Montag, 6. Februar 2023

DIKUSH KA FRIKË NGA DASHURIA


  DIKUSH KA FRIKË NGA DASHURIA


NË MOTELIN BREG RRUGE

 

 

në moshën që ka sot

ai përpiqet të gjej ilaçin të mos turpërohej

mbase e ka njohu një prostitutë

që s´kishte dy-tri ditë

mund më qenë edhe një javë

e kishin sjellë në motelin breg rruge

në botën e kësaj aventure

e kishin thirr politikanin plak

t´i rikthej ëndrrat, dashurinë e lënë peng

mbase nuk kishte mundësi

të hyj në një ëndërr tjetër

 

e në luftën e pa qenë pastaj

iu desh një natë e terë

dashurisë t´ia prekte qiejt

megjithëse i ndodhi e kundërta

nuk mundte ta puthte

se nga goja i binin protezat

dhembet prej plastike

e në mes atij ofendimi

i ra ndërmend se s´ishte më i gjallë

se po digjej në ferrin e vetë

 

 

 

VARRËT E HAPURA

 

 

Kjo lufta e fundit

s´ishte as e para as krejt e fundit

 

as krejt ndryshe nga luftërat  tjera

 

ajo ka kohë që ka përfunduar

e unë kam kohë që thur poezi dashurie

edhe pse dikush ka frikë nga dashuria

që është kryevepra e njerëzimit

 

më kujtohet krejt çka ka mbet nga lufta

e futen nëpër katalogun e dhimbjeve

duke i numëruar varret

ose gropat që kanë mbetur të hapura

 

nëpër ato stine plotë mjegull

vrasësit kishin frikë nga vdekja

të vdekurit gëzoheshin pse po vdisnin

 

që i bie:

se po gëzoheshin

për kryeveprën e njerëzimit

 

 

 

(28. 01. 23)

 

 

Montag, 20. Juni 2022

KUJTIMI PËR ADELEN


 

 

 

 

KUJTIMI PËR ADELEN…




Kur u vendosa si refugjatë në shtëpinë e azilit

unë isha dyzetë e një vjeç

aty e pata njohur shumë të panjohur

e pata njohur edhe “Frau Erich” më emrin Adela

ishte përgjegjëse për refugjatët e Ballkanit

më kujtohet

kur u pata rrahur me një tip nga Maroku

edhe ai si unë refugjatë

vetëm Adela na ndërpreu edhe pse aty kishte

nga Kosova, Bosnja, Bullgaria e Gjeorgjia…

 

Të nesërmen në dhomën time

erdhi Adela më tha;

marokenin e kemi transferuar nga këtu

derisa me tregonte e shikova

kishte sy vërtetë epshndjellëse

pak se të varur që tregonin se kishte vuajtur

në kohën e Gjermanisë Demokratike

kishte qenë mësuese e rusishtes

burrin e kishte pas oficer

që i kishte vdekur nga kanceri

duke punuar në termocentralit bërthamor

kur shpërtheu Çernobili

 

Kur po hynim në muajin e tretë të shoqërimit

më Adelen

për të parën herë e pyeta

pse një grua më dhjetë vjet martesë

gjithmonë më flet për njëfarë frike

ma merr mendja e ke për shkak të vetmisë

apo ke frikë nga unë

që herën e fundit desh e vrava marokenin

më ndjeni që kot po ua kujtoj atë rrahje

 

derisa po zhvishej ia shikova këmbët

Adela ishte trupshkurtër

andaj mbante këpucë me take të larta

të dukej më e gjatë

edhe pse ishte e hijshme.

 

 

Montag, 20. Juli 2020

AI SHPEND I BUKUR


 

ai shpend i bukur  

 

Në qiellin gri
Një zog aq lirshëm fluturonte
nga inati desh e vrava

ma kishte zaptue qiellin blu

 
Kur desha të marr hak
iku bashkë me lirinë time
ai shpend i bukur


fluturimi në qiellin e lirë
dhe liria janë të shenjta
për zogun... dhe për mua

 

 

Hamburg, korrik, 2020

Sonntag, 28. Juni 2020

Arif Molliqi: DASHNOR AUTODIDAKT



DASHNOR AUTODIDAKT

çdo mëngjes
bërllogun e shtëpisë e nxjerr jashtë
bashkë me marrëzitë e mia
më përzihet edhe një maskë e zezë

pastaj kthehem ia pjeku vetës një kafe
në televizion i dëgjoj lajmet bajate

nuk harroj edhe të urinoj
një ves i trasheguar nga qyteza ime
që nuk ka nevojtore publike
dikur kthehem e pi atë kafen e ftohtë
para se të nisem për qytet
që me pret një grua e bardhë e but
sa të shohin sytë
ajo më përngjan shumë në Shote Galicën
dhe në Norën e Kelmendit

që kurrë s´i kam njohur
që kurrë s´i kam parë
e kam ra n´dashni me to

ah, harrova t´iu them
në dashuri jam autodidakt
prandaj u desh me ardhur pleqëria
që ta heq turpin e lakuriqësisë

