a ftohtë akull ecëm për t´u rritur
Skaj vrimës se zezë përgjatë kufirit fatprerë
Që ishte rrethuar nga zhurmë e hijeve tirane
Ku zjarri i shkundte kullat dhe bedenat(?!)
Ku gjëmë e egërsuar e rrënoj tokën
Gjithçka digjej e lutja për Kosovën nuk ndalej
Urata e jonë për Zotin për Atdheun na përqeshej
E vrima e zezë ishte ajo që duhej të vdes


7. ( Pastrimi i kohës )

Koha e zënë n´gjumë nuk shërohet 
Në tatëpjetën e botës ku sundojnë pasionet
Veç sa mbarësohet krimi e shëmtimi
Dhe numërohen vitet e nxirë nga tymi
Në pasqyrën e vet njerëzimi e shikon mjerimin
Të pragu i varrit vdekja i lidh nyje kufomat
Pse thonë se gjumi është gjysma e vdekjes
Kur pjesa tjetër është mashtrim shpirtëror

Mblidhni kohët e harruara dhe i pastroni
I pastroni përplasjet sharjet nga fytyra e njeriut
Përtypni plagët e trupit zjarrin e hirin
T´ia gjejmë fshehtësitë e humbura jetës
Mblidhni fëmijët e trembur bashkë me lotin 
Mandej oreksin e fqinjëve mbylleni me ngujore


8. (Këngës as dashurisë nuk u mbeti pikë gjaku)

Vërdallë vjen bota me shpirt e trup të lodhur
Rreth vetës rrotullohet ti kafshon gjymtyrët cung
Zhvesh trupin lakuriq çmendet u shkund
Nga vrimë e zezë humb sytë nga trishtimi besa
Me përralla princash mbretër cinik na vjen 
Me kalorës të kuq djersitur pas gjinjve fut
(Këngës as dashurisë nuk u mbeti pikë gjaku)
Dry i vuan fjalës e dyllë gojës
Bukuria u çmend ditën akull u bënë puthjet 
Dashuria e vajzës u tret n´kohën tjetër
Në arkëmortin e zi ku mund t´ia pish gjakun lindjes
Ku nisën udhëtimet brenda kohës n´harrim
Që askush nuk e dinte në çfarë gjuhe trokiste jeta

Vjen bota vërdallë me trup e shpirt të lodhur
Shkund dheun nga gjoks i kafshuar
Butë pikon loti nga gjiri xheloz
Shkrumbi seç shtreson nga sytë që s´shikojnë
E dogjën tmerrshëm dashuritë nëpër shekuj
Në gjymtyrët ftohta pikturohet si pesash helmimi
Ku zuri n´thua trok i kalit të përgjakur
Në arkëmortin e zi shtriu një lule një këngë

Vjen botë e heshtur nga një udhë e gjatë
Trup e shpirt e lodhur nga fishkëllimë armësh
Nga sy lakuriq nga përrall e keqe kohe
Ku tokën e therin me thika e njeriun me fjalë
Ku plasariten detet e zogjtë hyjnë në guri
Ku n´lojën e përsëritur veç vdekja jeton
E plaga e dheut vazhdon me udhëtua.



9. (Mos ma merrni për të keq
     ndryshe s´di të kërkoj falje)


Me lejoni t´shpresoj e nesërmja është e jona
Mbi kokën time prehet qetësimi
Mëngjes mbrëmje dritë e hije do t´mbetem
Do filloj me këngë me gëzime të lindura
Ca me krenare me mburrje lartësie
Mos ma merrni për t´keq as kur flas i ndrojtur 
As kur shqetësohem për kohën e përvuajtur
As kur qaj për Atdheun kur e dua ta shoh të bukur
Për të cilin fjalët me bëjnë të lumtur

(Dhjetor, 2003, fundi i Janarit, 2004)




SHI I GJATË VJESHTE

(1)

Sa e trishtueshme është vjeshta e kurbetçarit
Kur mbledh gjethet e saja në thellësi të shpirtit

Kësaj vjeshte e pashë trishtimin
Kur iku dielli dhe zogjtë nga plaga ime

Vitin që lamë pas më grimcoj diçka nga brenda
Pika n´zemër nuk më ra nga guri i shpuar

E dhembshëm fjala që ta dhuruan këto mote 
Mejtin tëndë mos pastë njerëz më pastrua

Po a din sa herë ka më ra shi mbi ballin tënd
Derisa shkon ky mot i ligë e diçka duhet tharë


(2)

Rri fshehur në mjegullën e kujtimeve që të tradhtojnë
Nëpër shtegtimet e oqeanit të pafund ndjeke lotin

Kur digjem nga uji e breshëri s´më ndihmon
Nga gjak i lagur mbledh veten dhe nisem

Lë të bie shi edhe të shtunave edhe të dielave kur lutemi
Më lutje dhe shi shpirti nuk pastrohet

As loti i tharë në buzët që thërrasin moshën time
As vitet e largëta kur isha fëmijë s´kalojnë këtejpari


(3)

T´ju tregoj si jetohet këtu kur bien shi 
E para zhelet e mija lagën
Në fytyrë nuk dallohet loti dhe shiu

Qen endacak nuk ka
Ata i mbajnë damat nëpër sallone 
I mësojnë si të lehin e këndojnë

Macet e zeza që ta prenë rrugën
I takojmë në fund vikendi në floktore
Duke e pastruar leshin e zi

Koka ujqërish e gjarpërinjsh
I sheh në Panoptikume 
Duke e ndërruar lëkurën e dhëmbët

Minjtë rrinë nëpër kanalet e qytetit
Kontrollojnë dashnoret e pshurrur
Që enden nëpër bisht të Evropës

Këtu ka gjithçka kur bie shi
Jemi Unë dhe Ti

Keine Kommentare:

Kommentar veröffentlichen