10.06.2020

Mittwoch, 3. Juni 2020

I rikthej lojërat nëpër rrugët e fshatit


Arif Molliqi

I rikthej lojërat nëpër rrugët e fshatit

i mbaj mend rrugët
mëngjeset e stinëve që ndërroheshin
lojërat symbyllas
ku fshihesha në kaçakun e qenit plot morra
si te tjerët dhe unë duhej të fshihesha diku
të mos mbetesha gjithmonë i fundit
mbaj mend kur na rrihte gjyshja
ia trembnim pulën këlleqke në çarranikun e vogël
në arën e fqinjit vidhnim fasule
e bënim tremb për rrush
arrat e Bregut i shkundim me gjithë dushk
mbas pëllumbave  vrapoja e në shkollë shkonim vonë

kur erdhën vitet tjera erdhën kujtime ndryshe
mbi dardhën lonçe
mbi mollën sherbete hipnim
ta shihnim  Rrushen me vajza tjera
kur e matnin gjoksin e fryrë
eh sa herë me shokë i ndanim dashnoret
dhe sa herë jemi rrah mes veti për Rrushen
kjo është me e mira
kjo me takon mua
thoshim të gjithë

te gjitha i kujtoje dhe zemra sa nuk më plas
kujtimet kur më shfaqen e më vijnë pas

Samstag, 25. Januar 2020

TË FSHEHURAT E FJALËS



 

kur lakmon shtatin e huaj

më pllembë dore e mat hijen tënde

 

të varret t´bredhin mendimet

 

ato që t´braktisin janë stinët

vitet dhe zogu n´fluturim

 

prapa t´vijnë të pabërat si dëshmi

 

nëse ka vapë të madhe

edhe breshëri n´vend të shiut është fat

 

(kur s´ka shi edhe breshëri bën punë)

 

nese krojet nuk shtjerrin këtë vit

lulojnë të fshehurat e fjalës

 

dhe rriten fëmijët lisat e lumenjtë

 

 

24.01.20

 

Donnerstag, 16. Januar 2020

Formë mashtrimi që më rrethon

Arif Molliqi

FORMË MASHTRIMI QË MË RRETHON

pas dy ore që lexoj
s´kuptoj cila është poezia që e prisja
dhe e kisha blerë atë libër

aty kishte vargje trilluese
si replikat në foltorën e parlamentit
si bisedat në kafenen n´fund të rrugës

apo sharjet e analistve në televizion

moti s’e kisha parë në transmetim direkt
gjoks femre me të bukur
se të asaj qe doli në foltore të thotë diçka
duke e afruar mikrofonin afër buzëve

kur ajo e lavdëroj shtratin dhe burrin
para syve të mi gjithçka ishte halucinacion

e mbaj mend derisa e shikoja në ekran
më kishte ra një çehre trishtimi
gruaja me pyeti për telashet që kam 
kur e shikoj televizionin

nejse, unë i sqaroj se s´është gjë
veçse një përfytyrim i imi
është formë e mashtrimit që më rrethon

Samstag, 7. Dezember 2019

POETI I AZDISUR


S' po di çka më të thanë
brenda koke i vdekur, trutharë
kam me ardhe e m'u taku me ty
se n´kujtimet e mia ke hy si terri
kur ta pashë
fytyrën me arna
pashë se sytë magjia e lakmisë ti kish marrë
duke u zhagitur nëpër orët e kotësisë
duke i thënë vetes: jam korfeu i poezisë
E ti gafil mos rri
se gujas kam me ardh
ballin e ftohtë me ta puthë si meit
e dy fjalë me ti thanë
se malli me ka marr
o çehregrysur
që i turfullon padronit me servilizëm
o poet i azdisur
“o vëlla, i jemi vëlla”
E kur të takohem
ti s' ke me besu
andërr ke më thanë, e andërr s' ka qillu,
nejse, kot të pyes se tash e di kush je
marimangë, hienë që thuer intriga për mua
s´di,
era e gjahut ku po të shpie
“o vëlla, i jemi vëlla”
mbetça pa ty:
kështu kurrë s´kam dashtë më të pa
_________________________________
"O vëlla, i jemi vëlla", është vajtimi për Avdinë

Donnerstag, 26. September 2019

Arif Molliqi: PESHA E ARKIVOLIT





PESHA E ARKIVOLIT



Provë për një dilemë 

A është qeni i biri ujkut
a ujku i biri qenit
Krejt njësoj
të dytë janë mishngrënës

A është njeriu i biri djallit
a djalli i biri njeriut
Krejt njësoj
të dytë e ngatërrojnë botën

A është hajni para ministrit 
a ministri para  hajnit
Krejt njësoj
të dytë betohen n´gjuhën e dhelprës



Pesha e arkivolit

Ditën e varrimit
Njerëzit bëjnë mahi të vogla
Mbi fytyrë ma hedhin një grusht dhé 
me arkivolin e mbyllur qeshin

Më besoni, ngushtë më keni zënë
mbase jam i vetmi njeri që nuk flas 
dhe për të parën herë rri vetëm
në një shtëpi pa dritare

Varrmihësit s'kanë punë tjetër
Veç ta kërkojnë llogarin e vet
E nesërmja është vonë

Aq lehtë
E zeza nuk bëhet e bardhë




Ç´rëndësi ka kush këndon 

Këndoj aq gjatë
Sa e lodhi bjeshkën dhe detin
Asnjë yll s´mbeti në natë
Nuk u ndal 
Derisa mori n'thua në këngën e vet 

Atyre që e dëgjonin
goja u ishte terë 
duke bërtitë:
o lejeni bre atë këngë
se u tha një det i tërë 

Ç´rëndësi ka kush po këndon
Kur askujt asgjë
S´do t´i lë trashëgim
kjo kënga e juaj e padurueshme 
gjithësesi




Arti i kolaboracionistit

Kur ra ujku në torishtë
ne i numëruam delet

veç bariu dhëmbprishur
doli tepër

Dikush kurrë s'do të di
pse asgjë s'i ndodhi qenit

ai kishte shkuar të Lendina e Qyqeve
i mbeshtjellur me lëkur dashi

Delet që shpetuan
i akuzuan si kolaboracioniste

kjo është loja e njeriut
kur afër vetës mban qenin e keq 

ose,
kur qeni dhe ujku bëjnë dashuri
në oborrin tonë me gardh të thyer




Arti i lehjes 

Ndalohet rreptësisht
me leh si qeni
se nuk e dallojmë ujkun te dera

Ka kohë që s' po e kuptojmë
kush në kënd po leh
qeni në njeriun
a njeriu në qenin

Derisa të mësohemi më të lehura
njeriu do ta hanë kopenë
e ujku lë të ankohet
në “magna carta libertatum”

Në mungesë të ujkut
edhe qeni i hanë delet
dhe bariut ia lëshon mjekrrën
sikur e bëri nga dashuria....

Verë, 2019

Samstag, 14. September 2019

Arif Molliqi: SORRAT E ZEZA

Arif Molliqi

Sorrat e zeza

E bartin atdheun buzë varri
Hajnat që bëjnë roje
I shkurtojnë mezhdat

Duhet të mësohem
Të hamë sorra...ose barin

Dikush kurrë s'do ta mësoj
Si hahen ato
Edhe nëse i vrasim korbat

Koha e maqorrit mos ardhtë
Vinë minjtë e na ngjesin sëmundjen

Atëherë përdorim ilaqe të skaduara

Të gjallët me proteza porosisin 
Varrin lë t'ua bëjnë
Deri të kau i zi

Freitag, 12. Juli 2019

Arif Molliqi: PREMTIME TË MENÇURA

Arif Molliqi



PREMTIME TË MENÇURA

Nga pema e papjekur
kokërrat po i ngrënë jashtëtokësorët
e gjarprit farat nën dhe

mbi kafkën e thatë
nga premtimet e mençura
djalli ndertoi strofullin Brenda

shikojeni lisin
n´asnjë stinë s´ka hije
e kanë lidhur për rrënjë diellin

të liqeni i shtjerrur
narcisoidët kërkojnë fytyrat e veta
ta kuptojnë ç´është e bukura

jemi mësuar të luajmë
më të paqartat e lirisë
duke marr në thua në ecje

Montag, 24. Juni 2019

Arif Molliqi: NJË VDEKJE PËR PRANVERËN


(vëllait tim, Rexhepit)


1.

Kuptova vonë
se në pranverë paska vdekje
bash tash kur po na duhesh
me na mësu një fjalë
me na mësu këngën e stinës së luleve
me na tregu për erën
që vjen nga Gryka e Deçanit

Sa të trishtuara fjalë
 që dalin nga porosia jote:
... duajeni pranverën
s’ka rëndësi shumë në jam unë
pak rëndësi ka
se pranverës i kanë hije edhe vdekjet
si kjo e imja
me peizazh gjelbëruar mbi varr
  

2.

Vij e vjen
e unë kërkoj sy me t’pa
se sytë e mi kanë mall
n’këtë stinë që nuk e njeh moshën
edhe kur bie shiu
edhe kur ka diell
se rruga që je nisur nuk njeh kthim

Ti breg Lumëbardhi me ujë shumë
që sjell këngë e vaj nga ushtimë e bjeshkës
ah, vetëm për ty këndojnë bjeshka dhe vërrini
në çdo pranverë


3.

Në dhomën e zbrazët e të ftohtë
e shikoj një fotografi varur në mur
sa robërues është aparati fotografik
nuk na lejon të flasim...

I shikoj sytë e tu aty
lot dhe buzëqeshje pafund
po këngën që aq shumë e deshe
nuk e dëgjoj më

Kaq mund të them sot
vetëm kaq
 o im vëlla


4.

Në luftën e fundit ishe gjeneral
kërkoje vetëm fitore
ta pushtoje nëntokën doje
t’i lirosh nga robëria varret ngulje këmbë
pas mbarimit të betejës
fjalime të zymta kund s’lejove


5.

Mandej të lakmova me aq zjarr
në sytë e gjithë atyre njerëzve
kur fjalët u mbushën me mjegull
kur gjithçka më iku
nga portreti që mbanin nxënësit në duar
dhe guri me ra nga zemra...

Iu falënderohem miqve
iu falënderohem
për ndjesën

(Fillimqershori, 2019)



Samstag, 25. Mai 2019

Ç´emër t´i vë djallit

duke pritur radhën në spital
një çast ndezët drita e gjelbër
tuneli për morg lejohet...
në të majt është një derë prej hekuri

askush nuk të merr për dore
më ta treguar rrugën e Parajsës
as britmat nuk i ndien
as zërat e të vdekurve që s´të njohin

nga morgu deri të Ferri
në kryqrrugën e mbyllur n´çark
janë vendosur pafundësi njerëzish
s´di ç´emër t´i vë djallit që mashtron

e vetmja gjë që s´do t´ia dijë për moshën
janë morgu, ferri dhe parajsa
një mijë vjet të njëjtet emra  
veç përkujtimi në mermer tjetër.

                                   Arif MOLLIQI

Samstag, 6. April 2019

E PASHEMBULLT PËR NJERËZIT

n´prag të kësaj pranvere
kanë dal larvat e krimbave
më portrete njerëzish duke marrë frymë
e kapërthehen nëpër fushat e huaja
bardh e zi i kafshojnë fitoret e tjerëve
s´kanë dert edhe kur ua pështyjnë emrin

n´prag të kësaj pranvere
farë hibride e kërkon tregu
vallë, ushqim për larvat e krimbave
që marrin frymë
nga marrësi e përjetshme
dhe vdesin nga fjalët e veta

lëreni,
paskeni qenë thjeshtë krimba
krimba që përtypin larvën e vet
e pashembullt për njerëzit
ndoshta kjo ndodh vetëm të kafshët e rralla

(Prill, 2019 )



Mittwoch, 13. Februar 2019

Kot me përgjoni


mes rafteve te librave kam futur kokën
kokën mes rafteve e kam futur
e nuk e lexoj asnjë libër
veç numëroj kapituj i mësoj emrat e vjershave
ua shkund fjalëve pluhurin e kohës
se s´po më zë besë Ademi, Ademi i Gashit
që më bredh nëpër kokë më mendime
duke m´thënë S´i duhet kujt gjaku im [1]
s´më zë besë 
as kur ja përmendi kryeqytetin e lakuriqëve
midis zhurmave e njerëzve të shumtë [2]
që mezi zbritën në shehër më atë gur durimi
me buzëqeshje të ftohta nga dimrat e akullt
më kësula të bardha prej bore e koka prush

zbriten në një shesh të madh për ta ther heshtjen
nga një letër e bardhë për ta hequr vetminë
derisa e përgjoni hilen e pritave
derisa i harroni titujt e librave mes rafteve
duke i dëgjuar fjalët e hidhëta që rrjedhin
nëpër pallatin e madh e nga ballkoni i t´huajve
e harrojnë barin që rritet çdo ditë mbi varre



[1]  Titulli I një libri të Adem gashit
[2] Prarafrazim i një vargu të A.G